CIVIL – Qendra për Liri, si organizatë për të drejtat e njeriut, shpreh dënimin më të thellë ndaj urisë masive në Gaza, ku popullata tashmë ndodhet në fazën e pestë dhe më të rëndë të kequshqyerjes akute (Faza 5 e IPC – “katastrofë”), sipas vlerësimeve ndërkombëtare. Uria nuk është më një kërcënim – por një realitet i pamëshirshëm, me shumë raste vdekjesh të regjistruara nga uria, përfshirë fëmijë. Gjenocidi ka marrë një fytyrë të re – URINË MASIVE.
Sipas raporteve të fundit nga Kombet e Bashkuara dhe autoritetet shëndetësore lokale:
Më shumë se 59.000 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i konfliktit në tetor 2023.
Të paktën 111 persona – nga të cilët të paktën 80 fëmijë – kanë vdekur drejtpërdrejt nga uria.
Vetëm brenda 24 orëve, janë regjistruar 15 raste të reja vdekjeje nga kequshqyerja, mes tyre 4 fëmijë.
Më shumë se 1.000 persona janë vrarë ndërsa përpiqeshin të siguronin ndihmë humanitare ose ushqim.
Spitalet janë të mbingarkuara, dhe mjekët rrëzohen nga rraskapitja duke u përpjekur të shpëtojnë jetë.
E gjithë jeta civile në Gaza është nën kërcënim ekzistencial. Me kufizimin sistematik të qasjes në ushqim, ujë dhe ilaçe, popullsia civile – veçanërisht fëmijët – është lënë pa mjete bazë për mbijetesë. Kjo përbën shkelje masive të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të Konventave të Gjenevës.
CIVIL-i i bën thirrje urgjente bashkësisë ndërkombëtare dhe të gjitha institucioneve ndërkombëtare për:
Hapje urgjente të korridoreve humanitare për furnizim të papenguar me ushqim, ujë dhe ndihmë mjekësore.
Garantimin e qasjes së sigurt për organizatat humanitare dhe ekipet e tyre në terren.
Ndërprerje e të gjitha sulmeve ndaj objektivave civile, përfshirë spitalet, depot ushqimore dhe qendrat e shpërndarjes.
Mobilizim urgjent të mbështetjes humanitare ndërkombëtare dhe financim për organizatat që veprojnë në terren.
Presion ndaj të gjitha palëve të përfshira për të respektuar të drejtën ndërkombëtare, në veçanti detyrimin për mbrojtjen e popullsisë civile.
Çdo ditë vonesë do të thotë jetë të humbura. Bota duhet të veprojë menjëherë – jo vetëm për solidaritet humanitar, por për shpëtimin e jetëve njerëzore!
CIVIL-i i bën thirrje publikut, organizatave qytetare, mediave dhe liderëve politikë të ngrejnë zërin dhe të bashkohen në presionin për veprim të menjëhershëm.
CIVIL


