“Për momentin, të gjithë protestojmë, por nuk e dimë cilit i drejtohemi dhe askush nuk ju përgjigjet kërkesave dhe porosive tona. Kemi deputetë të cilët ka dy muaj që janë zgjedhur dhe qëndrojnë në shtëpi, nuk kemi qeveri, kështu që e tërë situata është tepër absurde dhe e pakuptimtë”, tha në panel diskutimin “Mes çekanit dhe kudhrës: Mediat dhe gazetaria në procesin zgjedhor”, që u mbajt javën e kaluar në organizim të CIVIL-Qendrës për Liri, gazetarja Gordana Duvnjak, redaktore shumëvjeçare në “Nova Makedonija” dhe në “Utrinski vesnik”, duke iu referuar gjendjeve aktuale në mediat e MPM, të cilët nga mesi i muajit të kaluar protestojnë.
Duke e analizuar gjendjen në mediat e Maqedonisë, Duvnjak tha se ato “nuk ka mundësi të jenë më ndryshe nga konteksti i përgjithshëm në shtet…Kjo që po na ndodh në vitet e fundit, është se njerëzit nuk duan të shohin televizion dhe të lexojnë lajme dhe këtë e vlerësojnë si mënyrë të mirë për dekontaminim”.
“Dhe e gjithë kjo ndasi me vite, reflektohet edhe në mediat. Dhe kur bisedoni me dike, kuptoni se gazetaria profesionale është dëm kolateral, ndërsa viteve të fundit nuk ka shumë popullaritet. Për arsye se njerëzit u mësuan dhe kjo ishte pjesë e një strategjie, t’i përjetojnë mediat si dy kampe të ndara futbolli. Dhe tani, disa bëjnë tifo për të kaltrit, tjerët për djelmoshat e kuq. Çdo e vërtetë mbulohet me të vërtetë të kundërt… Dhe ku është këtu informata e vërtetë? Njerëzit do t’u thonë: “Gënjejnë edhe ata edhe këta”. Nuk mundet qytetari i thjeshtë të përcaktojë se cila është e vërteta, sepse servohen dy të vërteta të ndryshme”, vlerësoi Duvnjak.
Ajo i theksoi vështirësitë në punë, gjatë realizimit të angazhimeve profesionale të sigurohet qasje e balancuar në informim gjatë zgjedhjeve.
“Nga partia në pushtet na është thënë se nuk janë të interesuar për media të shtypit. Kështu që, nëse ata nuk janë në mediat elektronike, dhe janë të pranishëm vetëm në disa media miqësore, ndërsa tjerët kanë problem t’i sigurojnë, në mediat e shtypit është edhe më vështirë. Dhe ajo që mund ta pranoni si informatë kthyese, është të keni fat “t’u gjejnë” ndonjë bartës të listës të cilin do ta keni në intervistë”, tha gazetarja Duvnjak.
Kamera: Atanas Petrovski
Montazhi: Monika Taleska