LATIF MUSTAFA
Në ç’drejtim lëvizë koha, e në ç’drejtim lëvizim ne?
Shpesh jam menduar nëse ne i presim vitet apo ato na presin neve. A lëvizim ne në kohë, apo koha lëvizë drejt nesh? Në fakt më e logjikshme më duket të thuhet se Viti i Ri na pret neve, dhe jo e kundërta. Ne lëvizim drejt viteve, kurse koha është statike. Shpërfaqja e saj në qenie vjen nga lëvizja e tokës rreth vetes dhe diellit. Në universe alternative, lart mbi qiejt tanë, koha është statike. Po universe të tilla, ne përpiqemi të krijojmë edhe brenda, pranë dhe midis nesh, brenda hapësirave tona private dhe publike. Universe ku përpiqemi ta stagnojmë kohën, ta ndalojmë dhe ta kontrollojmë atë. Të shkoqitemi nga diktatura numëruese e kohës.
Muzika, arti dhe leximi janë disa mundësi përmes së cilave individi arrin të dalë përtej kohës, apo përtej një dimensioni kohor, si i tillë që ka dalë jashtë përmes një abstraksioni, të kthehet në të ashtu siç e ka lënë. Leximi është i tillë. Një libër i Umberto Ecos që prodhon imagjinatë dhe emocion të bujshëm, ta nxjerr prej kohës reale dhe na shpien në universe të tjera paralele. Një kompozim i Chopinit mund të të mbart në nivele tjera dëshpërimi të qashtër dhe brengë që shkaktojnë në vete një katarzis, pastrim të brendshëm shpirtëror dhe njeriut i duket sikur për një çast ktheu kohën mbrapa. Një tragjedi mund të ketë një efekt të tillë, të shpie në zgrip të qenies dhe të bën të meditosh për kufijtë e papërcaktuar, harlisjen dhe çmendurinë e pakufishme njerëzore. Të gjitha këto momente janë shmangie e përjetimit real kohor, ku arti shndërrohet në dritare ikjeje. Por jo gjithmonë funksionon abstraksioni për mërgimin dhe transcendencën kohore. Realiteti din të jetë edhe më brutal. Ky brutalitet na bën të reflektojmë për matjen kohore dhe vetëllogarinë. Vetëdija për kapërcyellin kohor të vë në sprovë të numrit ku vitet maten veç me vepra dhe të bëma. Njashtu edhe Viti Ri, lëvizja drejt tij është një makth i pakapërcyeshëm ngaqë na sjell para vetëllogarisë së padëshirueshme, qoftë individuale qoftë kolektive për atë se çfarë bëmë e çfarë nuk bëmë.
Prolongimi i shpresës
Vitet e kaluara në republikën tonë na kanë dhënë mësimin e jetës. Kuptohet për ata që e kanë marrë këtë mësim. Prolongimi i shpresës është zhgënjim. Dështim i shpresës është dëshpërim. Nuk dua të futen në krahasimet sinonimike të zhgënjimit dhe dëshpërimit, por ama pas çdo zhgënjimi ka prapë një pritje, pas dëshpërimit këputen fijet e çdo pritjeje. Shtyrja në pafundësi e një shprese kthehet në zhgënjim dhe zhgënjimi në dëshpërim. Viti 2021 për republikën ka qenë viti i tragjedive të mëdha. Janë dy tragjedi të mëdha të cilat i nxënë vendin njëra tjetrës varësisht nga perspektiva e shtrirjes së empatisë. Djegia e pacientëve në spitalin modular të Tetovës dhe ngecja e udhëtarëve dhe vdekja e tyre e dhimbshme në autobusin në Bullgari, mbeten dy tragjeditë të cilat shënojnë vitin 2021 si më tragjikun në nivel kontinental. Empatia e munguar institucionale, tragjizmi i beftë dhe përpjekja e ceremonisë shtetërore të stolisur për të mbuluar dështimet e qeverisë dhe përshpjetuar harresën publike të 45 të vdekurve në Bullgari ishte kulmi i shpërthimit të hipokrizisë dhe topitjes së ndërgjegjes njerëzore. Gjersa ndër vite prolongojmë shpresën për “një jetë më të mirë”, një shpresë e prolonguar dhe e shkërmoqur labirinteve të pritjeve shekullore, përfunduam në kërkim të mëshirës dhe rënkimit tonë ndaj politikanëve të papërgjegjshëm që nuk ditën të japin qoftë edhe formalisht dorëheqjen e tyre morale nga funksionet mbartëse të cilat janë të lidhura me institucionet përgjegjëse. Tragjedi të tilla rrëzojnë qeveri, e lëre më ministri. Dështimi që sjellë dëshpërimin e pariparueshëm është bindja për “çmimin e lirë”, në fakt pavlefshmërinë e jetës njerëzore.
