Komandanti, zëvendëskomandanti, udhëheqësi i turnit, si dhe gjashtë policë janë arrestuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare në aksionin e mbrëmshëm policor në vendkalimin kufitar “Tabanoc”, konfirmoi sot në një konferencë për media ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, transmeton Portalb.
“Lufta kundër korrupsionit është synim strategjik. Të punësuar në institucionet publike kur merrni masa në fushën e korrupsionit nuk mund të përjashtoni veten, një nga synimet është forcimi i integritetit të punonjësve të policisë, ajo që ndodhi dje është pjesë e asaj. Dje kemi pasur 9 persona të arrestuar, këtë e ka bërë Departamenti për parandalimin e krimit të organizuar, keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe ryshfetit nga Tabanoci. Komandanti, zv/komandanti dhe 6 oficerë policie. Janë kryer bastisje, si dhe bastisjepersonale në banesat e tyre për gjetjen e lëndëve me origjinë nga veprat penale, po punohet për procedurën e mëtejshme për këtë rast dhe sigurisht kjo është pjesë e aktiviteteve për luftën kundër korrupsionit”, tha ministri Spasovski.
Në VK “Tabanoc” ka pasur aksion të Ministrisë së Punëve të Brendshme në koordinim me Prokurorinë Themelore publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Për shkak të aksionit që po zhvillohej në pikën kufitare, ka pasur ndalesë disa orëshe dhe një varg të gjatë automjetesh.