Deputetët sot në kuadër të seancës së 54-të do ta vazhdojnë debatin për Projekt-buxhetin e plotësuar për vitin 2022 në lexim të dytë. Shpenzimet e përgjithshme në Projekt-buxhetin janë planifikuar në 272,4 miliardë denarë ose 35,2 për qind nga BPV, ndërsa të hyrat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 238,9 miliardë denarë ose 30,9 për qind nga BPV.
Deficiti është parashikuar të jetë 33,5 miliardë denarë ose 4,3 për qind nga BPV, ndërsa investimet kapitale do të jenë 38,2 miliardë denarë. Sipas ministrit të Financave, Fatmir Besimi, Projekt-buxheti për vitin 2022 është përgjigje e sfidave që e presin, por synon edhe realizimin e prioriteteve për vitin e ardhshëm.
Parashikimet për ekonominë globale për vitin 2022, siç theksoi Besimi të premten në ditën e parë të debatit plenar, janë optimiste, ndërsa në ekonominë maqedonase viti pritet të mbyllet sipas rritjes së parashikuar të BPV-së prej 4,1 përqindëve, por me një mundësi reale edhe për të kapërcyer. Në vitin 2022, rritja ekonomike pritet të përshpejtohet në 4,6 për qind në kushtet e rritjes së investimeve, rritjes së fortë të konsumit dhe stabilizimit të kërkesës së jashtme. “E thënë thjesht, në vitin 2022 do të kemi “buxhet zhvillimor”.
Komponenti zhvillimor i Buxhetit shihet përmes rritjes së mjeteve për shpenzime kapitale për rreth 28.3 për qind në raport me vitin 2021 ose 8.4 miliardë denarë më shumë mjete janë paraparë në vitin 2022 për projekte kapitale”, tha Besimi, duke shtuar me këtë Propozim-buxhet arritëm edhe “rregullin e artë” në finacat publike, gjegjësisht do të huazojmë vetëm për projekte investuese.
Në Projektbuxheti janë përfshirë edhe 23 amendamente në vlerë të përgjithshme prej 382 milionë denarëve, nga të cilët, siç theksoi Besimi, shumica janë nga opozita. Disa prej tyre janë amendamenti për krijimin e fondit të ndërhyrjes në bujqësi dhe ndryshimet për efikasitetin energjetik. Për opozitën, Projekt-buxheti prej 4.4 miliardë eurove është buxheti më i madh, joreal dhe i pazhvilluar. Sipas opozitës, për krizën energjetike nuk sigurohen para dhe deficiti buxhetor i parashikuar është i lartë.
Projeksionet për investime kapitale, skonsiderojnë, janë të rreme duke marrë parasysh se realizimi i tyre në vitet e kaluara është i vogël. Sipas ligjit, Projekt-buxheti duhet të miratohet deri më 31 dhjetor. Në rend të ditës të seancës së 54-të janë propozimi për zgjedhjen e zëvendësve të Avokatit të Popullit, propozim-ligjet për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për qarkullimin e materieve shpërghyese, të Ligjit për përcjelljen e komunikimeve, Ligjit për mbrojtjen nga lëndët shpërthyese, si dhe Ligjit për të huajt, të gjitha në lexim të dytë.
Ndër pikat e tjera të seancës janë Projekt-ligji i plotësuar për ndryshimin e Ligjit për Policinë, Projekt-ligji për ndërmjetësim në lexim të dytë, si dhe Projekt-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ruajtjen dhe mbrojtjen nga lëngjet e ndezshme dhe gazrat, në lexim të dytë.