Riciklimi i demokracisë së brishtë
Brishtësia e demokracisë së republikës sonë do të vazhdojë të jetë një brengë e vjetër në vitin e ri meqë parashihen zgjedhje të reja. Kjo për shkak numrit të pakët të votuesve që dalin në zgjedhje. Kjo dalje, vështirë se mund të arrijë 50% e masës votuese. Mungesa e legjitimitetit është kanceri i demokracisë dhe entropisë politike të një vendi. Brenda këtij 50% patëm një elektorat lëvizës, me ç’rast dështimet në nivel lokal dhe nivel qendror të akumuluara nga partia në pushtet u kurorëzuan me humbjen e thellë të partisë në pushtet në nivel lokal. Kjo humbje shpiu në dorëheqjen e kryeminstrit të republikës, që dorën në zemër, qe një akt për të përshëndetur ngaqë lehtësisht do të kishte mundur të vazhdojë me privilegjet deri në shterjen e fundit të pushtetit të tij. Në kampin shqiptar nuk kemi ndonjë ndryshim të madh sa i përket lëvizjes së nivelit të përgjithshëm të votave në nivel republikan por fitorja e disa partive opozitare në zonën e Pollogut pritet të bëjnë ndryshime të tjera në nivel republikan, varësisht nga organizimi forcave dhe strategjisë kundrejt partisë shqiptare në pushtet. E sa për dorëheqje as që ia kemi haberin se ç’është ajo.
Kampi maqedonas përpiqet të mbajë njëfarë dinamike dhe se u pa qartë se të qenit në pushtet qendror nuk garanton edhe të qenit në pushtet lokal. Kurse në kampin shqiptar, qëndrimi në pushtetin qendror në njëfarë mënyre edhe e shtyn të qenit pushtetin lokal. Kjo ndodh në saje të (keq)përdorimit të mekanizmave dhe përfitimeve të ndryshme të pushtetit gjatë periudhës zgjedhore. Sikur jetojmë në hapësira me gardhiqe të ndara. Këto rezultate nuk sjellin ndonjë risi. Ndryshimi paradigmatik nuk po ndodh. I gjithë ky teatër politik konfirmim i shpresës së prolonguar dhe riciklimit të brishtësisë demokratike në njërën anë, dhe patetizmit të rrejshëm dhe gjoja-shqetësimit të faktorit ndërkombëtar për vendnumërimin e Maqedonisë së Veriut. Projekti i beftë “Open Ballkan” paçka se deri më tani është projekt veç në fazë PR-it, po mbetet projekti alternativ karshi BE-së. Megjithatë ka diçka që i bashkon këto shtete dhe ato janë jo-funksionalizmi, brishtësia dhe dëshpërimi. Korrupsioni dhe nepotizmi janë bërë pjesë të pandashme, modus operandi, prandaj s’ka nevojë të ceken mirëfilli.
