• Për Civilin
  • Impresum
  • Kontakt
DREJT
  • Ballina
  • POLITIKË
  • MONITORIM
  • EKONOMI
  • MENDIMI I LIRË
  • AKSION
  • BOTA
  • KULTURË
                      
No Result
View All Result
  • Ballina
  • POLITIKË
  • MONITORIM
  • EKONOMI
  • MENDIMI I LIRË
  • AKSION
  • BOTA
  • KULTURË
No Result
View All Result
DREJT
No Result
View All Result
Home DREJTËSI SOCIALE

Ky nuk është apel për lëmoshë, por për arsye të shëndoshë: Lehtësojani jetën njerëzve!

May 20, 2026
in DREJTËSI SOCIALE, EDITORIAL, MENDIMI I LIRË, POLITIKË
Ky nuk është apel për lëmoshë, por për arsye të shëndoshë: Lehtësojani jetën njerëzve!
Share on FacebookShare on Twitter

 

Shkruan: Xhabir Deralla
Kryetar i CIVIL – Qendra për Liri
Kryeredaktor i CIVIL MEDIA

Cilat hapa të thjeshtë, të arsyeshëm dhe menjëherë të zbatueshëm mund t’i ndërmarrin pushteti, institucionet dhe kompanitë e mëdha për ta lehtësuar gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale të qytetareve dhe qytetarëve në këtë vend tashmë të varfër?

Pyetja nuk është teorike. Nuk është as ideologjike. Është çështje e mbijetesës së përditshme. Njerëzit gjithnjë e më vështirë i paguajnë faturat, gjithnjë e më shpesh i shtyjnë kontrollimet mjekësore, hyjnë në borxhe për nevoja themelore, frikësohen nga përmbaruesit, nga shkyçja e rrymës, ujit, telefonit ose internetit, nga humbja e kulmit mbi kokë. Familjet shkurtojnë nga ushqimi, ilaçet, arsimi, ngrohja, transporti… Dhe dinjiteti.

Në këtë gjendje të rëndë në të cilën ndodhet një pjesë e madhe e popullsisë, shteti nuk guxon të sillet si publikanët e pashpirt romakë, ndërsa kompanitë e mëdha nuk guxojnë të sillen sikur jetojnë jashtë shoqërisë nga e cila fitojnë. Kur njerëzit janë të shtyrë pas muri, çdo taksë, çdo kamatë, çdo afat, çdo gjobë dhe çdo faturë bëhet çështje politike, ekonomike dhe morale.

Prandaj, ky nuk është thirrje për lëmoshë. Ky është thirrje për minimum arsyeje, përgjegjësie dhe solidariteti. Pushteti, institucionet dhe kompanitë kanë hapësirë të bëjnë shumë, dhe këtë mund ta bëjnë shpejt, konkretisht dhe pa spektakle PR-i, sepse kjo është puna e tyre.

SHËNDETËSIA DHE FARMACIA

Pushteti duhet t’i subvencionojë plotësisht shërbimet themelore shëndetësore për qytetarët — me zero participim — veçanërisht për njerëzit me të ardhura të ulëta, të sëmurët kronikë, pensionistët, fëmijët, prindërit vetushqyes dhe të papunët. Shëndeti nuk guxon të jetë luks në një shtet social. Askush nuk guxon ta shtyjë kontrollin mjekësor, terapinë, analizën laboratorike ose diagnostikën sepse nuk ka para. Shteti duhet të sigurojë kujdes shëndetësor që është vërtet i qasshëm, jo vetëm formalisht i garantuar në letër.

E njëjta gjë duhet të vlejë edhe për ilaçet. Shteti duhet t’i subvencionojë ilaçet e domosdoshme, veçanërisht për qytetarët socialisht të cenueshëm dhe për njerëzit me sëmundje kronike. Për ata që çdo muaj zgjedhin mes produkteve themelore ushqimore, faturave dhe shëndetit, trajtimi mjekësor duhet të jetë falas. Shëndeti nuk guxon të varet nga ajo nëse dikush ka para në xhep ditën kur sëmuret.

