Aktivisti Blendi Hodai me video mesazh për Nismën e CIVILit “Bëje dallimin, respektoji dallimet”.
Diversiteti etnik, fetar dhe kulturor në Republikën e Maqedonisë së Veriut, padyshim se është një thesar për vendin, sepse sa më shumë kultura ka një vend, aq më i pasur është. Personalisht, gjithmonë në konferenca ku i përfaqësoj të rinjtë e Maqedonisë së Veriut, ndjehem krenar që i përfaqësoj, sepse ekzistojnë shumë kultura të ndryshme te të rinjtë, që e bëjnë vendin tonë më të pasur.
Respektimi i të drejtave të njeriut, dallimeve dhe grupeve të margjinalizuara është një parakusht për vendin tonë dhe për të gjitha vendet që kanë aspirata drejt BE. Dhe neve si shoqëri na duhet shumë të punojmë, që të kemi një shoqëri ku do të respektohen dallimet, një shoqëri ku askush nuk do të diskriminohet dhe anashkalohet, një shoqëri ku diversiteti dhe e gjithë kjo laramani kulturash që jetojnë në vendin tonë, duhet të shihen si një vlerë e shtuar për ne, dhe jo si një kërcënim për vendin.
Një shembull personal që e ilustron përvojën në lidhje me respektimin e dallimeve, kulturave të ndryshme dhe grupeve etnike dhe fetare që jetojnë në vendin tonë , është pikërisht shembulli që unë dhe shumë nxënës kemi punuar që nga viti 2017, që kur jam kryetar dhe themelues i Unionit të nxënësve të shkollave të mesme, ku kemi bashkuar të gjithë nxënësit, pa dallim etnish, kulturës apo fesë të cilës i përkasim. Kjo ka bërë që për herë të parë nga viti 1991, konkretisht pavarësimit të Maqedonisë, ti bashkojmë të gjithë nxënësit në një subjekt të nxënësve, që nuk do të diskriminojnë nxënësit në baza etnike, kulturore ose fetare. Kjo ka bërë që të rinjtë këtu pas këtij shembulli, të jenë më të fuqishëm sesa kanë qenë para disa viteve.
Një ndër dëshirat se pse kam shprehur dëshirë të jem pjesë e kësaj nisme, është pikërisht një thënie e filozofit Platon, që thotë se obligim i çdo qytetari është të jetë pjesë dhe ti ndihmojë proceset në shoqëri, andaj unë vlerësoj se detyra ime si një i ri në Maqedoninë e Veriut, është pikërisht të ndihmoj në proceset që janë në interes të vendit, të ndihmoj në proceset që do të respektojnë bëjnë dallimin dhe do të respektojnë dallimet si të rinj në vendin tonë.
Ka ardhur kohë të bëjmë një pushim nga e kaluara, dhe të fokusohemi më shumë te ardhmëria, që të prosperojmë sa më shpejtë, dhe të krijojmë një të ardhme në të cilën gjeneratat e reja mos e shohin vendin e tyre si vend ku shkollohen dhe pastaj largohen jashtë vendit për shkak të polarizimit që është krijuar në shoqëri. Andaj, është koha të pushojmë paksa nga e kaluara, dhe të fokusohemi në ndërtimin e një ardhmërie sa më të mirë për të rinjtë.
Dijana Tahiri
Kamera: Dehran Muratov
Montazhi: Arian Mehmeti
Fotografia: Biljana Jordanovska