Zëdhënësit e Qeverisë, Dushko Arsovski dhe Muamet Hoxha në konferencën e sotme për shtyp, njoftuan për vendimet e miratuara dhe konkluzat nga mbledhja e 37-të e Qeverisë dhe u përgjigjën në pyetjet në interes të opinionit dhe mediave.
Zëdhënësit informuan se lidhur me mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, Qeveria e hoqi mbajtjen e detyrueshme të maskave mbrojtëse në ambient të mbyllur, me përjashtim të objekteve shëndetësore, transportit publik, farmacive dhe shtëpive për persona të moshuar dhe personat me aftësi të kufizuara.
Siç theksuan ata, Qeveria vazhdon të afirmojë fuqishëm rekomandimin e Komisionit për Sëmundjet Ngjitëse që maskë për ambiente të mbyllura duhet të mbajnë personat mbi moshën 65 vjeçare, të sëmurët kronik dhe personat me imunitet të dobët.
Në përputhje me rekomandimet hiqet detyrimi për mbajtje të detyrueshme të maskave gjatë mësimit në shkollat e mesme, si dhe ndalesa për organizimin e ekskursioneve dhe mësimit në natyrë. Ndër masat që shfuqizohen është edhe masa për izolim të detyrueshëm të personave që kanë pasur kontakte të afërta me raste pozitive me KOVID-19, për të cilët mbetet masa për mbajtjen e maskës mbrojtëse në hapësirë të mbyllur në periudhë prej 7 ditësh nga kontakti i fundit me personat me KOVID-19 të vërtetuar.
Zëdhënësit informuan se Qeveria vazhdoi afatin për zbatimin e kufizimit të eksportit të mallrave të caktuara, deri më 15 maj 2022. Vazhdimi i afatit për kufizimin e eksportit është për grurin dhe shojzën; elbin; misrin; miellin e grurit dhe shojzën; farave të lulediellit, duke përfshirë të thyer ose të grimcuar; vajrave nga fara e lulediellit, shafranit ose farës së pambukut, si dhe eksportit të jonxhës. Nevoja për vazhdimin e afatit për eksportin e këtyre mallrave deri më 15 maj të vitit 2022 është që të eliminohet mundësia e furnizimit për shkak të mungesës së mallrave të nevojshme për përpunimin dhe prodhimin e produkteve ushqimore bazë për qytetarët deri në korrjen e re vendore.
“Kjo Qeveri ka dëshmuar se i dëgjon kërkesat dhe nuk ikën nga zgjidhja, por duhet të menaxhojë hapur dhe me përgjegjësi buxhetin dhe të kujdeset për ekonominë. Nuk do të fitojmë asgjë nëse rrisim inflacionin dhe pikërisht kështu do të ndodhë nëse kërkesat realizohen ashtu siç janë vendosur”, u theksua në konferencën për shtyp.
Lidhur me interesimin e mediave për gjendjen shëndetësore të Kryeministrit Kovaçevski, i cili të dielën mbrëma u pranua në Klinikën Infektive nën dyshimin për helmim nga ushqimi, zëdhënësit informuan se Kryeministri është pranuar me dhimbje barku, ku i është kushtuar kujdes i plotë, ku i është përmirësuar gjendja. Ai është ndaluar për vëzhgim dhe të nesërmen është liruar në gjendje shumë të mirë shëndetësore.
Lidhur me çështjen e ndarjes së Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, zëdhënësit theksuan se vendi ynë ka zbatuar të gjitha reformat, ka përmbushur të gjitha kriteret e BE-së për hapjen e procesit të anëtarësimit, për të cilat ka një vendim, që në vitin 2020. U shtua se ne kemi qëndrim konstruktiv ndaj ideve dhe propozimeve të ndryshme për gjetjen e zgjidhjeve dhe qëndrimi i Komisionit Evropian për këtë çështje është miratimi i kornizës negociuese dhe mbajtja e konferencave ndërqeveritare me të dyja vendet.