Numri javor i të infektuarve me Kovid-19 në botë, u rrit për herë të parë, nga fundi i janarit, kumtoi dje Organizata Botërore e Shëndetësisë, njofton agjencia e lajmeve MIA.
Në javën e dytë të marsit, numri i të infektuarve të rinj u rrit për tetë për qind më shumë se një javë më parë.
Nga 7 deri më 13 mars, janë evidentuar mbi 11 milionë raste të reja të Kovid-19 dhe 43.000 raste të vdekjes, nga ose me koronavirus.
Rritja në krahasim me javën e kaluar, veçanërisht vërehet në rajonet e Pacifikut Perëndimor – 29 për qind, si edhe në Afrikë – 12 për qind.
Në Evropë nga ana tjetër, është vërejtur rritje javore prej dy për qind. Numri i rasteve është zvogëluar në Mesdheun lindor, Azinë Juglindore si edhe në Amerikën e Veriut dhe të Jugut.
Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara të të infektuarve me koronavirusin e ri, nga fillimi i pandemisë, arriti deri në 455 milionë.
Janë regjistruar gjashtë milionë raste të vdekjes.