Pas takimit partiak dje në Reçicë të Vogël, Ali Ahmeti, presidenti i BDI-së deklaroi se vetëm pjesë të caktuara nga deklarata e tre partive shqiptare nga Maqedonia do të jenë të përfshira në programin e ri të qeverisë.
Sipas Ahmetit, për Maqedoninë është prioritet zhvillimi ekonomik dhe hyrja në BE dhe NATO, pika të cilat janë të përfshira edhe në platformën e partive shqiptare, ndërsa temat tjera mund të diskutohen në opinion dhe nuk janë të fshehta për qytetarët.
Sa i përket ndarjes së ministrive, Ahmeti deklaroi se do të ketë ndryshime në Ministrinë për Shëndetësi dhe në Ministrinë për arsim. Për resoret tjera, Ahmeti tha se partia e tij BDI, mbetet pa ndryshime të mëdha, të udhëheqë me ministritë e njëjta me të cilat ka udhëhequr tani.
Konsultimet në nivel partiak dhe ndërpartiak do të vazhdojnë, siç paralajmëroi Ahmeti, me qëllim të formimit sa më të shpejtë të Qeverisë së re.