Një sistem që i detyron njerëzit e varfër të zgjedhin mes bukës dhe ilaçeve nuk është sistem shëndetësor, por mekanizëm i padrejtësisë së ashpër sociale.

STUDENTËT

Pushteti duhet urgjentisht ta përmirësojë standardin studentor. Studentët duhet të vendosen në hotele dhe kapacitete të tjera të përshtatshme, me shpenzime të shtetit, derisa të sanohen dhe rinovohen konviktet studentore, siç kërkoi CIVIL në komunikatën e publikuar më 13 maj, ndaj së cilës, fjalë për fjalë, askush nuk reagoi.

Shfaqja e minjve, mungesa e ujit të ngrohtë, ashensorët jofunksionalë, vonesat e bursave dhe qëndrimi i papërgjegjshëm i institucioneve nuk janë incidente të izoluara, por pasqyrë e neglizhencës sistemike ndaj të rinjve. A duhet vërtet të shpjegohet veçanërisht se studentët nuk guxojnë të jetojnë në kushte të pasigurta, johigjienike dhe të padenja?

Institucionet kompetente duhet menjëherë të shpallin afate konkrete për sanim, plan të qartë për rinovim, qasje publike në shpenzime dhe pagesë në kohë të bursave. Standardi studentor nuk është zë dytësor në buxhet, por investim në të ardhmen e vendit. Një shtet që kërkon nga të rinjtë të mbeten, të studiojnë dhe ta ndërtojnë të ardhmen këtu, së pari duhet t’u sigurojë minimum dinjiteti sot.

 

TË DREJTAT E PUNËTORËVE, PËRGJEGJËSIA DHE SOLIDARITETI I KOMPANIVE

Sidomos ofruesit e mëdhenj të shërbimeve mund të tregojnë përgjegjësi dhe solidaritet me përdoruesit e tyre. Operatorët telefonikë, internet-ofruesit, kompanitë e energjisë elektrike dhe ndërmarrjet e ujësjellësit mund t’i ulin çmimet e shërbimeve, t’i zgjasin afatet për pagesën e faturave të prapambetura dhe të mos e faturojnë rilidhjen. Në kohë varfërie, shkyçja nga shërbimet themelore nuk guxon të jetë reagimi i parë.

Kompanitë duhet të ndërmarrin hapa të vërtetë drejt përgjegjësisë shoqërore. Kjo do të thotë t’i mbështesin organizatat qytetare, mediat e pavarura dhe interesin publik sinqerisht, pa kalkulime, pa filtra politikë dhe pa diskriminim. Përgjegjësia shoqërore nuk është zbukurim në raportin vjetor, por mbështetje konkrete aty ku është më e nevojshme.

Kompanitë, sidomos ato më të mëdhatë, duhet të tregojnë respekt dhe përgjegjësi ndaj punëtorëve të tyre: pagesë të rregullt të pagave, respektim të të drejtave të punëtorëve, kontrata të drejta, fleksibilitet për prindërit dhe njerëzit me probleme shëndetësore, si dhe mbështetje për punëtorët më pak të paguar. Fitimi nuk guxon të krijohet në kurriz të shëndetit dhe dinjitetit të punëtorëve.

ÇMIMET NË SUPERMARKETE

Supermarketet duhet të tregojnë përmbajtje dhe përgjegjësi: të mos i rrisin çmimet pa arsye reale dhe, sa herë që është e mundur, të sigurojnë zbritje. Shteti, nga ana tjetër, duhet t’i ulë dhe t’i ngrijë çmimet e produkteve themelore ushqimore, si dhe të produkteve për kujdesin dhe ushqimin e foshnjave.

Vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet produkteve që pothuajse çdo familje i blen çdo ditë: buka, qumështi, vaji, mielli, vezët, orizi, makaronat, mishi, perimet, pemët, produktet themelore higjienike, mjetet për pastrim, pelenat, ushqimi për foshnja dhe produkte të tjera të domosdoshme. Ato nuk guxojnë të bëhen hapësirë për përfitim të heshtur mbi kurrizin e njerëzve që edhe ashtu mezi e arnojnë buxhetin familjar.

