Ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Dmitro Kuleba sot vlerësoi se synimi i sulmeve ruse është “shkatërrimi i shtetit ukrainas, okupimi i territorit ukrainas dhe vendosja e kontrollit okupues”, përcjell agjencia e lajmeve MIA.
“Armata ruse po kryen sulme ndaj qyteteve të qeta ukrainase nga drejtime të ndryshme, duke e përfshirë edhe Donbasin dhe Krimenë përkohësisht të okupuar, si dhe rajonin verilindor. Ky është akt i luftës, sulm i sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, shkelje e madhe e Kartës së KB-së dhe normave dhe parimeve bazë”, thuhet në kumtesën e Kulebas.
Kuleba shtoi se Ukraina e ka aktivizuar të drejtën e vetë mbrojtjes në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, se fryma luftarake e armatës është e lartë dhe se “ushtarët janë të gatshëm të japin rezistencë vendimtare ndaj agresorit shtetëror”.
“Ukraina i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të reagojë menjëherë. Vetëm hapa të bashkuara dhe vendimtare mund ta pengojnë agresionin e Vlladimir Putinit kundër Ukrainës. Partnerët tanë duhet menjëherë të aktivizojnë pako të sanksioneve të reja. U bëjmë thirrje edhe kryeqyteteve mike të vazhdojnë t’i forcojnë aftësitë mbrojtëse të vendit tonë me sigurimin e armëve dhe pajisjes ushtarake”, theksoi ai në deklaratën me shkrim.
Ministri ukrainas vlerësoi se nga përgjigja e përbashkët nuk varet vetëm siguria e qytetarëve të Ukrainës, por edhe siguria e qytetarëve nëpër Evropë dhe ardhmëria e rendit botëror.