Kryetarja e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Vilma Ruskovska, është suspenduar nga posti, ndërsa Arafat Muaremi dje ka dhënë dorëheqje nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të Drejtorisë së Policisë Financiare. Ruskovska dhe Muaremi më herët kanë shkëmbyer publikisht akuza të ndërsjella pasi Prokuroria ka bërë bastisje në Drejtorinë e Policisë Financiare, njfoton agjencia e lajmeve MIA.
Prokurori publik republikan, Lubomir Joveski, siç informuan nga Prokuroria Publike, në bazë të nenit 81 të Ligjit për Prokurorinë Publike, ka marrë Vendim për shkarkimin e prokurores publike nga pozita e saj derisa zgjat procedura penale e filluar pas kallëzimit penal të ngritur.
Joveski ka paraqitur propozim për inicimin e procedurës disiplinore për përcaktimin e përgjegjësisë së tre prokuroreve publike, të cilat dyshohet se me dashje dhe në mënyrë të pajustifikueshme kanë bërë gabim të madh profesional, duke bërë shkelje të rëndë disiplinore.
“Në pajtim me nenin 93 të Ligjit për Prokurorinë Publike, Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut sot ka dorëzuar propozim për fillimin e procedurës disiplinore për të përcaktuar përgjegjësinë e tre prokuroreve publike, të cilët dyshohen se me dashje dhe në mënyrë të pajustifikueshme kanë bërë një gabim të madh profesional, duke bërë kështu shkelje të rëndë disiplinore të nenit 91 paragrafi 6 i Ligjit për Prokurorinë Publike”, njoftuan nga Prokuroria Publike.
Drejtori i Drejtorisë së Policisë Financiare, Arafat Muaremi, ka njoftuar dje se me dëshirën e tij tërhiqet nga funksioni i u.d. drejtor i Drejtorisë së Policisë Financiare, duke marrë parasysh vendimin e prokurorit publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Lubomir Joveski që të ngritë procedura për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore për të gjitha tre prokuroret publike dhe ta suspendojë Vilma Ruskovskën nga funksioni i prokurores themelore publike të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për shkak të veprimit antiligjor dhe keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar.
“Këtë vendim po e marr me qëllim që opinioni të mos ketë as më të voglin dyshim në integritetin, paanshmërinë dhe pavarësinë e procedurës, e cila edhe më tej vazhdon të zhvillohet në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit”, thuhet në kumtesën e Drejtorisë së Policisë Financiare.
Nga Drejtoria gjithashtu theksuan se vendimi i sotëm i prokurorit publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut jep një mesazh të qartë se ligjet duhet të respektohen nga të gjithë dhe se keqpërdorimi i detyrës zyrtare për qëllime personale është i papranueshëm. Në fillim të këtij muaji, Muaremi njoftoi se do të paraqesë kallëzim penal kundër prokuroreve Vilma Ruskovska, Ivana Trajçeva dhe Elizabeta Josifovska për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “falsifikim të dokumentit zyrtar”, pas kontrollit të kryer në Policinë Financiare.
Pas këtij njoftimi, kryetarja e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK), Ruskovska u bëri thirrje të gjitha institucioneve kompetente në vend, por edhe të gjitha institucioneve dhe ambasadave ndërkombëtare, para së gjithash Ambasadës së SHBA-së dhe Zyrës së BE-së, “një herë e përgjithmonë për të kontrolluar të gjitha faktet dhe për të sqaruar se kush në këtë vend po lufton kundër krimit dhe kush po e bën atë”.