Do të tentoj t’i inkurajoj liderët nga fqinjësia, por edhe këtu në Greqi, liderët nga Qeveria, nga Parlamenti dhe presidenten e vendit, Maqedoninë e Veriut ta shohin si partnere të mirë për zhvillim të ardhshëm, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev gjatë panel diskutimit kushtuar Ballkanit Perëndimor në kuadër të konferencës së “Ekonomist” dhe shtoi se personalisht për të, është shumë me rëndësi “t’i tregojmë pjesës tjetër të botës, posaçërisht rajonit të Evropës Juglindore, se secila marrëveshje, secila miqësi, secili shtrëngim duarsh, sjellë përfitime për qytetarët”.
Siç lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina, kryeministri i Maqedonisë, foli për marrëdhëniet me Greqinë, por edhe me fqinjët e tjerë, për situatën tek ne, për perspektivën evropiane të rajonit, si dhe për takimet e sotme me kreun shtetëror grek.
“Ndjehem sikur të jetë plotësim i ëndrrës sime, të vij në Athinë të bisedoj për biznes, të bisedoj për bashkëpunim, të bisedoj për ndarje të përvojave. Me të vërtetë jam shumë i lumtur, sepse tërë ajo që ndodhi gjatë disa viteve të kaluara në Ballkanin Perëndimor, besoj se është një lloj i fokusit të posaçëm në Ballkanin Perëndimor, për të cilin nuk ka alternativë përveç anëtarësimit në BE dhe në NATO dhe se strategjia për të gjitha vendet na udhëheqë të bëjmë reforma në vendet tona, ta përmirësojmë cilësinë e jetës për qytetarët tanë, të ndërtojmë miqësi të mira, e përmes këtyre miqësive e ndryshuam Ballkanin, gjithnjë e më tepër po bëhemi evropianë”, tha Zaev.
Lidhur me takimin e sotëm me kolegun e tij grek, ai sqaroi se do të bisedojnë për hapat e ardhshëm në bashkëpunim, një nga temat do të jetë edhe evitimi i tatimit të dyfishtë, mbrojtja e investimeve, por edhe Marrëveshja e Prespës.
“Pas zgjedhjeve tona, duhet të vazhdojmë të bisedojmë për të gjetur mënyrë se si t’i zgjidhim emrat e brenduar të produkteve. Në tetor, odat nga Greqia, nga Selaniku dhe Athina do të jenë në Shkup për të këmbyer ide, e më pas grupi i ekspertëve do të vazhdojë të gjejë zgjidhje për atë”, tha Zaev dhe shfaqi shpresë se edhe komisioni për librat shkollorë së shpejti do të gjejë zgjidhje.
Kryeministri theksoi se pas marrëveshjeve me Bullgarinë dhe Greqinë, Maqedonia e Veriut është vend që zhvilloi miqësi të madhe me të gjithë fqinjët, ndërkaq duke folur për perspektivën evropiane, sqaroi se vendi ynë, së bashku me Shqipërinë, pret në dhjetor të fillojë negociata me BE-në dhe shtoi se kryesimi gjerman dhe kancelarja Merkel janë të përkushtuar në këtë proces.
Paralelisht, ai përmendi se edhe roli dhe ndihma e Greqisë janë të rëndësishëm në rrugën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë drejt BE-së.
Për atë se sa kohë do të nevojitej që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e barabartë e BE-së, Zaev tha se kemi pritje reale dhe procesi do të zgjasë aq sa nevojitet.
“Pesë, shtatë, dhjetë vite. Varet nga ne, por varet edhe nga BE-ja se sa është e fokusuar në Ballkanin Perëndimor”, tha Zaev dhe shtoi se çështja, “nuk është të jemi anëtare të BE-së, vetë sa për të qenë në BE, por Evropën ta fusim brenda Maqedonisë së Veriut”.
Në panel, kryeministri i Maqedonisë së Veriut u përqendrua edhe në situatën ekonomike në vend, por edhe në marrëdhëniet tregtare me Greqinë, që shënojnë rritje prej 20 për qind pas Marrëveshjes së Prespës, duke cekur se qytetarët dhe biznesmenët e ndjekin klimën pozitive dhe shfaqi shpresë se pas krizës me koronavirusin do të vazhdojë të rritet këmbimi tregtar me fqinjin jugor.
Zaev theksoi se “politikanët mund të fitojnë në zgjedhje pas vendimeve të rënda, dramatike, historike” dhe sqaroi se janë të vendosur të gjitha çështjet vendore, duke potencuar se “Maqedonia e Veriut, tani është shtet pa çështje të hapura në brendi”.
Në ditën e dytë të konferencës së “Ekonomist”, në panel diskutim së bashku me Zaevin, merr pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ish-ministrat e jashtëm grekë, Dora Bakojani dhe Jorgos Katrugallos, të cilët tani janë deputetë nga Demokracia e Re, përkatësisht SYRIZA.
Para fillimit të panelit, pjesëmarrësit patën bisedë të shkurtë joformale me zëvendëskryetarin e Qeverisë, i angazhuar për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov dhe ambasadorin e SHBA-së në Athinë, Xhefri Pajat.