Me Arianit Xhaferin, aktivist qytetar i organizatës Eco Guerilla nga Tetova, si pjesë e një serie intervistash me aktivistë të shquar të shoqërisë civile që realizohet përmes projektit “Shoqëria pa kufij”, flasim për drejtësinë sociale, mbrojtjen e ambientit jetësor në këtë qytet që përballet me më tepër sfida ekologjike, si dhe për atë se si qytetarët mund të bëjë një ndryshim thelbësor dhe të zënë vendin e tyre në proceset e vendimmarrjes në nivel lokal dhe kombëtar.
Xhaferi flet për suksesin e arritur të iniciativës qytetare në Tetovë për të zvogëluar ndotjen e ambientit dhe ajrit, që e vendos shpeshherë këtë qytet në listën e më të ndoturve në Evropë. Qëllimi i aktivizmit të qytetarëve ishte që të detyrohet ndotësi më i madh i këtij rajoni, fabrika “Jugohrom”, që të vendosë filtrat dhe të punojë sipas standardeve, Kushtetutës dhe legjislaturës për ambientin jetësor.
“I gjithë aktiviteti jonë ka qenë një formë e presionit, ndaj politikës, ndaj Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, ndaj të gjithë lojtarëve kyç në këtë mes, që ta detyrojnë Jugohromin të vendosë filtrat. Në momentin që ata nuk ja dolën që të detyrojnë Jugohromin ta respektojë ligjin, Inspektorati ekologjik i Ministrisë së Mjedisit vendosi që Jugohrom duhej mbyllur deri në vendosjen e filtrave”, tregon Xhaferi.
Mbyllja e Jugohromit, i cili nuk arriti që të vendosë filtrat, rezultoi me një ulje të konsiderueshme të ndotjes së ajrit, mirëpo kjo nuk do të thotë se problemet me ambientin kanë mbaruar. Mungesa e transportit publik, numri i madh i veturave të vjetra, prezenca e shumë deponive të egra të mbeturinave, djegia e lëndëve të ndryshme jo ekologjike për ngrohje apo në procesin e punës të bizneseve…Janë disa prej sfidave, me të cilat ky qytet mbetet të ballafaqohet edhe në ardhmëri. Mosveprimi i autoriteteve është një prej shkaktarëve kryesorë për këtë gjendje, siç shprehet Xhaferi.
“Në bazë të të dhënave të SPB Tetovë, janë diku rreth 40.000 makina të regjistruara me targa të Tetovës, që qarkullojnë çdo ditë në rrugët e qytetit. Mungesa e transportit publik është një prej problemeve të mëdha, me të cilat po përballen qytetarët tanë. Një problem tjetër është prezenca e shumë deponive ilegale, deponive të egra, mini-deponive, domethënë, grumbullime të ndryshme të mbeturinave në vende të ndryshme në natyrë, të cilave nuk po u gjendet një zgjidhje nga ana e autoriteteve. E të mos flasim për nevojën për sjelljen e rrjetit të gazit natyror për ngrohje, sepse shumica e familjeve tona ngrohen me dru”, theksoi Xhaferi.
Sipas tij, në qoftë se dëshirojnë t’i zgjidhin problemet, qytetarët duhet të ushtrojnë presion politik ndaj politikanëve apo të zgjedhurve të tyre, me qëllim që zëri i tyre të dëgjohet dhe të merret parasysh në venddimmarje. “Qytetarët duhet ta dine se janë ata që duhet të vendosin, jo politikanët. Ne i zgjedhim politikanët, ne i votojmë politikanët, por, në fund të fundit, kur i zgjedhim, ata i zgjedhim që të na shërbejnë neve. Nuk zgjedhim mbretër, të cilët duhet të na sundojnë, e të cilëve ne vetëm duhet t’u paguajmë taksa, tatime…Jemi ne ata që i ngremë lart, jemi ne ata që i zbresim poshtë”, porosit Arianit Xhaferi nga Eco Guerilla e Tetovës.
Petrit Saracini
Kamera: Dehran Muratov
Montazhi: Maja Ivanovska
Intervista është pjesë e projektit “Shoqëri pa kufij”, të cilin CIVIL – Qendra për Liri e zbaton me mbështetje nga Fondacioni Gjerman “Hajnrih Bell”. Qëllimi i projektit është promovimi dhe edukimi i qytetareve dhe qytetarëve të Maqedonisë për “Kartën Qytetare”, dokumentin global për avancimin e të drejtave qytetare dhe të pjesëmarrjes aktive të qytetarëve në proceset e vendimmarrjes.