Gjykimi për 29 të akuzuarit e rastit “Lagjja e Trimave” nesër fillon seancën e parë në Gjykatën Themelore në Shkup. Të akuzuarit do të gjykohen për vepër të terrorizmit dhe rrënim të rendit kushtetues, vepra për të cilat parashihen dënime prej 8, 10 vjetëve dhe burg të përjetshëm. Të akuzuarit do të përgjigjen për sulmet mbi policinë maqedonase që ndodhën më 9 e 10 maj 2015 në lagjen kumanovare “Tode Mendoll” (e njohur si “Lagjja e Trimave”), në të cilat u vranë 8 policë, kurse 50 qenë plagosur.
CIVIL – Qendra për Liri vazhdimisht kërkon nga MPB-ja dhe prej organeve të tjera kompetente t’i sqarojë të gjitha dyshimet që u shfaqën rreth këtij incidenti kontrovers e tragjik. Në veçanti, duke e pasur parasysh kohën kur ndodhi incidenti, para se gjithash në aspekt të krizës së thellë politike, në protestat e qytetareve e qytetarëve të Maqedonisë nëpër gjithë vendin për shkak të brutalitetit policor dhe përmbajtjeve të “bombave” opozitare, ashtu si edhe para mitingut të paralajmëruar protestues për 17 maj, në të cilin dhjetëra mijëra njerëz kërkuan dorëheqjen e Qeverisë.
Për CIVIL-in ishte e papranueshme mënyra e publikimit të informacioneve për numrin e sulmuesve të vrarë në aksion, për shkak se MPB-ja fillimisht kumtoi se kishin qenë vrarë 14 terroristë, kurse Prokuroria Publike më 17 maj njoftoi se ishin vrarë 10 pjesëtarë të grupit terrorist. E këto dy shifra të ndryshme, të kumtuara nga dy institucione, janë ilustrim për (jo)profesionalizmin në kryerjen e detyrës delikate.
Gjithashtu, pas arrestimit të të gjithë të dyshuarve, organet kompetente u akuzuan për torturë ndaj të arrestuarve të dyshuar për terrorizëm. Siç deklaroi Avokati i Popullit Ixhet Memeti, të paraburgosurit kanë qenë të maltretuar dhe të munduar. CIVIL-i edhe atëbotë pati kërkuar prej institucioneve kompetente t’i lejojnë Avokatit të Popullit Memeti t’i vizitojë të arrestuarit në Burgun Hetues në Shuto Orizare, kurse Memeti edhe në koncerencën e sotme për shtyp edhe një herë pohoi se ka dëshmi për maltretim të të arrestuarve nga personat zyrtarë: “Këto konstatime nuk janë të miat, po janë çështje dëshmish verbale e materiale.”
Nga arrestimi e deri më tani të akuzuarit deklaronin se janë të pafajshëm, kurse, sipas mbrojtjes, akuza është e pabazë. Prokuroria pohon se të akuzuarit janë pjesë e grupit që kishte planifikuar e organizuar aktivitete terroriste në Maqedoni, që kishte përfunduar me qërim hesapesh në mënyrë të përgjakshme më 9 e 10 maj.
Marija Tegovska