Presidenti Stevo Pendarovski në një intervistë për “Fokus”, duke e komentuar deklaratën e shefit të diplomacisë ruse Sergej Lavrov, i cili këto dirë vlerësoi se disponimi i popullit maqedonas është në kundërshtim me kursin euroatlantik të elitës politike, tha se bëhet fjalë për deklarata provokuese të cilat sipas tij janë pjesë e propagandës politike, njofton MIA.
“Të gjitha institucionet shtetërore e dinë se Rusia përzihet në punët tona të brendshme. Herën e fundit me pjesëmarrje intensive përmes njerëzve të vet, subjekteve të veta politike, instalacioneve të veta. Nga fqinjët vijnë njerëz që janë agjentë rusë, gjegjësisht njerëz të shërbimit rus. Nuk mund të zbuloj publikisht se nga vijnë saktësisht, sepse këto ato janë informacione të ndjeshme, megjithatë rusët edhe përmes tyre, thënë në mënyrë moderne kërcënime hibride, përmes propagandës politike bëjnë tentime për ndikim”, vlerëson Pendarovski.
Ai zbulon se ekzistojnë njohuri tek organet kompetente për njerëz që vijnë për të provokuar në protestat e fundit qytetare, por edhe për financimin e “disa subjekteve politike”. Me këtë rast, Pendarovski nuk zbulon për cilat subjekte bëhet fjalë, por thekson se ato janë “disa subjekte në korrelacion të drejtpërdrejtë me Moskën disa viteve mbrapa”.
“Derisa ajo artikulohet politikisht në institucione, ajo është në rregull dhe ajo është demokratike. Por, më duhet të them se është me të vërtet e çuditshme që disa ditë pas pushtimit rus në Ukrainë, e Majta i bëri thirrje ambasadorit rus në Kuvend dhe e dekoroi për kontributin e tij në marrëdhëniet bilaterale, që është pa precedent. Në asnjë parlament evropian nuk ka ndodhur një gjë e tillë”, thekson Pendarovski në intervistën për “Fokus”.
Lidhur me intervenimin ushtarak rus në Ukrainë, shefi i shtetit thotë se askush nuk ka vlerësim se kur do të përfundojë ajo luftë, por shton se të gjitha vlerësimet tregojnë se lufta do të zgjatë, gjë që, paralajmëron ai, do të shkaktojë reagime zinxhirore në botë në shumë fusha.