Kategoritë

KOVID-19 Qeveria ka miratuar Programin për imunizim në vitin 2021, prej nesër pa PCR test në Serbi

Qeveria në seancën e djeshme, e pranoi Propozim-programin e Ministrisë së Shëndetësisë për imunizimin e detyrueshëm të popullatës në Maqedoninë e Veriut për vitin 2021, i cili përmban plan për sigurimin e nevojave vjetore të vaksinave për imunizim të detyrueshëm dhe vaksina sipas indikacioneve epidemiologjike.

“Programi përfshin grupe të personave të moshave të rritura të prirur ndaj vaksinimeve individuale, llojin e vaksinave që jepen dhe mënyrën e dhënies, kalendarin për imunizim për fëmijët nga zero deri në 18 vjeç dhe kalendarin për “catch-up” imunizim për fëmijët e vaksinuar në mënyrë të parregullt nga pesë deri në 18 vjeç”, kumtoi shërbimi për shtyp i qeverisë.

Në kumtesë theksohet se gjithsej fondet e miratuara për këtë program arrijnë në 805 milionë denarë, nga të cilat 415 milionë denarë janë për sigurimin e sasive të nevojshme të vaksinave për vaksinimin e vazhdueshëm, dozat minimale të nevojshme rezervë të vaksinave dhe imunoglobulina sipas indikacioneve epidemiologjike, ndërsa 390 milionë denarë për furnizimin e Kovid-19 vaksinave.

Përveç vaksinimit të planifikuar në luftën kundër Kovid-19, autoritetet shëndetësore e kanë përfshirë edhe ilaçin “Ivermektin”, i cili prej dje është i qasshëm për qytetarët nëpër barnatore.. Ky ilaç mund të merret vetëm me recetë mjekësore nga mjeku amë ose mjeku specialist. Siç theksoi Ministria, ilaçi mund të përdoret në mjekim shtëpiak dhe spitalor dhe të merren në mënyrë parandaluese, vetëm me rekomandim të mjekut, nëse personi ka qenë në kontakt me person pozitiv në kovid. Ilaçi kushton 299 denarë.

Statistika për Kovid-19, si edhe në javët paraprake edhe dhe tregon se po qetësohet situata me epideminë. Nga 3023 teste janë regjistruar 520 raste të reja të koronavirusit. Kanë vdekur 12 persona, kurse 372 pacientë u shëruan.

Kanë vdekur 12 persona, katër pacientë nga Shkupi (88, 50, 82 dhe 65), një pacient nga Dibra (72), dy nga Struga (79 dhe 81), dy pacientë nga Ohri (94 dhe 66), një pacient nga Strumica (79), nga Kriva Pallanka (59) dhe një pacient nga Kërçova (70). Pacientët vdiqën në spital.

Numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve me koronavirus në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë arriti 87117, numri i pacientëve të rikuperuar është 68364, numri i të vdekurve  2647, kurse numri i rasteve aktive arriti 16106.

Në SPQ “8 Shtator gjithsej ka 93 pacientë, ndërsa  në Klinikën për Sëmundje Infektive janë të shtruar 88 pacientë, ndërsa 27 pacientë në Institutin për sëmundjet e mushkërive tek fëmijët Kozle.

Serbia prej nesër, do ta heq testin e detyrueshëm PCR për hyrje në vend për shtetasit e Maqedonisë së Veriut. Këtë ia ka konfirmuar sot në bisedën telefonike kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, kryeministrit Zoran Zaev.

Siç ka bërë të ditur Pres shërbimi qeveritar, në bisedën telefonike mes Zaevit dhe Bërnabiqit, mes tjerash janë shprehur urime për vit të suksesshëm 2021 si dhe dëshira dhe interes për bashkëpunim edhe më të thellë mes qeverive dhe popujve të të dyja vendeve në vitin e ri.

“Kryeministrja Ana Bërnabiq e informoi kryeministrin Zaev se nga dita e enjte, 14 janar, Republika e Serbisë do të heq testin e detyrueshëm PCR për hyrje në Serbi për qytetarët e Maqedonisë së Veriut në të cilën përsëri do të sigurohet reciprocitet dhe komunikim i ndërsjellë pa pengesë mes qytetarëve të të dyja vendeve”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.