Më 7.12.2022, Ambasada e Rusisë në Maqedoninë e Veriut shpërndau fotografi me tekst për përzgjedhjen e Zelenskit si “person i vitit” nga “Time”. Zelenski akuzohet se “nuk ka përmbushur premtimet zgjedhore për paqe, ka vendosur vendin e tij nën sundim të huaj, provokon qëllimshëm fqinjët, e zgjat proksi luftën perëndimore me Rusinë në kurriz të qytetarëve të tij”, etj, raporton Alsat.mk.
Por këto akuza nuk janë të bazuara në fakte dhe janë absurde. Është absurde që Rusia fajëson Zelenskin për mospërmbushje të premtimit për paqe, kur mu Rusia po kryen agresion ushtarak kundër Ukrainës, duke përfshirë edhe sulmin e dështuar mbi kryeqytetin Kiev.
Është gjithashtu absurde akuza se Zelenski e vendos Ukrainën nën sundim të huaj dhe se po “provokon qëllimshëm fqinjët”, kur është mu Rusia ajo që pushton pjesë të Ukrainës fqinje dhe i vendos ato nën sundimin e saj.
Nuk është më pak absurde edhe akuza se Zelenski po “zgjat proksi luftën perëndimore me Rusinë”. Është Rusia ajo që po zgjat agresionin ushtarak kundër Ukrainës, edhe atë në kurriz të qytetarëve të saj – me 300 mijë ushtarë rusë të sapomobilizuar.
Me akuza të pavërteta, propaganda ruse përpiqet të vërë në pikëpyetje vizionin e revistës TIME për “Personin e Vitit”. Por harron se edhe Putini, si dhe presidentë tjerë rusë, janë zgjedhur si person i vitit nga kjo revistë.
Në shkrimin për Zelenskin si “person i vitit”, TIME shkruan: “Qëllimi i Rusisë në fillim të invazionit ishte të vriste ose kapte Zelenskin dhe t’i heqë kokën qeverisë së tij”.
Por presidenti ukrainas i mbijetoi sulmit dhe tani po merr çmime për person të vitit, jo vetëm nga Time, por edhe nga media të tjera të njohura.
Duket qartë se Rusia nuk ia arriti qëllimit, e tani vazhdon të sulmojë Zelenskin. Por këto sulme i vlerësojmë si dezinformata, sepse nuk janë të bazuara në fakte, shkruan Alsat.mk.