Nëse zinxhirët tregtarë mund të zhvillojnë çdo ditë fushata të ndërlikuara marketingu, programe besnikërie, aksione dhe zbritje për produkte që nuk janë të domosdoshme, atëherë mund të sigurojnë edhe zbritje të vërteta, të rregullta dhe qartë të dukshme për produktet themelore. Zbritja e një produkti luksoz nuk i ndihmon një familjeje të varfër. Zbritja e bukës, qumështit, pelenave, vajit ose ilaçit i ndihmon menjëherë.

Shteti duhet të vendosë monitorim të rregullt të çmimeve dhe marzheve për produktet themelore, me të dhëna publike dhe me sanksione për keqpërdorime, zbritje të rreme dhe rritje të pajustifikuara të çmimeve. Ngrirja ose kufizimi i çmimeve nuk guxon të jetë masë kaotike, afatshkurtër dhe mediatike, por pjesë e një mbrojtjeje të menduar mirë të standardit jetësor.

Në të njëjtën kohë, duhet pasur kujdes që masat të mos i godasin dyqanet e vogla dhe prodhuesit vendorë më shumë se zinxhirët e mëdhenj tregtarë. Përgjegjësia duhet të jetë më e madhe aty ku është më e madhe fuqia në treg. Marketet e mëdha dhe distributorët kanë hapësirë të absorbojnë një pjesë të barrës. Qytetarët e varfër dhe dyqanet e vogla nuk e kanë këtë hapësirë.

AKCIZAT

Pushteti duhet t’i ulë vërtet akcizat për karburantet, e jo ta shndërrojë këtë në mesazh marketingu pa efekt real për qytetarët. Karburantet ndikojnë mbi çmimet e transportit, ushqimit, shërbimeve dhe pothuajse mbi të gjitha shpenzimet e jetës së përditshme.

Kur karburantet janë të shtrenjta, shtrenjtohet transporti deri në punë, deri në shkollë, deri në fakultet, deri te mjeku. Shtrenjtohet shpërndarja e ushqimit dhe mallrave. Shtrenjtohet prodhimi bujqësor, transporti ndërurban, transporti publik, shërbimet, madje edhe produktet më themelore në raftet e dyqaneve. Prandaj akcizat për karburantet nuk janë zë i izoluar buxhetor, por faktor i drejtpërdrejtë në koston e jetesës.

Ulja e akcizave duhet të jetë reale, e matshme dhe qartë e përcaktuar në kohë, me detyrim që efekti të bartet deri te përdoruesit fundorë. Nëse shteti heq dorë nga një pjesë e të ardhurave, ndërsa çmimet mbeten pothuajse të njëjta për shkak të marzheve, ndërmjetësve ose manipulimeve, atëherë qytetarët përsëri do të jenë të mashtruar. Prandaj kjo masë duhet të shoqërohet me mbikëqyrje transparente mbi formimin e çmimeve.

Mbështetje të veçantë duhet të marrin transporti publik dhe ndërurban, bujqit, transportuesit e vegjël, shpërndarësit dhe shërbimet që ndikojnë drejtpërdrejt mbi nevojat themelore të qytetarëve. Ulja e akcizave nuk duhet të jetë dhuratë për lojtarët më të mëdhenj, por instrument për uljen e shpenzimeve që i paguajnë qytetarët.

Shteti duhet ta kuptojë se çdo denar më shumë për karburant shpesh bëhet disa denarë më shumë në çmimin e ushqimit, transportit dhe shërbimeve. Prandaj ulja e vërtetë e akcizave mund të ketë efekt më të gjerë: shpenzime më të ulëta të transportit, më pak presion mbi çmimet, lëvizje më të lehtë të njerëzve dhe mallrave, dhe më shumë para që mbeten në buxhetet familjare.

LEHTËSIMI I PROCEDURAVE

Shteti duhet t’i thjeshtojë rrënjësisht procedurat për qasje në ndihmë sociale, mbështetje shëndetësore, kujdes nga person i tretë dhe të drejta të tjera që në letër u takojnë qytetarëve. Të marrësh ndihmë shtetërore për kujdes nga person i tretë sot është përpjekje sizifiane: komisione, dokumente, pritje, burokraci, poshtërim. Ky është vetëm një shembull se si funksionon sistemi. Në letër, sipas Kushtetutës dhe ligjeve, jetojmë në shtet social. Në realitet, ky është një labirint kafkian në të cilin më të cenueshmit dhe më të varfrit më së vështiri arrijnë deri te të drejtat që u takojnë.

