Lidhur me rastin e padive të paralajmëruara nga zyrtarë të lartë të BDI-së ndaj gazetës “Lajm”, reagoi Lëvizja Besa. Sipas klësaj partie, qëllimi i pushtetit është që të kontrollojë mediet dhe ato në vend që të shërbejnë për informimin e publikut, të shndërrohen në altoparlant propagandues për garniturat qeverisëse.
“Ndërkohë, Qeveria VMRO-BDI vazhdon me shpërndarjen e miliona eurove për mediat maqedonase pro qeveritare, ndërsa BDI në vazhdën e përpjekjeve për ngulfatjen e medieve tash së fundmi ka ngritur padi ndaj medies së pavarura, siç është rasti me Gazetën Lajm. Lëvizja BESA dënon ashpër këtë sjellje skandaloze të BDI-së ndaj medieve shqiptare, sidomos kur kemi parasysh se këto kërcënime vijnë nga një parti shqiptare në pushtet, e cila le që nuk ndihmon aspak mediet në shqip, por tenton t’i mbyllë ato me çdo kusht. BESA është e interesuar dhe do të vazhdojë të insistojë për media të lira dhe të pavarura”, thuhet në kumtesën për opinion të kësaj partie.