Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, mbajti takim me koalicionin qeveritar në të cilin edhe njëherë u konfirmuan dhe u riafirmuan prioritetet strategjike të Qeverisë për ballafaqim me pasojat nga kriza globale dhe koncepti për stabilitet politik të shtetit, njoftojnë nga shërbimi për shtyp i Qeverisë.
“Rasti i takimit të sotëm të partnerëve të koalicionit qeveritar ishte riafirmimi i prioriteteve strategjike për përballje me pasojat nga kriza globale.
Qytetarët janë nën presion të vazhdueshëm nga pasiguria që vjen nga rritja e çmimeve të energjencave dhe produkteve në tregjet botërore. Prandaj, në këtë periudhë presin që palët të ofrojnë stabilitet politik, të ofrojnë një koncept të qartë për ballafaqimin me problemet dhe angazhim dhe përgjegjësi të plotë në atë proces.
Subjektet politike përgjegjëse udhëhiqen ekskluzivisht nga interesat e qytetarëve si në kohë paqeje ashtu edhe në kushte krize.
Sot miratuam dhe nënshkruam Deklaratën për Sigurimin e Stabilitetit për qytetarët, ekonominë e vendit dhe sektorin e biznesit në kushte të krizës globale. Qëllimi i kësaj Deklarate është të sigurojë një garanci shtesë dhe të fortë, por edhe një angazhim të qartë politik për të përshtatur politikat me nevojën për t’u përballur me pasojat negative të krizës më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore.
Prandaj, të gjithë bashkë konstatuam se zgjedhjet e parakohshme nuk do t’i zgjidhin problemet e qytetarëve, por do t’i thellojnë ato. Prandaj, ne e mbyllim këtë çështje. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbahen në mandatin e rregullt në vitin 2024. Në periudhën e ardhshme do të vazhdojmë t’i përgjigjemi krizës, duke ofruar një pako të re masash kundër krizës, reforma sistematike, luftë jo selektive kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe harmonizimin e legjislacionit zgjedhor me rekomandimet e OSBE-së dhe ODIHR-it”, deklaroi Kovaçevski.