Duhet të niset nga një rregull i thjeshtë: nëse institucioni tashmë e ka një të dhënë të caktuar, qytetari nuk ka pse ta sjellë përsëri në letër nga një institucion tjetër. Certifikatat, vërtetimet, dëshmitë, fletëpronësitë, të dhënat nga librat amzë, DAP-i, kadastra, fondet dhe ministritë duhet të shkëmbehen ndërmjet institucioneve, e jo të shndërrohen në barrë për qytetarët.

Taksat administrative për dokumentet dhe shërbimet themelore duhet të ulen ose të hiqen plotësisht për qytetarët socialisht të cenueshëm, pensionistët, studentët, të papunët, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet me të ardhura të ulëta. Shteti nuk mund t’u kërkojë njerëzve të varfër të paguajnë për të dëshmuar se janë të varfër, të sëmurë, të papunë ose në rrezik.

Procedurat duhet të jenë të shpejta, të qarta dhe të qasshme, me formularë të thjeshtë, afate të qarta, dorëzim elektronik aty ku është e mundur dhe detyrim që institucionet të përgjigjen brenda një afati të arsyeshëm. Nëse qytetari ka afat, duhet të ketë afat edhe institucioni. Heshtja e administratës nuk guxon të jetë dënim për qytetarët.

Veçanërisht e rëndësishme është të vendoset një parim i vërtetë i “një vendi” për shërbimet themelore. Qytetari nuk duhet të shkojë nga sporteli në sportel, nga institucioni në institucion, për të realizuar një të drejtë që tashmë i takon me ligj. Sistemi duhet t’u shërbejë njerëzve, e jo njerëzit t’i shërbejnë sistemit dhe vazhdimisht të dëshmojnë diçka që vetë sistemi tashmë duhet ta dijë.

Lehtësimi i procedurave nuk është vetëm çështje teknike. Është çështje dinjiteti, barazie dhe besimi në institucione. Sa më i varfër të jetë njeriu, aq më rëndë e përballon çdo ditë të humbur, çdo dokument shtesë, çdo taksë dhe çdo “ejani nesër”. Prandaj thjeshtimi i administratës është masë e drejtpërdrejtë sociale.

PAKET SOLIDAR

Komunat mund të krijojnë fonde lokale për ndihmë urgjente për familjet në rrezik – për faturat e papaguara, trajtim mjekësor, shpenzime shkollore, ngrohje, ushqim, transport ose strehim të përkohshëm.

Kjo nuk duhet të jetë lëmoshë e njëhershme, as shpërndarje partiake ose parazgjedhore e ndihmës, por masë e qartë, transparente dhe e kufizuar në kohë për njerëzit që më së vështiri i përballojnë goditjet e çmimeve. Ndërhyrjet e vogla, të thjeshta dhe të shpejta mund të parandalojnë tragjedi të mëdha njerëzore.

Fondet lokale duhet të jenë të qasshme për familjet që përballen me rrezikun e shkyçjes së rrymës, ujit, ngrohjes, internetit ose telefonit; për prindërit që nuk mund të sigurojnë materialet themelore shkollore për fëmijët; për njerëzit që duhet të paguajnë ilaçe, terapi ose diagnostikë; për familjet që janë para dëbimit; për prindërit vetushqyes, pensionistët, të papunët dhe punëtorët me të ardhura të ulëta.

Ndihma duhet të jetë e shpejtë. Një familje që nesër mund të mbetet pa rrymë, ngrohje ose kulm mbi kokë nuk mund të presë tre muaj për komision, procesverbal, dokumentacion shtesë dhe “do t’ju njoftojmë”. Nëse kriza është urgjente, edhe përgjigjja institucionale duhet të jetë urgjente.

