Me reformat në kujdesin shëndetësor parësor, mjekët nga niveli primar do të kenë gamë më të gjerë shërbimesh që do t’i ofrojnë, në vend që pacientët t’i dërgojnë menjëherë në kujdesin shëndetësor terciar, sepse pjesë e madhe e kujdesit shëndetësor sekondar nuk funksionon për arsye të ndryshme, deklaroi sonte ministri i Shëndetësisë Bekim Sali, njofton agjencia e lajmeve MIA.
Ai në paraqitjen e sonte në emisionin “Uin-Uin” në televizionin Telma ka folur për Qendrën Klinike në Shkup, duke theksuar se ka listë pritjeje pas dy deri në tre muaj, pasi siç ka thënë ai, një repart i caktuar në një qytet të caktuar nuk funksionon. Sipas tij, 1.300 objekte të kujdesit shëndetësor parësor në mjekësinë e përgjithshme mund ta zbusin edhe më shumë presionin në sistem.
“Kemi rreth 1.300 objekte të kujdesit shëndetësor parësor në mjekësinë e përgjithshme. Nëse këto shërbime do të ofronin të paktën pesë ekzaminime në ditë, do të ishin rreth 8.000 ekzaminime në ditë. Klinika e Kardiologjisë nuk mund të bëjë kaq shumë ekzaminime në dy muaj. As ndërtesa nuk është gati, as stafi, as sistemi nuk është gati të paguajë dhe për të gjitha këto rrethana kemi listë pritjeje, pacientë të pakënaqur, ndërhyrje të parakohshme. Sistemi duhet të lehtësohet, gjithçka duhet të jetë në vend që pacienti të marrë shërbimin sa më shpejt dhe sa më afër”, theksoi Sali.
Ai nënvizoi se ka grupe të punës që punojnë për vlerësimin e situatës dhe puna e tyre pritet të rezultojë në pilot projekte për shëndetësinë sekondare dhe terciare. Reformat, thotë Sali, nuk mund të bëhen me nxitim, sepse gjithçka që është e shpejtë nuk mund të funksionojë.
“Disa reforma mund të jenë të shkëlqyera në letër, por sipas mentalitetit ne nuk jemi gati për atë reformë. Dhe në rast se nuk keni ekip që do ta pranojë reformë të tillë, me siguri do të dështojë, por pasojat do të jenë më të gjata. Para 12 vitesh isha pjesë e kabinetit të ministrit dhe në atë kohë po punonim për një reformë të quajtur “pagesa e performancës”, që ende mendoj se është metodë e shkëlqyer që punonjësi shëndetësor të japë maksimumin, por nuk u pranua sepse ne nuk kishim kohë për të përgatitur stafin për ta pranuar atë”, tha Sali.
Duke iu referuar shkallës së lartë të vdekshmërisë në vend si pasojë e pandemisë së Kovid-19, Sali tha se situata është ndikuar nga shumë faktorë. Në lidhje me ndërtimin e Qendrës së re Klinike, ministri i Shëndetësisë tha se qëllimi i tij është të takohet me përfaqësuesit e dy partive më të mëdha në vend – LSDM-në dhe VMRO-DPMNE-në për të afruar qëndrimet dhe për të gjetur zgjidhje për këtë çështje.
“Për Qendrën e re Klinike flitet prej 17 vitesh. Mendoj se pengesa e vërtetë është ngjyrosja e atij projekti, nëse do të jetë blu, e kuqe, diçka mesatare. Ajo që po paralajmëroj për muajin e dytë është se do të ulemi së bashku me dy partitë kryesore politike në vend sepse mendoj se është thesar kombëtar që duhet ta ndërtojmë dhe ta vendosim urgjentisht në funksion, sepse është në interes të të të gjithë qytetarëve”, deklaroi Sali.