Më 24 nëntor bëhen 9 muaj nga agresioni i plotë ushtarak kundër Ukrainës. Përballë rezistencës heroike të ukrainaseve dhe ukrainasve të guximshëm, ushtria ruse kompenson humbjet poshtëruese të përditshme në fushën e betejës me krime të tmerrshme lufte.
Civilët, duke përfshirë mijëra fëmijë, gra, burra dhe të rritur të paarmatosur, përballen me bombardime të vazhdueshme dhe pa dallim. Ushtarakët dhe paraushtarakët mercenarë, të armatosur deri në dhëmbë, të frustruar nga paaftësia dhe frika e tyre, që në orët e para të pushtimit kanë vrarë civilë, kanë dhunuar gra dhe fëmijë, duke i nënshtruar torturave brutale, duke plaçkitur shtëpitë e tyre, duke shkatërruar infrastrukturën dhe duke vjedhur grurin ukrainas që ushqen jo vetëm Ukrainën, por gjithë botën.
Lufta gjenocidale e zhvilluar nga Rusia, mohimi i kombit, gjuhës dhe identitetit ukrainas, aneksimi i pjesëve të territorit të shtetit sovran të Ukrainës dhe zbatimi sistematik i terrorit kundër popullatës civile, rrëzojnë plotësisht rendin ndërkombëtar. Luftërat e pushtimit territorial dhe shndërrimi i energjisë dhe ushqimit në armë, janë tashmë një realitet për botën.
CIVILi është organizata e parë maqedonase dhe ndër të parat në botë që e dënoi agresionin ushtarak rus kundër Ukrainës. Dhe sot, si çdo ditë që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, CIVILi u bën thirrje të gjithë njerëzve paqësorë dhe humanë, intelektualëve, redaktorëve, vendimmarrësve dhe drejtuesve të komunitetit që të dënojnë agresionin ushtarak me donacione, mesazhe dhe ndarje të informacionit përkatës.
Maqedonia e Veriut është pjesë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku propaganda ruse ka gjetur terren pjellor në mesin e disa strukturave dhe grupeve politike ultra-nacionaliste dhe antiperëndimore. Dezinformatat dhe propaganda janë kudo, në rrjetet sociale, në media, në veprimet e propaganduesve në terren. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që shoqëria e Maqedonisë së Veriut t’i njohë dhe t’i kundërshtojë ato. Të gjithë mund të kontribuojnë gjithashtu në luftën kundër dezinformimit dhe fushatave të gjuhës së urrejtjes.
Dhe mbani mend: Liria e Ukrainës është liria e Evropës, e botës!
#СлаваУкраїні
Lexoni edhe: Pse fati i Ukrainës është edhe fati i botës?