Prandaj procedurat duhet të jenë të thjeshta: kërkesë e shkurtër, verifikim bazë, kritere të qarta, afat për përgjigje dhe pagesë ose mbulim i drejtpërdrejtë i shpenzimit. Aty ku është e mundur, komuna mund të paguajë drejtpërdrejt një pjesë të faturës, shpenzimit shkollor, trajtimit mjekësor, transportit ose strehimit të përkohshëm, në vend që qytetarët të shtyhen në borxhe të reja.

Fondet e tilla duhet të jenë publike dhe transparente, por pa poshtërimin e njerëzve që kërkojnë ndihmë. Duhet të publikohen shumat e përgjithshme, kriteret dhe numri i familjeve të mbështetura, por jo edhe histori personale të kthyera në material PR-i. Varfëria nuk guxon të jetë skenografi për vetëlavdërime politike.

Komunat mund t’i financojnë këto fonde duke shkurtuar shpenzimet joproduktive: reprezentacionet, festimet, fushatat reklamuese, furnizimet e panevojshme, udhëtimet luksoze dhe shpenzimet e motivuara partiakisht. Nëse ka para për banerë, kokteje, automjete zyrtare dhe vetëpromovim, duhet të ketë para edhe për një familje që nuk mund të paguajë rrymën, ilaçet ose nevojat shkollore.

Në një paketë të tillë solidare mund të përfshihen edhe kompanitë lokale, bankat, supermarketet, farmacitë, transportuesit dhe organizatat qytetare. Por kjo duhet të organizohet ndershmërisht, pa diskriminim, pa lista partiake dhe pa kushtëzime. Ndihma duhet të shkojë aty ku nevoja është më e madhe, jo aty ku përfitimi politik është më i dukshëm.

Kjo është masë që mund të vendoset menjëherë. Nuk kërkon reforma të mëdha, por vendim, fond, kritere dhe njerëzi. Ndonjëherë disa mijëra denarë ose një faturë e paguar bëjnë dallimin mes një krize që tejkalohet dhe një katastrofe familjare që lë pasoja për vite.

TRANSPORT PUBLIK DHE PRIVAT I SUBVENCIONUAR

Shteti dhe komunat duhet ta subvencionojnë transportin publik, privat dhe ndërurban për nxënësit, studentët, pensionistët, të papunët dhe njerëzit me të ardhura të ulëta. Shpenzimi i transportit është barrë serioze për shumë familje, sidomos për ata që çdo ditë udhëtojnë deri në punë, shkollë, fakultet, mjek ose institucion.

Transporti nuk është luks, por kusht për qasje në arsim, punë, kujdes shëndetësor dhe shërbime themelore. Kur njerëzit nuk kanë para për transport, ata jo vetëm që mbeten në shtëpi, por mbeten të shkëputur nga mundësitë, të drejtat dhe institucionet.

Veçanërisht e rëndësishme është të subvencionohet edhe transporti ndërurban, sepse shumë qytetarë jetojnë në një vend, ndërsa punojnë, studiojnë, trajtohen ose kryejnë obligime administrative në një tjetër, më saktë në kryeqytet. Për ta, udhëtimi i përditshëm është shpenzim që e gërryen drejtpërdrejt pagën, pensionin ose buxhetin familjar.

Kjo masë nuk do të nënkuptonte vetëm lehtësim financiar për qytetarët, por edhe mobilitet më të madh, qasje më të mirë në punë dhe arsim, më pak izolim social dhe ekonomi lokale më të fuqishme.

RIPROGRAMIMI I BORXHEVE DHE KUFIZIMI I SHPENZIMEVE TË PËRMBARIMIT

Nevojitet një masë urgjente për vendosjen e një minimumi të mbrojtur të të ardhurave që nuk guxon të jetë objekt i përmbarimit. Edhe kur ka borxhe, njeriu duhet të ketë mjete për ushqim, ilaçe, fatura dhe jetë dinjitoze.

Nevojitet një vendim i qartë me të cilin pushteti do t’i mbrojë njerëzit nga humbja e shtëpisë së vetme gjatë arkëtimit të detyrueshëm të borxheve. Askush nuk guxon të mbetet pa kulm mbi kokë për shkak të një borxhi që mund të zgjidhej me riprogramim, mbrojtje sociale ose ndërhyrje të arsyeshme institucionale. Borxhet duhet të arkëtohen, por jo me çmimin e dinjitetit njerëzor dhe katastrofës jetësore.