Privatizimi i publikes
Viti që lamë pas, qoftë edhe në formë iluzive, karakterizohet si viti që ia hodhëm pandemisë dhe tani po hapemi drejt horizonteve të reja dhe as që duam të dëgjojmë për përhapjen enorme të Omikronit. Gjersa në fillim të këtij viti zhvillohej drama e mungesës së vaksinave sot vendi, çuditërisht ka mjaft vaksina dhe tani më ka filluar normalizimi i spitaleve dhe kthimit të funksionimit të reparteve siç kanë qenë më herët. Pandemia do vazhdojë të na përcjellë edhe në vitin 2022 e bashkë me të edhe vetëdija e ulët për publiken, gjegjësisht për shëndetin publik. Madje nuk është veç shëndeti, por struktura e mentalitetit provincial kujdeset veç për shtëpinë private dhe është në gjendje t’ia fut flakën gjithçka që është publike për ta ruajtur privaten. Ky problem vazhdon të na përcjellë. Vetëdija për rëndësinë e publikes dhe projektimin e fatit individual dhe privat përmes rimendimit të publikes është problemi kyç që ballafaqohet shoqëria jonë e që manifestohet përmes një apatie hipokrite. Për më tepër, në një shoqëri ku është privatizuar drejtësia përmes të hollave të majme, asetet më të rëndësishme ekonomike shtetërore siç është energjetika dhe përkundër paralajmërime për shtrenjtim s’ka asnjë lëvizje sindikaliste ose qytetare. Mungesa, apo zëvendësimi dhe zhvendosja e publikes me privaten, yshtja për të privatizuar gjithçka publike, zhvatur dhe eksploatuar nuk jep shpresë për një shoqëri dhe vizion afatgjatë për orientimin tonë qytetërimor. Sinjali i një shoqërie të fjetur është vrasës në vete. Privatizimi i publikes, gjegjësisht, mos ekzistimi i publikes si shqetësim, qoftë përmes aktivizmin qytetar, shoqërisë civile dhe mediave përbën hapin fillestar për hibernimin afatgjatë të një shoqërie që veç ndonjë katastrofë e madhe mund ta zgjojë nga gjumi. Kjo gjendje vazhdon të na rëndojë edhe në vitin 2022.
Drejtësia dhe ndërgjegjja e varrosur në rrjetet sociale
Rrjetet sociale vazhdojnë të mbeten varri i topitjeve të ndërgjegjeve njerëzore me ç’rast njeriu statusin, opinionin dhe një videoselfi për një çështje të caktuar e konsideron si “shpëtim nga mëkati”. Rrjetet sociale sot shpërfaqin derdhjen, gulçimin dhe britmat e një shoqërie të ngufatur me trauma dhe gjendje psikotike. I gjithë ky vrer hedhet për momente të caktuara dhe raste të ndryshme sociale, por jo edhe kapitalizime politike ku politika shihet si veprimtari publike dhe obligim qytetar. Drejtësinë për ish kryesuesin e shërbimit sekret e kërkojmë në rrjetet sociale; mllefin, dhimbjen dhe zemërimin për të vdekurit në spitalin modular dhe autobusin në Bullgari i kërkojmë në rrjete gjëra të cilat përfundojnë në një shtirje hipokrite dhe memorie afat-shkurte e gjykimit politik të fenomeneve. Rrjetet sociale vazhdojnë të topisin ndërgjegjen njerëzore, përmes scroll up-it, dhe gjendje post-normaliteti nën ndikimin e diktaturës së imazhit të vazhdojë të jetë normaliteti ynë.
Në vend të urimit!
Urimet shpesh duken vetëmashtrime ngaqë janë diçka midis lutjes dhe kërkesës. Lutja i drejtohet Zotit, kurse kërkesa njeriut. Urimi, disi ka mbetur i ngujuar diçka midis Zotit dhe Njeriut dhe në fund askush nuk merr përgjegjësinë për realizimin e urimit. Urimi në fakt është absurd sepse i drejtohet, thuaja, një muri. Sikur i flasim murit. Por urimi, për ne shënon të përbashkëtën, midis Zotit dhe njeriut sepse duket se Zoti na ka harruar meqë edhe ne e kemi harruar Atë, kurse njeriu edhe ashtu mbetet indiferent në fitoret minore dhe i shurdhër ndaj kërkesa ve tona. Ashtu siç thamë në fillim të kësaj sprove se individi përbri abstraksionit artistik për ta shmangur kohën dhe shpaguar ndaj vetes brutalitetin e hapësirës së shëmtuar, ka edhe mundësinë e ballafaqimit të drejtpërdrejtë me realitetin e beftë. Ky ballafaqim kërkon logosin, fjalën dhe debatin. Veprimin si aktivitet i lirë publik. Ngaqë liria ka kuptim veç kur është publike. Uroj që viti në vigjilje të jetë vit i debateve me tema të vërteta, vit i aksioneve trandshme qytetare si dhe vit i shkundjes së realitetit të përgjithshëm politik në thelbin e së cilës do të jetë imperativi i mbrojtjes së të drejtës për jetë, të drejtës së mendimit lirë dhe ruajtja e nënës natyrë. Një shoqëri s’mund, s’guxon të heshtë pafundësisht dhe të jetë e ngujuar në jorganin e saj për shkak të rrymës së shtrenjtuar sepse kjo mund të sjellë fundin apokaliptik ku heshtja shurdhuese të jetë realiteti i vetëm përfundimtar i saj.