Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Ukrainë tani për tani vazhdon të punojë dhe diplomatët mbeten në Kiev, por familjet e tyre këtë javë do të kthehen në Shkup.
Në Ukrainë mbeten edhe rreth 30 vëzhgues nga Maqedonia e Veriut në kuadër të Misionit të posaçëm monitorues të OSBE-së.
Në Ukrainë për momentin qëndrojnë rreth njëqind shtetas të Maqedonisë së Veriut, ndërsa MPJ përpunoi plan me aktivitete për skenarë të ndryshëm të cilët mund të zhvillohen në periudhën në vijim në atë vend.
Shefi i diplomacisë, Bujar Osmani dje në brifing informoi se ka katër kategori të shtetasve të vendit në Ukrainë. Në kategorinë e parë janë ambasadori dhe një diplomat në ambasadën tonë në Kiev dhe familjet e tyre. Meqenëse ata janë personel thelbësor për ambasadën dhe tani për tani nuk ka vendim që ajo të mbyllet, diplomatët do të mbeten në Ukrainë derisa nuk sillet një vendim tjetër, por është vendosur që familjet e tyre të kthehen në Shkup në fillim të javës.
MPJ është në marrëveshje me Bullgarinë dhe nëse paraqitet nevoja për tërheqjen e dy diplomatëve, ka aranzhman të plotë të konfirmuar se si do të organizohet kjo.
Është vendosur tani për tani në Ukrainë të mbeten dhe rreth 30 vëzhgues nga Maqedonia e Veriut në kuadër të Misionit të posaçëm monitorues të OSBE-së, të cilët janë kategoria e dytë e shtetasve tanë në hartimin e MPJ-së.
Në kategorinë e tretë janë rreth 40 shtetas të cilët për shkaqe të ndryshme ndodhen në Ukrainë dhe rreth 30 anëtarë të familjeve të tyre, me atë që anëtarët e familjeve shumica janë shtetas ukrainas. Për të gjithë shtetasit tanë vlen thirrja – ta shfrytëzojnë mundësinë për fluturime komerciale në mënyrë që të largohen nga Ukraina dhe të kthehen në Maqedoni të Veriut.
Osmani theksoi se disa plane fillojnë të realizohen në bazë të komunikimit të afërt që MPJ e ka me aleatët.
“Duke këmbyer informata, u bë gjithnjë e më e qartë se është i mundur eskalimi, përkatësisht invazioni rus në Ukrainë dhe prandaj filluan të realizohen disa nga planet të cilat ishin përgatitur për skenarë të ndryshëm. Nuk duam të fusim pasiguri dhe frikë lidhur me masat që i ndërmorëm për Ukrainën, jemi në koordinim të plotë me aleatët tanë, edhe në kuadër të NATO-s, edhe në BE, dhe tërë këtë e bëjmë në bazë të planeve dhe informatave që i kemi”, tha Osmani duke shtuar se MPJ vazhdon ta ndjekë prej së afërmi gjendjen dhe se NATO-ja kërkon zgjidhje diplomatike për deeskalim të tensioneve.
Ndërkohë, SHBA-ja dhe rreth njëzet vende, mes të cilave edhe Britania e Madhe, Gjermania, Holanda, Australia, Zelanda e Re, Kroacia, Bullgaria… i porositën qytetarët e vet që menjëherë të largohen nga Ukraina.
Pentagoni këtë fundjavë kumtoi edhe se i tërheqë pothuajse të gjithë ushtarët e vet nga Ukraina, ndërsa nga Uashingtoni erdhi edhe paralajmërimi se Rusia edhe më tej grumbullon ushtri dhe pajisje ushtarake në rajonet kufitare dhe se sulmi rus mund të ndodhë në dhjetë ditët në vijim.