Duhet të kufizohen kamatat, kamatat ndëshkuese dhe shpenzimet e përmbarimit. Shpesh borxhi kryesor është më i vogël se shpenzimet që grumbullohen rreth tij. Kjo i shtyn njerëzit në një spirale borxhesh nga e cila vështirë dilet.

Mund të mundësohet menjëherë riprogramimi i borxheve me kushte të drejta. Shteti, komunat, ndërmarrjet publike, bankat dhe kompanitë mund të ofrojnë plane reale për shlyerje, pa poshtërim, kërcënime dhe shpenzime shtesë.

ULJA E TVSH-së

Duhet të ulet TVSH-ja për produktet dhe shërbimet themelore, veçanërisht për ushqimin, produktet higjienike, ilaçet, materialet shkollore, produktet për foshnja dhe energjensët për amvisëritë. Kjo nuk guxon të jetë masë kozmetike që do të humbet në marzhet e tregtarëve, por ulje reale që qytetarët do ta ndiejnë menjëherë, në arkë dhe në fatura.

Shteti duhet të sigurojë mekanizëm të qartë me të cilin TVSH-ja e ulur vërtet do të përkthehet në çmime më të ulëta, e jo në profit shtesë për zinxhirët tregtarë ose ndërmjetësit. Nëse ulet tatimi, duhet të ulet edhe çmimi. Në të kundërtën, masa bëhet edhe një mashtrim mbi kurrizin e qytetarëve.

Mbrojtje të veçantë duhet të kenë produktet pa të cilat nuk mund të jetohet me dinjitet: buka, qumështi, vaji, mielli, vezët, produktet themelore higjienike, ilaçet, pelenat, ushqimi dhe produktet për foshnja, pajisjet shkollore dhe energjensët për amvisëritë. Në një vend të varfër, shteti nuk guxon të fitojë më së shumti pikërisht nga nevojat themelore të njerëzve.

Ulja e TVSH-së për produktet dhe shërbimet themelore është masë e drejtpërdrejtë kundër varfërisë. Ajo u lë më shumë para qytetarëve për ushqim, ilaçe, fatura, transport dhe arsim, ndërsa njëkohësisht e nxit konsumin dhe e lëviz ekonominë. Bëhet fjalë për logjikë elementare ekonomike dhe sociale në kushte krize dhe varfërie.

ULJA E DETYRIMEVE NË NDËRMARRJET E VOGLA DHE TË MESME

Pushteti duhet t’i ulë detyrimet për të punësuarit në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ndërsa në sektorët më të cenueshëm t’i heqë përkohësisht plotësisht. Me këtë do të lehtësohej gjendja e punëdhënësve, do të ulej presioni mbi pagat dhe do të dekurajohej ekonomia gri, pagesa me para në dorë dhe puna e padeklaruar. Nëse shteti dëshiron ekonomi formale, duhet ta bëjë punën formale të mundshme, të leverdishme dhe të drejtë.

Institucionet duhet të vendosin procedura të thjeshta dhe të shpejta për qasje në ndihmë sociale, subvencione, shërbime shëndetësore dhe mbështetje arsimore. Qytetarët nuk guxojnë të ndëshkohen me labirinte dokumentesh, sportelesh, komisionesh dhe kushtëzimesh të pamundura burokratike pikërisht atëherë kur e kanë më së vështiri.

VULLNET POLITIK, NJË VENDIM QEVERITAR, NJË SEANCË PARLAMENTARE – DHE JETA DO TË BËHET MË E LEHTË PO ATË DITË

E gjithë kjo nuk duhet të jetë masë për reklamë politike, por masë për lehtësim ekonomik. Qytetarët nuk jetojnë nga komunikatat qeveritare, por nga ajo sa para u mbeten pasi të paguajnë ushqimin, faturat, transportin, ilaçet dhe karburantin.

