Në një botë e cila me këmbëngulje mohon se është para kolapsit ekologjik, është shumë rëndë të flitet për drejtësi ekologjike, mbrojtje e mjedisit jetësor dhe kujdesin për natyrën, dhe njëkohësisht të shfrytëzohen përfitimet nga zhvillimi teknologjik.
Shumica daljen e kërkojnë në zgjidhje globale përballë kërkimit të daljes në një rreth më të ngushtë të individit, bashkësisë ose popullit, çdo kush me kufizimet dhe resurset e veta.
Mirëpo, përdoret gjuha e njëjtë për zgjidhjen e konflikteve. Ndeshja e interesave çdo herë drejtohet nga përfitimi i pakicës, ndërsa të gjithë duam të mbijetojmë. Për këtë nevojitet minimumi i ajrit të pastër, ujë, gjelbërim dhe ushqim i shëndetshëm.
Por, nuk është kështu. Ajo që brengos është që të gjithë e dimë, por nuk kemi vullnet të mjaftueshëm, dëshirë ose nevojë të ndërmarrim diçka. Për arsye se çdo herë ekziston dikush tjetër që do të kujdeset edhe për ne.
Nga tentimet (e trashëguara) për kujdesin për natyrën, siç kujdesemi për vendbanimin tonë, deri te strategjitë e zhvilluara dhe mënyrat për menaxhimin me krizën ekologjike, çdo herë si pengesë paraqitet vetëdija e dikujt.
Krijimi i opinionit publik dhe forcimi i vetëdijes publike se vendimet individuale ndikojnë në sjelljen kolektive si tërësi në një shoqëri, kërkon punë dhe kohë.
Vullnet ndoshta edhe ka, por kohë, çdo ditë më pak. Që të arrihet ajo shkallë e vetëdijesimit se nga natyra varemi më së tepërmi, dhe, të flasim drejtë, natyrë kemi çdo ditë e më pak, shihet se më në fund duhet të fillojmë të sillemi si qenie të vetëdijshme.
Është e saktë se që në fëmijëri na mësojnë prindërit, edukatorët, arsimtarët, profesorët, ku duhet të hedhim mbeturina, si ta përmbledhim, pse duhet të mbillen pemë, të mirëmbahen hapësirat e gjelbra, të mos shkelet gjelbërimi, të shkohet nëpër pyje, pse është më mirë të përdoret biçikleta sesa automobili…Mirëpo, kur në zhvillimin tonë do të arrijmë deri te mësimet se çfarë do të thotë liria, barazia, dinjiteti, sa kushton shëndeti dhe lumturia, si manifestohet dashuria, arrijmë në gjendje të harresës së vlerave të caktuara, në llogari të vlerave tjera.
Dhe nuk është risi, as shpikje e sotme, po në botë, alternativat e gjelbra janë faktor determinues për vazhdimin e jetës në këtë planet, dhe me këtë edhe e të gjitha qenieve të gjalla. Edhe pse të vetëdijshëm, njerëzit janë ndotësit më të mëdhenj dhe shkatërruesit më të mëdhenj të natyrës. Edhe një fakt që e dinë të gjithë dhe askush nuk e mohon.
Atëherë pse ( pa vetëdije në vetëdijen tonë) me këmbëngulje dhe me instinkt shkatërrues kontribuojmë për vrasjen, në rend të par, të vetvetes?
Në një vend si Maqedonia është rëndë të tejkalohen vlerat abstrakte kundër atyre primare dhe reale. Nëse një shoqëri më tepër vlerëson statuja dhe karikatura ndërtimore si element i vetëpërcaktimit, nëse ndërton kult të traditave shkatërruese, dhe jo bashkuese, madje edhe vendosja e një koshi plehrash në një rrugë do të përballet me konflikt. Dhe së shpejti ky kosh do të zhduket, do të ketë konkurrencë, ose thjeshtë, nuk do të vendoset, dhe në vend se askush, të gjithë do të mbyten në deponi.
Të gjithë e dimë përgjigjen – vetë kemi faj për këtë sjellje shkatërruese. Mirëpo, çfarë ndikon për një sjellje të tillë?
Do t’i kthehem drejtësisë ekologjike. Nëse kjo sipas definicionit nënkupton sjellje të drejtë ndaj mjedisit jetësor dhe natyrës, dhe secili hap i padrejtë i nënshtrohet sanksioneve dhe dënimeve të rregulluara me ligj, atëherë pse figuron zbehtë si fjalë dhe mendim, por jo edhe si vepër?
Përgjigje ka shumë. Megjithatë, varësia dhe reagimi i lidhur në zinxhirin e jetës, asaj të civilizuar, është shumë më i madh sesa e pranojmë…Dhe këtu, fjalën e parë do ta merr drejtësia sociale, dhe në këtë kontekst varfëria, e cila kontribuon për shkatërrimin e dinjitetit njerëzor, për lumturi të mos flasim, mirëqenia ekonomike si ëndërr e paarritshme, dhe mbi këto shtresohet edhe mospasja qasje deri te kuptimi, njerëzorja, solidariteti dhe ndihma… Liria personale? Lodër e shtrenjtë për ata që mund ta blejnë me para.
Dhe e gjithë kjo duhet të tejkalohet, në një shoqëri si për shembull, Maqedonia, që të arrihet në shkallën që jo vetëm të bisedohet dhe veprohet në nivel lokal, por me vendosmëri të përcillet dituria dhe praktika për rëndësinë e drejtësisë ekologjike, pastaj vlerat e gjelbra, mbrojtja e mjedisit jetësor, dhe më tej edhe vetëdija globale dhe nevoja për kujdes për planetin Tokë. E gjithë kjo – duke nisur nga oborri i jonë, nga rruga, qyteti dhe shteti, fqinji i parë, kontinenti dhe e tërë bota, e deri në univers.
Vullneti ekziston, edukimi është në fazë përparuese…Kohë, çdo ditë e më pak.