“Do të vijë kur vrasësi nuk do ta dijë pse vran, e as i vrari pse është vrarë”, ka thënë Muhamedi a.s.
Kjo u vërtetua me sulmin e djeshëm vetëvrasës në Bruksel, ku humbën jetën dhjetëra qytetarë, kurse qindra të tjerë qenë lënduar. Pse? Në emër të kujt?
Mendimi i parë që m’u soll në kokë ishte “a janë të gjallë njerëzit që i njoh në Bruksel?” Është e pabesueshme se si brenda sekondash m’u kujtuan të gjithë familjarët e miqtë që jetojnë atje. Menjëherë u kyça në rrjetet sociale për të parë se a janë të gjallë. Qëkur pashë se të gjithë ata që i njoh janë mirë dhe në mesin e tyre nuk ka viktima…, u turpërova prej vetes, sepse u gëzova që viktimat nuk ishin “të afërmit e mi”. E ato viktima ishin fëmijët, gratë, nipërit, motrat a vëllezërit e dikujt…
Pse u turpërova? Sepse si mysliman nuk po bëj sa duhet, nuk po bëj sa duhet për ta ndalur terrorin. Fitova përshtypje se nuk po e praktikoj islamin si duhet, sepse Muhamedi a.s. ka thënë: “Kur njerëzit do të shohin se ndokush po bën dhunë, e nuk duan ta ndalojnë atë, le ta presin dënimin e përgjithshëm që Allahu do t’ua dërgojë!” Në një citim tjetër thuhet: “Gjithsekush prej që do të shohë ndonjë të keqe, le ta parandalojë: së pari me duar, pastaj me gjuhë, e po qe se nuk mundet me duar e me gjuhë, atëherë me zemër!”
Pyetja ime është – sa myslimanët nëpër botë i gjykojnë sulmet terroriste të ISIS-it? Apo nuk duan të ngacmohen me ta për shkak se frikësohen prej tyre? Deri diku i kuptoj, sepse porosia që e përçojnë bishat e ISIS-it është njerëzit të frikësohen prej tyre. Për shembull, po qe se ndokush bën vepër të keq, ai nuk do të frikësohet nga dënimi i Allahut, po të frikësohet nga dënimi i ISIS-it.
Allahu në Librin e Tij të shenjtë thotë: “Kini frikë vetëm prej meje!”, “Unë jam gjykatësi më i drejtë që do t’ju gjykoj në ditën e gjykimit!”, “Kushdo që vret një njeri të pafajshëm është sikur të kishte mbytur gjithë njerëzimin!”… Këto janë një nga dëshmitë se njerëzit nuk duhen të frikësohen nga vrasësit e ISIS-it.
Edhe në kohën e Luftës së Shenjtë (Xhihadit) myslimanët janë sjellë në mënyrë të drejtë ndaj kundërshtarëve të vet. Shembull për këtë është kur në një dyluftim imam Ali ebu Talibi e kishte mposhtur kundërshtarin e vet dhe në çastin kur kishte dashur ta presë me shpatë e kishte kuptuar se atë vrasje nuk do ta kishte bërë me emrin e Zotit, por se do ta bënte ndaj urrejtjes së atij njeriut. Menjëherë më pas e kishte lëshuar shpatën dhe e kishte lëshuar kundërshtarin të ikë e të jetojë.
Mediumet dhe rrjetet sociale janë vërshuar me porosi e mbishkrime për sulmin terrorist në Bruksel. Për fat të keq, porosi të tilla e lot nuk kishte për sulmet terroriste që ndodhën para ca kohe në Ankara e Stamboll. Vallë, për botën sulm terrorist a është vetëm kur do të vdesin jomyslimanë? Vallë, sulmet vetëvrasëse në ndonjë vend mysliman kuptohen si pjesë e “traditës” së tyre? Jo, miq të dashur, sulmet vetëvrasëse në Turqi, Siri, Birmani a diku tjetër në Afrikë nuk janë “traditë” e atij vendi, edhe pse banorët e tyre janë të ekspozuar ndaj shtypjes, torturimit e vdekjes përditë.
Unë nuk dua të jetoj në botë ku hashtagut #JeSuis, #Support, #Pray for… do të duhet t’i shtoj vetëm emër qyteti apo shteti. Nuk dua të ekzistojnë hashtagje të tilla. Dua të ekzistojë hashtagje – siç janë: #love, #bashkëjetesë… Nuk dua të jetoj në shoqëri ku policët janë të armatosur deri në krye dhe ku secili shikim i tyre është gjykim se edhe unë jam terrorist. Mjaft më ishte me lufta të shenjta të ekstremistëve – islamistë e kryqtarë. Na lini të jetojmë!
I pyes ata që miratojnë sulme terroriste se a kanë zemër? Islami nuk është terrorizëm!
Do të përfundoj me thëniet e Muhamedit a.s.: “Bëni xhihad (luftë) me punët tuaja të mira, me epshet tuaja dhe me gjuhët tuaja!”, “Lufta më e mirë – xhihadi më i mirë – është ta thuash të vërtetën para pushtetarit të padrejtë!”