Dita e të Drejtave të Njeriut na kujton se demokracia nuk mbijeton vetvetiu; ajo qëndron falë angazhimit aktiv dhe vigjilencës së qytetarëve. Në një kohë luftrash, dezinformatash dhe sulmesh serioze ndaj lirive, heshtja bëhet hapësirë në të cilën padrejtësia rritet. Ukraina vazhdon të luftojë për të drejtën e saj për liri dhe jetë me dinjitet, ndërsa vuajtjet e civilëve në Gaza tregojnë për një krizë të thellë të njerëzimit dhe përgjegjësisë së bashkësisë ndërkombëtare.
“Heshtja përballë krimeve masive është bashkëfajësi”, thekson CIVIL-i në video adresim.
Këto ngjarje janë sinjal i qartë se të drejtat e njeriut janë të cenueshme kudo ku mungon guximi për të reaguar. Kur institucionet janë nën presion dhe propaganda e errëson të vërtetën, CIVIL-i porosit se proceset demokratike mund të mbrohen vetëm nga qytetarë aktivë, të informuar dhe të përgjegjshëm. Mbrojtja e lirisë nuk është një akt i vetëm, por një përkushtim i përditshëm për t’u përballur me padrejtësinë, korrupsionin dhe dhunën.
Kjo ditë është një kujtesë se secili prej nesh ka rol në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Nuk duhet të qëndrojmë mënjanë kur këto të drejta rrezikohen, por të mbrojmë vlerat që ndërtojnë një të ardhme të drejtë dhe të lirë. Vetëm kështu mund ta ruajmë njerëzinë dhe t’i forcojmë themelet e demokracisë — thuhet në kumtesën e CIVIL-it me rastin e Ditës së të Drejtave të Njeriut.
Dita e të Drejtave të Njeriut 2025: Kur Demokracia Është nën Sulm, Heshtja është Bashkëfajësi


