Mandatari për përbërjen e qeverisë së re të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe lider i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, sot në mesditë kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, zyrtarisht do t’ia dorëzojë Propozim përbërjen dhe Propozim-programin për punën e qeverisë së re. Kovaçevski mbrëmë, në konferencë për shtyp pas përfundimit të seancave të Këshillit ekzekutiv dhe Qendror të LSDM-së, i publikoi emrat e anëtarëve të propozuar të qeverisë së re nga kjo parti.
Zëvndëskryeministre e Luftës Kundër Korrupsionit dhe Krimit, Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe Resurse Njerëzore, është propozuar Sllavica Gërkovska, deputete e mëparshme e LSDM-së, zëvendëskryeministër i angazhuar për Çështje Ekonomike dhe Koordinimin e Resorëve Ekonomikë dhe Investimeve – zëvendëskryeministri aktual Fatmir Bytyqi, zëvendëskryeministër i Çështjeve Evropiane është propozuar Bojan Mariçiq.
Ministre e Mbrojtjes është propozuar Sllavjanka Petrovska, deputete e LSDM-së, ish-zëvendësministre e Punëve të Brendshme në Qeverinë teknike, ministër i Punëve të Brendshme ministri aktual Oliver Spasovski, ministër i Drejtësisë, prof. dr. Nikolla Tupançevski nga Fakulteti Juridik në Shkup, ministër i Bujqësisë Lupço Nikollovski i cili edhe më parë e ka drejtuar këtë resor. Ministre e Punës dhe Politikës Sociale është propozuar – Jovana Trençevska – drejtoreshë e Inspektoratit Shtetëror për Punë, ministre e Kulturës Bisera Kostadionova – Stojçevska, deputete aktuale e LSDM-së dhe paraprakisht profesoreshë në Fakultetin Pedagogjik në kuadër të Universitetit në Manastir.
Ministër i Transportit dhe Lidhjeve është propozuar ministri aktual, Bllagoj Boçvarski. Nga të gjithë këta, siç tha Kovaçevski, pret punë me përkushtimin maksimal në interes të qytetarëve dhe realizimin e premtimeve. Ai paralajmëroi se përbërjen e Qeverisë dhe programin qeveritar nesër do t’i dorëzojë në Kuvend.
“Qeveria e re do të jetë me produktivitet të lartë në punë, e përkushtuar në sfidat ekonomike, si edhe në përforcimin e standardit jetësor të qytetarëve. Kemi vendosur vërtetë qëllime të larta por jam i sigurt se me shumë punë dhe zell do të mund t’i realizojmë”, deklaroi sonte Kovaçevski.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në deklaratën përfundimtare vjetore në fund të dhjetorit, ka bërë të ditur se nëse propozimi për qeverinë e re arrin deri më 11 janar, në konsultim me grupet parlamentare, do të caktojë datën e seancës. që ndoshta do të jetë 15-16 janar.
Ai shtoi se pret që Qeveria e re të zgjidhet në orën 16:00, para mesnate dhe të funksionojë më 17 janar të vitit 2022. Në pajtim me Ligjin për Qeverinë, Qeveria e zgjedh dhe e shkarkon Kuvendin e Republikës së Maqedonisë me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Me rastin e propozimit të përbërjes së Qeverisë, kryeministri i emëruar propozon ministra për secilën nga ministritë e përcaktuara me ligj dhe ministra pa portofol. Qeveria merr detyrën në ditën e zgjedhjeve.