Me këto dhe masa të ngjashme — ka edhe të tjera — pushteti dhe kompanitë e mëdha do të tregojnë se kanë ndjeshmëri për vështirësitë me të cilat përballen njerëzit. Por efekti nuk do të jetë vetëm social. Ekonomia do të lëvizë, tatimet, edhe pse të ulura, do të fillojnë të paguhen më rregullisht, do të ulet ekonomia gri, ndërsa buxheti i shtetit do të fitojë bazë tatimore më të gjerë dhe më të qëndrueshme. Në vend që të shtypen të njëjtët qytetarë dhe firma të varfëruara deri në rraskapitje, shteti do të nxisë më shumë njerëz dhe kompani të punojnë ligjërisht, të deklarojnë të ardhura, të paguajnë detyrime dhe të mbeten aktivë në ekonomi.

Efekt shtesë do të jetë ulja e shpenzimeve për krizat sociale. Kur njerëzit nuk humbin shtëpinë, shëndetin, punën ose qasjen në shërbimet themelore, shteti më vonë nuk duhet të shpenzojë edhe më shumë për t’u përballur me pasojat: varfëri, borxhe, sëmundje, shpërngulje, kriza familjare dhe paqëndrueshmëri sociale. Parandalimi është më i lirë se riparimi i dëmit.

Edhe kompanitë në afat të gjatë do të kenë përfitim nga përdorues më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe më pak të zhytur në borxhe. Kur qytetarët kanë të paktën një hapësirë minimale për të marrë frymë, ata më lehtë i paguajnë faturat, mbeten përdorues besnikë, blejnë më shumë, më rrallë hyjnë në borxhe dhe më rrallë shkyçen nga sistemi. Për kompanitë, kjo do të thotë më pak kërkesa të pashlyera, më pak shpenzime për arkëtim të detyrueshëm, më pak klientë të humbur dhe reputacion më i mirë.

Të mos gënjejmë veten: për pjesën më të madhe të këtyre masave nuk duhen vite strategjish, komisionesh të pafundme, debate dhe “analiza të thelluara”. Nevojitet vullnet politik, një vendim qeveritar, një procedurë urgjente parlamentare dhe një ditë që shteti të bëjë diçka që menjëherë – po atë ditë – do t’ua lehtësojë jetën njerëzve.

Edhe një herë: kjo nuk është kërkesë për lëmoshë. Kjo është thirrje për arsye të shëndoshë ekonomike. Mbajeni mend, ka edhe nesër. Nuk duhet t’i bëni të gjitha paratë sot, veçanërisht jo mbi kurrizin e njerëzve që mezi mbijetojnë. Më pak presion mbi qytetarët sot mund të nënkuptojë buxhet më të qëndrueshëm, kompani më të qëndrueshme dhe shoqëri më rezistente nesër.

Hajde, patriotë, nëse jeni: bëni diçka të mirë për shtetin, lehtësojani jetën njerëzve.

 


SHËNIM I RËNDËSISHËM: Ky tekst dhe masat e propozuara në të përfaqësojnë qëndrim autorial dhe bazë për veprim të mëtejshëm publik, mediatik dhe qytetar të CIVIL – Qendra për Liri. Organizata e inkurajon debatin publik, mbështetjen, bashkëpunimin dhe përcjelljen e përgjegjshme të këtyre ideve në interes publik, me citim korrekt të autorit, CIVIL-it dhe burimit origjinal.

Për ide, propozime për mbështetje dhe veprim të përbashkët, na kontaktoni në info@civil.mk.

Please login to join discussion

  • Ballina
  • Bibliotekë digjitale
  • Cart
  • Checkout
  • Facebook Demo – Customizer
  • FJALORI I GJELBËR
  • Home
  • Home(Ballina)
  • Impresum
  • Instagram Demo – Customizer
  • Kontakt
  • My account
  • Për CIVIL
  • Shop
  • Subscription

© 2021 CIVIL - Center For Freedom

No Result
View All Result
  • POLITIKË
  • MONITORIM
  • EKONOMI
  • MENDIMI I LIRË
  • AKSION
  • BOTA
  • KULTURË
  • Për Civilin
  • Impresum
  • Kontakt

© 2021 CIVIL - Center For Freedom