Varianti omikron i KOVID-19 por përhapet me të shpejtë në botë, në rajon dhe në fqinjësi. Edhe në vendin tonë dje janë detektuar nëntë raste me omikron, prej të cilave tek tetë pacientë nga Shkupi dhe tek njëri nga Koçani.
Sipas autoriteteve, vaksinimi mbetet dalja e vetme nga pandemia. Për momentin në shtet janë gjithsej 5.667 raste aktive. “Në laboratorin për virusologji të Institutit për Shëndet Publik janë përpunuar 24 mostra pozitive në SARSCoV2, mostrat janë nga pacientë nga Shkupi, Koçani, Velesi, Gjevgjelia dhe Bogdanci. Nga numri i përgjithshëm i të testuarve, tek nëntë pacientë është detektuar varianti omikron i virusit, që është 37,5 për qind të mostrave pozitive”, kumtuan dje nga Ministria e Shëndetësisë.
Gjatë ditës së djeshme në vend janë regjistruar 1.197 raste të reja të KOVID-19 nga 7.483 testime, kanë vdekur 12 persona ndërsa janë evidentuar 331 pacientë të shëruar. Nga fillimi i pandemisë, siç informojnë nga Ministria e Shëndetësisë, janë evidentuar gjithsej 227.168 persona të diagnostikuar me kovid, janë bërë gjithsej 1.619.276 testime të KOVID-19, numri i pacientëve të shëruar është 213.505 ndërsa kanë vdekur 7.996.
Eksperti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Abdi Mahmud dje deklaroi se ekzistojnë tri lloje të varianteve, ato që i ndjekim, ato që shkaktojnë interesim dhe ato të cilat shkaktojnë shqetësim. Ai në brifing në Gjenevë theksoi se nga nëntori me kujdes e vëzhgon llojin e ri të koronavirusit B.1.640.2. si dhe dy nënvariantet e tij. Llojin e ri B.1.640.2 e zbuluan shkencëtarët e Spitalit Universitar në Marsej, të Francës.
Me atë lloj janë infektuar 12 persona në pjesën jugore të Francës, ndërsa si pacient zero është shënuar një person që ishte kthyer nga Kameruni. Mahmud theksoi se OBSH do të vazhdojë ta ndjekë llojin B.1.640.2, duke përfshirë edhe përhapjen e tij të mundshme në vendet e tjera evropiane. Shtetet e rajonit dhe botës paraqesin numër rekord të të prekurve nga KOVID-19. Shumica e vendeve kanë filluar me vendosjen e masave shtrënguese për mbrojtje nga përhapja e koronavirusit në vigjilje të festave. Rasti i parë i të infektuarit me fluron, infeksion i kombinuar me virusin e gripit dhe të koronavirusit është zbuluar në Bosnjë e Hercegovinë. Rasti i parë është tek një pacient, i lindur në vitin 2000 dhe që është hospitalizuar në Qendrën Klinike Universitare në Banjalukë.
Në 24 orët e fundit në Bosnjë e Hercegovinë janë regjistruar 899 raste të reja të koronavirusit, ndërsa kanë vdekur 29 persona. Në Greqi nga ana tjetër, siç njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina, me maska të obligueshme, me self teste të obligueshme për të gjithë dhe nën protokolle të rrepta, nxënësit nga e hëna kthehen në shkolla ndërsa gjysmëvjetori i dytë do të fillojë si rregullisht. Qeveria britanike ka shpallur dje numër rekord të të infektuarve të rinj me Kovid-19 – më shumë se 200 mijë raste në 24 orët e fundit pasi lojji shumë i transmetueshëm Omikron përhapet në të gjithë vendin.
Sipas autoriteteve, janë regjistruar 218.724 infeksione të reja – numri më i lartë i përgjithshëm ditor që nga fillimi i pandemisë. Në SHBA janë regjistruar mbi një milion persona me Kovid-19, që është një numër rekord që nga fillimi i pandemisë. “Rekordi i zi” i mëparshëm ishte më 31 dhjetor, kur u regjistruan rreth 590,000 persona të rinj të infektuar. Të dhënat e Universitetit Xhon Hopkins ndoshta nuk tregojnë situatën reale, pasi shumë amerikanë testohen në shtëpi për Kovid-19 dhe nuk raportojnë rezultatet tek agjencitë kryesore të statistikave.
Që nga fillimi i pandemisë së SHBA janë regjistruar mbi 56 milionë persona të infektuar me Kovid-19 dhe mbi 820.000 raste të vdekjes. Gjithashtu në rritje është numri i rasteve të reja me koronavirus në Australi, me çka rritet edhe presioni ndaj spitaleve të atjeshme dhe qendrave për testim. K
ryetari i JCVI-së britanike (trupit nacional për vaksinim dhe imunizim) prof. Endrju Poland në një intervistë për Telegrafin paralajmëroi se nuk mund ta vaksinojmë të gjithë planetin çdo gjashtë muaj, pasi kjo nuk është e qëndrueshme. Poland beson se për dozën e katërt të vaksinimit duhet të pritet “deri sa nuk paraqiten më shumë dëshmi” dhe bëri thirrje që prioritet në vaksinimin e ardhshëm t’u jepet grupeve të prekshme, në vend se të jepen dozat shtesë për tërë popullatën mbi moshën 12 vjeçare.
“Nuk ka kuptim të tentojmë që tërësisht ta ndalim infektimin, në një moment të caktuar shoqëria thjeshtë duhet të hapet”, tha eksperti britanik. Deklarata e tij është në moment kur Qeveria i finalizon planet për testim të shpejtë të madje 10 milionë punëtorëve në “profesionet kritike”. Janë porositur 45 milionë teste gjatë dy javëve të ardhshme për shkak të druarjes nga përhapja e llojit omikron të koronavirusit.