Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka folur sot me rastin e përkujtimit të 90 vjetorit të Vdekjes me uri në Ukrainë (1932-1933). Kuvendi sot ishte nikoqir i ekspozitës “Ukraina kujton, bota njeh” për të përkujtuar viktimat e Vdekjes me uri në Ukrainë.
Më lejoni që krahas asaj që Ju uroj mirëseardhje në emër të deputetëve në Kuvend dhe në emrin tim personal, të drejtohem te Ju edhe me apel për mirëkuptim sepse jam i bindur se pas kësaj, askush nuk do të mbetet indiferent ndaj kësaj tragjedie njerëzore dhe ndaj kësaj periudhe në të cilën është humbur edhe pikëtakimi më i vogël me atë që do të thotë të jesh – njeri. Çka do të thotë të duash, të çmosh dhe të vlerësosh jetën e njeriut. Çdo jetë! Për arsye se, nuk ka jetë njerëzore më pak apo më shumë të vlefshme, nuk ka jetë njerëzore më pak apo më shumë të rëndësishme. Ka njerëz të mirë dhe njerëz të këqij. Në parim, gjithmonë është më e vështirë rruga që e kalon lufta e të mirës kundër të keqes. Por, ajo që na dallon dhe na jep fuqi të qëndrojmë në atë rrugë me gjemba është vullneti i fortë, besimi dhe shpresa se kemi nxjerrë mësim nga e kaluara dhe kemi luftuar në të gjitha mënyrat e mundshme që mos përsëriten ato gabime edhe në të ardhme. Mendimi se kemi kontribuuar në ndryshimin e diskursit dhe pikërisht ne kemi qenë ndryshimi, pa hezitim! Për fat të keq, historia përsëritet sërish! Tani me mjete tjera, megjithatë në parim, qëllimi është i njëjtë dhe ai nuk është aspak human. Të nënshtrohen Ukraina dhe ukrainasit në të gjitha mënyrat e mundshme, a edhe agresori është i njëjtë! Dhe, ajo që është akoma më e jologjikshme, bëhet fjalë për vend anëtar i Këshillit të Sigurisë, që është një nga gjashtë trupat kryesorë të Kombeve të Bashkuara, dhe konkretisht i ngarkuar për sigurimin e paqes dhe sigurisë botërore.
Botës i duheshin plotë 90 vite të pranojë në nivel të qeverive dhe parlamenteve të një numri të madh të botës demokratike se Vdekja me uri është akt gjenocidi e Parlamenti Evropian më 23 tetor të vitit 2008 miratoi Rezolutë me të cilën e pranon Vdekjen me uri si krim kundër njerëzimit. Kjo nuk mjafton! Krim apo gjenocid, kjo doemos emëruar dhe bërtitur aq zëshëm që të kumbojë dhe të lë gjurmë në mendjen dhe arsyen e secilit, në ndërgjegjen dhe përgjegjësinë e secilit se synohet kah më e vlefshmja, më e shtrenjta – kah jeta! E fëmijëve, grave, pleqve dhe të rinjve – pa dallim, me të gjitha mënyrat e planifikuara dhe zbatuara paraprakisht në mënyrë sistematike për asgjësimin e një populli dhe një shteti. Aq sistematike që nuk dihet as numri i saktë i viktimave që sipas burimeve të ndryshme lëviz prej 4 deri në 15 milionë viktima! Këto nuk janë kokrra rëre, janë familje të gjalla, buzëqeshje të gjera, suksese dhe lot, këto janë fate njerëzore!
Të nderuar të pranishëm, mos lejojmë që gjithçka të shndërrohet në hi, kemi dhënë dhe kemi sakrifikuar tepër shumë, ne, të parët tanë, të parët e të parëve tanë. Mos lejojmë që e keqja të trokasë edhe në derën tonë, sepse në këtë apo në tjetër mënyrë, efekti reflektohet mbi gjithë botën, pa dallim, tha kryetari I Kuvendit, Talat Xhaferi.