“Qëndrojmë së bashku në anën e paqes në botë!” Kjo është porosia që e dërguan Kryeministri i Izraelit, Bnjamin Netanjahu dhe Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, i cili e udhëheq delegacionin qeveritar në vizitë disaditëshe në Izrael.
“Së bashku shikojmë nga ardhmëria më e mirë. I shqyrtojmë mënyrat dhe fushat në të cilat mund të bashkëpunojmë në interesin e njerëzve dhe vendeve tona. Nga e kaluara mësuam se si ta sigurojmë ardhmërinë. Izraeli është shtet i zhvilluar teknologjik dhe do ti ndihmojë Republikës së Maqedonisë”, ka porositur Kryeministri i Izraelit, Netanjahu.
Kryeministri i Maqedonisë, Zaev, lajmëroi se për Republikën e Maqedonisë, përvojat e Izraelit në inovimet dhe start up bizneset, kanë domethënie, si dhe se Qeveria e re do ti shfrytëzojë përvojat e Izraelit për jetë cilësore të qytetarëve në Maqedoni.
“Me Izraelin nuk kemi çështje të hapura, jemi shtete miqësore. Bashkëpunimi ynë me Izraelin shpresojmë se do të jetë në dy nivele, siguria dhe paqa e botës, ajo që Izraeli është shembull i mirë në botë. Shpresojmë se përmes organizatave siç është NATO, synojmë anëtarësimin në Nato, se do të vazhdojmë të bashkëpunojmë, sepse kërcënimet nga radikalizmi dhe ekstremizmi janë prezentë këtu në Izrael dhe në këtë rajon, por gjithashtu edhe për Maqedoninë dhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Bashkëpunojmë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes deri tani dhe e di se do ta rrisim bashkëpunimin, sepse është në interesin e të gjithë qytetarëve dhe kombeve”, tha Zaev.