KATE MARIE BYRNES
Ukraina, një vend i sulmuar nga Rusia që nga viti 2014, tashmë i ka rezistuar gjysmë viti bombardimeve masive, rrethimeve të qyteteve dhe mizorive kundër popullit të saj. Ukraina po lufton për të mbrojtur jo vetëm demokracinë e saj, por edhe vetë mbijetesën, si një vend i pavarur.
Më 24 gusht u shënua 31 vjetori i pavarësisë së Ukrainës. Mjerisht, kjo ditë shënon gjithashtu gjashtë muaj nga pushtimi i paprovokuar dhe në shkallë të plotë nga qeveria ruse në Ukrainë, një sulm kaq tronditës për komunitetin ndërkombëtar sa u dënua tërësisht nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe nxiti dy vende të reja të kërkojnë anëtarësim në Aleancën e NATO-s.
Duhet të mbetemi të bashkuar në mbështetjen tonë për sovranitetin, demokracinë dhe aspiratat evropiane të Ukrainës.
Të gjithë i kemi parë imazhet e pasojave nga bombat ruse që godasin civilët e strehuar në shkolla, teatro dhe spitale. Mediat e pavarura dhe organizatat humanitare kanë dokumentuar ekzekutime në qytete si Buça dhe Irpin, tortura ndaj personelit të uniformuar dhe civil, si dhe qytete të tëra si Mariupoli, të shkëputura nga nevojat elementare, ndërsa durojnë shkatërrimin dhe pushtimin brutal.
Qëndrueshmëria dhe këmbëngulja e popullit të Ukrainës kanë frymëzuar botën për të mbështetur luftën e tyre për liri. Forcat e armatosura të Ukrainës kanë luftuar me guxim për të mbrojtur vlerat e dashura për të gjithë ne.
Ndërsa sanksionet vazhdojnë të degradojnë aftësitë luftarake të Putinit, forcat ukrainase po mbrojnë me sukses vendin e tyre, dhe populli ukrainas është më i bashkuar se kurrë.
Shtetet e Bashkuara kanë dhënë afër 10 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë që kur Rusia nisi luftën e saj të paramenduar, të paprovokuar dhe brutale kundër Ukrainës më 24 shkurt. Maqedonia e Veriut është dëshmuar gjithashtu një partner i palëkundur, duke e përafruar plotësisht veten me sanksionet e vendosura nga BE dhe duke ofruar ndihmë në disproporcion me madhësinë e saj.
Shoqëria civile ukrainase ka zgjeruar përpjekjet e saj të reagimit humanitar, duke ndarë ndihma dhe për rindërtimin e komuniteteve. Punonjësit e ndihmave, shumica e të cilëve janë ukrainas, po operojnë në 24 rajonet, duke arritur të prekin afër 12 milionë njerëz me ndihmë. Shtetet e Bashkuara janë krenare që mbështesin përpjekjet e tyre me mbi 1.2 miliardë dollarë ndihmë humanitare, vetëm gjatë këtij viti.
Nga Seshi Maqedonia e deri në në Maidan, Kapitol Hill deri te Konciliumi i BE-së, mbështetja e gjerë për Ukrainën ka treguar se sulmet e paprovokuara ndaj shteteve sovrane dhe të pavarura nuk do të mbeten pa përgjigje dhe do të kenë një çmim shumë të lartë. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe partnerët e tyre në mbarë botën janë më të bashkuar se kurrë.
Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë me Ukrainën, dhe të mbështesim luftën e saj për mbijetesë, duke punuar gjithashtu për forcimin e sigurisë evropiane dhe vlerat demokratike. Ne qëndrojmë me Ukrainën, sepse kufijtë dhe furnizimet ushqimore nuk janë pazare. Ne qëndrojmë me Ukrainën sepse të drejtat e njeriut janë të pakundërshtueshme. Ne qëndrojmë me Ukrainën sepse kjo është gjëja e duhur.
Autorja është Ambasadore e SHBA në Maqedoninë e Veriut.
Marrja e përmbajtjes është e lejuar sipas licencës Creative Commons 4.0.