Përfaqësuesja e lartë e BE për politikë të jashtme, Federika Mogerini, pas mbledhjes së djeshme me Ministrat për Punë të Jashtme të BE, në të cilin mes tjerash, i informoi për gjendjet në Ballkanin Perëndimor pas vizitës së saj gjatë javës së kaluar në vendet e këtij rajoni, drejtoi porosi të fuqishme deri te liderët politikë të Maqedonisë, të mos luajnë me zjarr dhe të mos e shtyjnë vendin në konfrontim ndëretnik.
Mogerini tha se nuk do të zbulojë hollësira rreth deklaratave të ministrave në takimin e djeshëm të ministrave të BE, por theksoi se në kuptim të përgjithshëm të gjithë ministrat i mbështesin fuqishëm porositë të cilat i ka shprehur gjatë vizitës së saj javën e kaluar në Maqedoni, publikisht, si dhe në takimet me Presidentin Ivanov dhe me liderët politik të vendit. Ministrja për Punë të Jashtme theksoi se këto porosi i ka përcjellë jo vetëm në emër të Bashkimit Evropian, por edhe në emrin e Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
“ Sa jam e brengosur? Jam e brengosur, mirëpo tentoj të mësoj të lëvizi mbi brengat dhe ta shoh potencialin për zgjidhjen e krizës institucionale, krizës politike. Besoj se ajo me të cilën po ballafaqohet Shkupi sot, ende është krizë institucionale dhe politike. Brenga ime kryesore është se kjo po shndërrohet në krizë ndëretnike, dhe kjo është edhe porosia kryesore të cilën ua përcjella atyre që kanë përgjegjësi politike në shtet: Mos luani me zjarr, mos e shndërroni këtë në konfrontim ndëretnik që do ta shkatërrojë vendin dhe me siguri se do të përhapet edhe jashtë”, porositi Mogerini në takimin me gazetarët në Bruksel i cili u realizua pas takimit të ministrave. Shefja e Diplomacisë Europiane beson se ka instrumente për realizimin e kësaj, duke apeluar para së gjithash në urtësinë e Presidentit Ivanov, por edhe në kapacitetet e Kuvendit që të vazhdohet për shembull, me zgjedhjen e Presidentit të Kuvendit, ose me de-bllokimin e gjendjes, me qëllim që kjo krizë institucionale dhe politike të mund të drejtohet me instrumentet të cilat i posedon vendi, pa ndërhyrje të askujt. “Është normale që miqtë duhet të kujdesen për gjendjet dhe ardhmërinë e partnerëve. Do të thotë, këtu gjendemi për momentin, besojmë se ekzistojnë mundësi të dilet nga kriza institucionale, resurset për realizim ekzistojnë në Shkup dhe kisha shumë këmbime mendimesh të sinqerta dhe konstruktive me të gjithë liderët politikë në Kuvend, si dhe me Presidentin. Kështu që, shpresoj se urtësia do të mbisundojë”, përfundoi Mogerini.
Përndryshe, në takimin me gazetarët ajo tha se gjendja në të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor po komplikohet dhe po përballet me sfida serioze, ndërsa kjo pjesë e Evropës po shndërrohet në terren për loja të mëdha të fuqive globale. Të enjten, Diplomatja e parë e BE do t’i prezantojë perceptimet e saja nga turneu i javës së kaluar nëpër vendet e rajonit, edhe para shefave të shteteve anëtare të BE në Këshillin Evropian.