Pas adresimit të Presidenit Gjorgje Ivanov, dhe vendimit të tij kontrovers për mosdhënien e mandatit për formim të qeverisë Zoran Zaevit , një pjesë e partive reaguan ashpër.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, reagoi në Fejsbuk profilin e tij: “Deklarata e përbashkët” e partive shqiptare në asnjë formë nuk e rrezikon karakterin unitar, as bëhet fjalë për federalizim ose ndarje”.
Ahmeti u bëri thirrje qytetarëve ta ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos binë pre e skenarëve të përgatitura paraprakisht. “Ky është problem politik për të cilin partitë politike dhe institucionet duhet të gjejnë zgjidhje më të mirë për qytetarët”, ka shkruar Ahmeti.
Mbrëmë edhe zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, paralajmëroi se gjatë ditës së sotme, udhëheqësia e BDI-së do të ulet të bisedojë për situatën e re.
“BDI e dënon tentimin që Deklarata e përbashkët e partive politike të kualifikohet si platformë e një shteti tjetër. Platforma Shqiptare nuk u krijua në Tiranë, siç tha Ivanovi. Këtë platformë e kemi krijuar ne, partitë Shqiptare në Maqedoni. Kalimi i krizës në bazë ndëretnike mund të sjellë deri te një situatë katastrofale në shtet”, tha Osmani.
Lëvizja Besa kërkoi nga bashkësia , BE dhe SHBA, të intervenojnë për kthimin e shtetit juridik, si dhe për kthimin e Maqedonisë në rrugën euroatlantike.
Edhe Besa edhe BDI apeluan për qetësi, maturi dhe kujdes të veçantë në këto momente.
“Partia për Prosperitet Demokratik fjalimin e qytetarit Gjorge Ivanov drejtuar kombit me plot urrejtje ndërnacionale dhe porosi shoviniste e cilëson si thellim të mëtejshëm të krizës më të rëndë politike e ekonomike që e përjeton Maqedonia prej shpalljes së pavarësisë e deri në ditët e sodit.
Me këtë rast PPD do të inicojë pranë partive politike shqiptare nënshkrimin e një memorandumi të përbashkët me të cilin qytetari Gjorge Ivanov do të shpallet person i padëshirueshëm për shqiptarët dhe do të kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të tij. Me aktin e refuzimit të mandatit të liderit të LSDM-së Zoran Zaev, përmes arsyetimit naiv dhe foshnjarak dhe refuzimit të Platformës së partive politike shqiptare personi Gjorge Ivanov edhe njëherë dëshmoi se Kushtetuta për të nuk është asgjë dhe se kumtesat e partisë së tij janë ligj dhe kushtetutë.
PPD edhe njëherë ia bënë me dije personit Ivanov se nuk është ai por Gjykata kushtetuese e cila në pajtim me nenin 31 të Ligjit për partitë politike mund të inicojë procedurë ligjore për kushtetutshmërinë e programeve politike të partive politike në Maqedoni dhe sipas kësaj ky person njëherë e përgjithmonë duhet të esullohet dhe ta respektojë Kushtetutën. Partia për Prosperitet Demokratik e fton personin Ivanov të esullohet dhe ti dëgjojë këshillat miqësore të SHBA-ve, të BE-së, Komisarit Hahn dhe përfaqësuesve të shteteve anëtare të BE-së dhe urgjentisht ta korrigjojë vendimit e tij të çoroditur për refuzim të mandatit dhe mandatin t’ia jep Zoran Zaev-it me ç’rast do të zgjidhej qeveria reformatore e cila do ta shpien vendin drejt zgjidhjes së krizës së rëndë” thuhet në reagimin e PPD-së.
Duke u thirrur në Kushtetutën, edhe Partia për Emancipimin e Plotë të Romëve e dënoi aktin e Ivanovit. “Në Nenin 90 nga Kushtetuta e Maqedonisë, qartë qëndron se ai që ka shumicën në Parlament duhet ta fitojë mandatin. Në këtë rast, shumicën e ka LSDM dhe këtu nuk ka dilemë dhe këtu mbarojnë të gjitha kompetencat e tij. Arsyetimi i tij i këtij lloji është në kundërshtim me Kushtetutën e Maqedonisë, sipas partisë tonë, Presidenti bëri puç dhe menjëherë duhet të arrestohet! Në një shtet juridik kjo do të aplikohej menjëherë. Nuk mundet presidenti të merr dhe të sjell vendime jashtë kompetencave të tij. Menjëherë pas arrestimit, duhet të kuptohen arsyet për sjelljen e vendimeve jashtë Kushtetutës së Maqedonisë”, thonë nga PCER.
Mbrëmë, pas deklaratës së Ivanovit, publikut iu adresua lideri i LSDM-së, Zoran Zaevi.
“Gjorgje Ivanov duhet menjëherë ta tërheq vendimin dhe ta dorëzojë mandatin për formim të Qeverisë së re. Nuk guxon ta mohojë Kushtetutën, vullnetin e shumicës së qytetarëve dhe 67 nënshkrimeve. Ivanovi sot bëri puç! Nuk do të lejojmë askush të luajë me interesat e shtetit! U bëjmë thirrje qytetarëve të mbeten të qetë, në vijë me proceset demokratike të cilat çojnë drejt formimit të Qeverisë së re reformatore në Republikën e Maqedonisë”, deklaroi Zaevi.
M.Ivanovska