Dje, Këshilli Organizativ i protestës me moton ‘’Ndal’’ mbajti pres-konferencë për të shpalosur detajet e organizimit për ditën e nesërme. Protesta do të fillojë sot në ora 14 tek ura e Bit Pazarit, ndërsa do të përfundojë duke marshuar deri tek Kuvendi i Maqedonisë.
Këshilli, i cili përbëhet nga anëtarë të Lëvizjes për Reforma në PDSH-së, Rilindjes Demokratike Kombëtare, Organizatës të Veteranëve të Luftës të UÇK-së dhe të organizatës Illyricum Libertas, u bëri thirrje studentëve dhe unioneve të tyre, shoqërisë civile, organizatave të ndryshme joqeveritare, subjekteve politike shqiptare, çdo shtëpie ku flitet shqip, që fatin e vet ta lidhë me vullnetin e përbashkët.
‘’Ne do të protestojmë kundër obstruksioneve ndaj Prokurorisë Speciale, kundër proceseve të montuara politike, kundër burgosjeve të shqiptarëve, kundër kësaj qeverisjeje, kundër këtij sistemi, kundër këtij statusi, si akt rezistence ndaj regjimit’’, thuhet në deklaratën e Këshillit Organizativ të protestës.