Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit e pritëm si një vend jo i lirë. Për herë të parë në historinë e Maqedonisë pluraliste. Kujt duhet t’ia urojmë “suksesin”?
Ata që për vite vëzhgojnë nga afër situatën e mediave, me të drejtë do të thonë se ajo që këtë vit ka ardhur kurora e merituar, është “arritje”, për të cilën në këto 25 vjet të pavarësisë kanë dhënë “kontribut” të pamohueshëm elitat politike, ekonomike dhe intelektuale, dhe gjithsesi edhe elitat gazetareske. Të gjithë ata meritojnë urime.
Por sigurisht, sado që dëshiron (ose duhet) të jetë ndokush vëzhgues i paanshëm i situatës, nuk duhet të harrojmë se kush ka më së shumti “merita” për këtë “progres”. Dhe ky hero, në mos tjetër, duhet të paktën të emërohet publikisht.
Ky është ai, gjatë sundimit të së cilit filluan të fundosen shpejtë liritë e mediave. Ai i cili për herë të parë mbylli media në Maqedoni. Ai i cili për herë të parë burgosi gazetarë, për atë që ata shkruajnë. Ai, në “kohën e të cilit” rrahja e gazetarëve u bë e zakonshme. Ai, policia sekrete e të cilit ka përgjuar mijëra qytetarë, dhjetëra redaksi dhe gazetarë të shquar.
Ky është ai, që ble mediat me paratë tona. Ai, nën urdhrat e të cilit mediat mbetën të verbër për protestat studentore, Martin Neshkovskin, për bisedat e përgjuara, 24 dhjetorin, grevën e mjekëve … Ai, nën urdhrat e të cilit u “kryqëzuan” publikisht qindra njerëz, figura publike, politikanë, intelektualë, artistë , mjekë, fermerë, sindikalistë, punëtorë të falimentuar – kushdo që guxonte të mendojë dhe flasë ndryshe prej tij. Ai, që ik nga debatet dhe nuk përballet në media më shumë se 10 vjet.
Sigurisht, edhe fëmijët e dinë se kush është ai. Emri i tij është Nikolla Gruevski. Ti, Nikolla Gruevski, je fajtor që Maqedonia është vend pa liri. Ti dhe ‘naçallnikët’, shërbëtorët dhe partnerët e tu jeni fajtorë që nuk kemi shtyp të lirë, dhe liri në përgjithësi.
Prandaj, në këtë 3 Maj, në mos tjetër, ja, ta them me emër, të të bëj një nder. Do të ma kthesh me gëzim. Kur do të vijë liria, e ti do të merresh me gjëra të tjera, në vend që të luash me jetët tona.