Gazetari dhe aktivisti Adi Qaili për CIVIL Media tregon për përjetimin e tij dhe të kolegëve të 27 prillit, 2017, ditën kur u sulmua Kuvendi i RMV.
-Para katër vitesh, ishte një rrezik për jetët e të gjithëve që ishin në oborrin e Kuvendit. Unë isha me detyrë për të raportuar drejtpërdrejt për edicionin e lajmeve, dhe diku nga përfundimi i protestës u pa se çdo gjë po del jashtë kontrollit, të gjithë protestuesit e kaluan barrierën e policisë dhe ia mësynë dyerve të Kuvendit. Pa e llogaritur rrezikun e atij momenti, unë dhe kameramani u hodhëm pas tyre, me ide që të marrim informacione nga dora e parë. Mirëpo, aty hasëm në sharje, ofendime dhe ata merrnin hov ndaj ekipit televiziv, si dhe ndaj ekipeve tjera, për shkak se nuk dëshironin të filmohej ky akt, meqenëse. Ishin të vetëdijshëm se po shkelin mbi objektin ligjvënës, dhe se po thyejnë shumë ligje në ato momente. Kishte civilë, që ishin të armatosur, shumë nga ata me maska, shumë tjerë vendosën bluzat mbi fytyrë për ta fshehur identitetin e tyre, dhe ia mësynë dyerve të Kuvendit. Në këtë rast rreziku ishte shumë i madh dhe nuk e di se si do të përfundonte. Skenarë të këqija rrotulloheshin, çdo gjë humbi kontrollin forcat e rendit e humbën mundësinë për ta ndaluar atë protestë, atë turmë të qytetarëve që ishin nisur nga Kuvendi, dhe çdo gjë ishte e tmerrshme…
Ne ishim në pjesën e jashtme të Kuvendit, meqë morëm hov të futemi brenda në Kuvend me protestuesit, pjesa tjetër e ekipit televiziv ishte brenda hapësirave të Kuvendit dhe unë isha i lidhur drejtpërdrejt në lajme. Merrnim pamje trishtuese, fytyra të çoroditura, jashtë kontrollit, thirrje të frustruara në baza nacionale, racore, antishqiptare dhe ne këto të gjitha i filmuam. Në një moment, më erdhi puna të konfrontohem pothuajse edhe fizikisht me protestuesit të cilët tentonin t’ia marrin kamerën nga dora kameramanit, për t’ia thyer, dhe në atë moment u larguam nga objekti, merrnim filmime tjera, deri në momentin kur u ndaluam nga persona civilë, të vilet u prezantuan si pjesëtarë të forcave të rendit, por që në fakt ishin pjesë e grupit organizues të protestës së 27 prillit, gjë që e kuptuam më vonë, thotë Qaili…
Nuk isha brenda në atë pjesë, meqë u thyen barrierat e forcave të rendit, dhe ne u drejtuam nga pjesa e pasme e Kuvendit, sepse civilët ia mësynë të gjitha dyerve. Nuk isha prezent në momentin kur është rrahur deputeti Sela, as deputetët tjerë ta opozitës së atëhershme. Mirëpo, në bazë të informacioneve që kishim nga brenda, përgatitej një eliminim fizik i shumë nga deputetëve, dhe si rrjedhë e kësaj, ata nuk e kishin ndërmend të na kursejnë edhe neve si punonjës të mediave. Në fakt, ata ishin në gjendje të eliminojnë çdo gjë që do t’u dilte përpara për ta penguar procesin e tyre.
Isha ndemjet dy zjarreve, duke dashur ta mbroj kolegun tim, i cili ishte cak i sulmit, sepse ai ishte me kamerë, dhe nga ana tjetër për ti mbrojtur edhe personat tjerë që erdhën, sepse televizioni ku punoja atëherë ishte fare pranë Kuvendit, dhe në momentin kur shumica e kuptuan se aty gjendet edhe një televizion kombëtar i shqiptarëve, ata filluan të na hedhin me gurë, dhe mbi objektin, duke u tentuar ta demolojnë. Nuk kishim kujt ti drejtohemi, sepse edhe forcat e rendit ishin jashtë kontrollit, dhe siguria jonë ishte me të vërtetë e rrezikuar.
Aty e nuhata një atmosferë të luftës qytetare. Pritej që shumë prej tyre të shkrepin edhe armë zjarri… Në momentin që ne u tërhoqëm në objektin tonë, sigurimi që e mbronte objektin na tha se duhet të futemi brenda në objekt, se përndryshe do të na sulmojnë dhe do ta kaplojnë gjithë televizionin, Atëherë u tërhoqëm deri sa u errësua, e pastaj nga dera e pasme e restorantit të televizionit, dy nga dy, duke larguar çdo gjë që do të na identifikonte si gazetarë, sikur jemi persona civilë dhe jemi gjetur rastësisht aty. Nuk kishim mundësi të lëvizim as me makina, rrugët ishin të bllokuara, u tërhoqëm nga perimetri i rrezikut dhe u drejtuam nga shtëpitë tona, sepse rreziku për jetët tona ende nuk ishte larguar.
Porosia është shumë e thjeshtë, vetë tentativa për hyrje në Kuvend, kinse për të mbrojtur kauzën e tyre dhe Kushtetutën, ndërsa në Kuvend po ndodhte një proces demokratik, nxitja e urrejtjes nga qarqe të ndryshme te protestuesit ka shkaktuar mendimin se ata po mbrojnë diçka që askush nuk ua merr, mirëpo, ndërsa ne si pjesë shtetformuese, etniteti shqiptar domosdo duhet të merr pjesë në të gjitha proceset, qoftë në Kuvend, qoftë në presidencë ose në Qeveri. Prandaj, porosia ndaj bashkëqytetarëve tonë nga etnitë tjera është shumë e qartë, nëse duam të krijojmë një shtet të fuqishëm, të qëndrueshëm dhe me të gjitha vlerat demokratike evropiane, patjetër se duhet të jemi pjesë shtetformuese, dhe sa më herët ata e kuptojnë këtë, aq më mirë do t’i kemi punët dhe do të integrohemi në BE.
Tekstin e përpunoi: D. Tahiri
Montazhi: Arian Mehmeti