Vërehet perspektiva për zgjidhjen e emrit, tha kryeministri grek Aleksis Cipras në fjalimin në kuvendin e përgjithshëm vjetor të Federatës së Ndërmarrjeve të Greqisë.
Duke folur për rolin e Greqisë si shtyllë e stabilitetit të Ballkanit, Cipras si shembull e përmendi “perspektivën për zgjidhje që vërehet në negociatat e rënda, por të domosdoshme me IRJM-në”, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
“Negociata me të cilat menaxhuam dhe vazhdojmë të menaxhojmë me ndjenjën e përgjegjësisë dhe patriotizmit. Por, edhe me vendosmëri dhe besim në nevojën për gjetjen e zgjidhjes”, tha Cipras.
Kryeministri grek theksoi se pasqyra për Greqinë në planin ndërkombëtar ngadalë po ndryshon dhe po përforcohet, por për atë nevojiten vendime të rënda dhe të guximshme. Mund të arrihet nëse lihet anash çmimi politik, ndërsa të merret parasysh interesi i vendit.
“Këtë po mundohemi ta bëjmë, duke punuar në zgjidhje, sepse besojmë se mund ta kthejmë pozitën udhëheqëse të vendit në Ballkan. Diçka që do të ketë pasoja më të gjëra pozitive, jo vetëm në planin gjeopolitik, por edhe në fushën e ekonomisë dhe sipërmarrësisë, duke krijuar një dinamikë të re për zhvillimin e rajonit tonë, të Ballkanit perspektivë të re të bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit tonë, ndërsa në të njëjtën kohë do t’i ndalë aspiratat për qeverisje ekonomike dhe politike të forcave të tjera në rajonin më të gjerë, siç është Turqia, për shembull”, shtoi Aleksis Cipras në fjalimin e tij.