Kategoritë

EKONOMI ANALIZË: A do të ketë huamarrje të re – arka e buxhetit të RMV-së riplanifikohet! (infografik)

Me të ardhura prej 1.7 miliardë eurosh dhe një deficit buxhetor më të lartë se gjysmë miliardë euro deri në muajit të shtatë të këtij viti, qeveria filloi të bëjë llogaritje për një ristrukturim të ri të buxhetit. Siç pritej, një pjesë e shpenzimeve kapitale do të “shkurtohen” përsëri, por Ministria e Financave njofton se projektet e infrastrukturës do të “zhbllokohen” dhe do të punohet në terren, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Borxhi publik po i afrohet 60% – a do të ketë huazime të reja për masat e reja ekonomike?

Disa nga ministritë kanë bërë kursime, por sipas informacioneve të “Portalb”-it, ato gjithashtu kanë raportuar fonde “të tepërta” si rezultat i mosrealizimit të projekteve të planifikuara. Kjo është një nga arsyet pse Qeveria planifikon të bëjë rebalanc të buxhetit. Sipas informatave, do të analizohen pozicionet e shpenzimeve kapitale brenda të gjitha institucioneve dhe departamenteve që nuk janë realizuar, kështu që ka mundësi të të ketë shkurtime të reja në këtë segment, gjegjësisht ridestinim të parave të pashfrytëzuara. Për më tepër, në buxhetin aktual ka mjete edhe nga fondi Kovid për mbështetjen e ekonomisë që kanë mbetur të pashfrytëzuara, kështu që edhe ato do të “rezervohen” në buxhetin e ri të rebalancuar, si pjesë e paketës së re, të katërt, për ta ndihmuar ekonominë. Kryeministri Zoran Zaev para do kohësh njoftoi se thesari i shtetit do të riplanifikohet në përputhje me mundësitë aktuale financiare, pa parashikuar huazime të reja. Ministria e Financave njoftoi se megjithatë shqyrtohet mundësia për mobilizimin e fondeve të lira në tregun e brendshëm financiar, si dhe për tërheqjen e financave nga burime të huaja.

“Prioriteti kryesor do të jetë zbutja e efekteve të krizës së Kovidit dhe sigurimi i një baze solide për rimëkëmbjen e ekonomisë, duke ruajtur me këtë rast stabilitetin makroekonomik. Fokusi do të vendoset në tërheqjen e mjeteve financiare në ekonominë tonë nga burime të jashtme të financimit, si dhe do të shqyrtohen mundësitë për mobilizimin e burimeve të lira financiare nga tregu i brendshëm financiar, dhe kështu, në koordinim me Bankën Popullore, duke e ruajtur stabilitetin financiar dhe monetar në ekonomi” – njoftuan nga kabineti i Ministrit të Financave, Fatmir Besimi.

Cilat janë pozicionet aktuale të borxhit të Maqedonisë? Deri në fund të korrikut, gjegjësisht muajit të shtatë të vitit, u shpenzuan 521 milion euro, ose pothuajse 70% e deficitit buxhetor të planifikuar për këtë vit. Borxhi publik i vendit iu afrua kufirit prej 60 përqind dhe konkretisht, deri në gjysmën e parë të këtij viti, arriti në 59.5% ose 6 miliardë e 527 milion euro.

Borxhi i qeverisë, i cili i përfshin vetëm borxhet e qeverisë qendrore, komunave dhe të fondeve, arriti pothuajse në 5.6 miliardë euro ose 50.7%. Të gjithë këta parametra janë praktikisht “maja” historike që ndodhin në një periudhë që është një nga më të vështirat për ekonominë.  Në prag të buxhetit të rebalancit, informatat e fundit tregojnë se deri në fund të korrikut, janë shpenzuar 2 miliardë e 234 milion euro, kurse shumat më të mëdha janë shpenzuar për zërat e mëposhtëm: transferimet sociale 1.1 miliardë euro, fondi i sigurimit pensionale dhe invalidore 652 milionë euro, mbrojtja shëndetësore 312 milionë euro dhe për transferime të tjera janë shpenzuar 472 milionë euro.

Bizneset kanë nevojë për një injeksion të ri financiar – çfarë mund të fitojnë?

Ndërsa hartuesit e politikave ekonomike demonstrojnë optimizëm, një rikuperim që do të sjellë dyfishimin e rritjes ekonomike, biznesmenët nga dhomat e tregtisë dhe shoqatat ekonomike reaguan me kërkesa në prag të miratimit të paketës së katërt ekonomike për ta mbështetur ekonominë.

“Ne presim të ndërhyhet me mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për sektorët më të prekur për t’i zbutur efektet e pandemisë sa më shumë që të jetë e mundur, pasi ka veprimtari që janë në prag të kolapsit. Kriza vazhdon për më shumë se gjashtë muaj, ka veprimtari që janë ende të mbyllura me dekret nga qeveria, dhe për këtë arsye është e nevojshme sa më shpejt që të jetë e mundur që kryeministrat e vendeve të rajonit dhe botës të krijojë protokolle të sakta për ushtrim të veprimtarive, por edhe parandalimin e përhapjes së infeksionit, që t’u mundësohet të funksionojnë” – deklaroi Daniela Arsovska nga LDhT.

Edhe me buxhetin e ri të ribalancuar do të parashihen fonde për masat e reja, por me ato do t’i ndihmohen qytetarët dhe kompanitë që kanë nevojë për më shumë ndihmë, dhe midis tyre do të jetë kategoria më e prekshme e pensionistëve, punëtorëve të kompanive të falimentuara, prindërit e vetëm, njerëzit që e kanë humbur punën për shkak të Kovid-19. Kompanitë që e keqpërdorën ndihmën shtetërore përmes masave të deritanishme e humbën të drejtën për të aplikuar për paketën e re.

 

burim: https://portalb.mk/

Leave a Comment

You must be logged in to post a comment.