Në një lagje rome në Tetovë, në qendër të qytetit, jetojnë rreth 150 njerëz nga të cilët 90 janë fëmijë. Të harruar nga institucionet dhe shteti ata jetojnë në kushte substandarde, pa ujë, pa kanalizim, pa rrymë…Ekipi i Civilit i vizitoi banorët e kësaj lagje në ditën e tretë të Shën Gjergjit ( Hederlezi) kur në lagje kishte atmosferë festive.
Numri më i madh i banorëve në atë lagje jetojnë në shtëpiza të improvizuara, pa kushte elementare për jetë. Në çdo anë ka mbeturina, baltë, ujë nga kanalet…Vetëm disa metra nga shtëpiza në të cilën jetojnë, ka një dhomë në të cilën e ruajnë kalin, nga i cili, siç thonë, e fitojnë bukën e gojës!
Megjithatë, përskaj jetës së rëndë, ata gjejnë mënyrë për mbijetesë dhe të zbaviten. Derisa ishim në lagjen, vazhdimisht dëgjohej muzikë dhe kishte atmosferë zbavitëse, në pjesën ku një pjesë e burrave kishin vendosur tryezat me ushqime dhe pije freskuese. Edhe pse nuk kanë para, megjithatë, për festën Hederlez, ata kishin përgatitur qengj, që ta ruajnë traditën e paraardhësve të tyre…
Pamje mbireale ( për perceptimin tonë), mure të pista të shtëpizave, njerëzit edhe më të përlyer, si pasojë e mungesës së kushteve elementare higjienike, zhurmë fëmijësh, zëra grash dhe tryezë solemne e rrethuar me burra, të cilët u shqetësuan nga prania ynë.
Në lagjen na priti Medija Krasniqi e cila ka 5 fëmijë, nga të cilët vetëm një shkon në shkollë. Tjerët janë pak më të moshuar, por nuk shkojnë në shkollë. Ajo thotë se ushqehen me mbledhjen e shisheve të plastikës, dhe shton se nuk ka shporet elektrik, nuk ka lavatriçe, as banjë, nuk ka kanalizim…Thotë së në dimër ngrohen me djegien e këpucave dhe atleteve.
Medija është e sëmurë nga astma, si dhe, edhe pse ka librezë shëndetësie, thotë se shërbimet shëndetësore i paguan privatisht.
“Kot kam librezë, tani shpejtë isha te mjeku dhe paguajta 1500 denarë për një infuzion, nuk mundja të marr frymë, sepse vuaj nga astma. Askush nuk më ndihmon, as shërbimet sociale, as komuna nuk na ndihmon madje edhe kur na kapluan vërshimet askush nuk erdhi të na ndihmojë. Nuk kam para sa për ilaçe, sepse ndihma sociale vonohet 2-3 muaj”, thotë ajo, duke shtuar se politikanët i vizitojnë vetëm kur i marrin për votime, pastaj i harrojnë.
Emine Mustafova thotë se ka fëmijë të cilët i zë gjumi të uritur, dhe së për këtë askush nuk bengoset!
“Njerëzit këtu ushqehen nga kontejnerët. Nëse shkojnë të kërkojnë lëmoshë, do të kenë ushqim, nëse jo, do të qëndrojnë në shtëpi pa ushqim. Nuk kemi as kanalizim, nga komunaleci nuk vijnë t’i mbledhin mbeturinat, mbeten këtu nga një muaj. Askush nga shteti nuk vjen të pyesë si jetojmë, vijnë vetëm kur u duhemi për vota dhe aq. Të vjen dikush nga shteti ose komuna t’u ndihmojë këtyre njerëzve që jetojnë këtu. Nuk ka pastërti, fëmijët sëmuren nga infeksione të ndryshme”; thotë Mustafova.
Gjatë vërshimeve, për shkak të lagështisë dhe kundërmimit në një nga shtëpitë, ka vdekur një vogëlushe.
“Në shtëpinë time vdiq vogëlushja për shkak të vërshimeve. Tani jetoj me qira te kunati im, i paguaj 2000 denarë në muaj për dy dhoma. Edhe aty rrjedh ujë kur bie shi”, thotë nëna e vogëlushes, Naza Berati.
Naza pranon rreth 2300 denarë ndihmë sociale, por thotë se ka disa muaj që nuk e ka pranuar këtë ndihmë, dhe shton” Nuk kam para as pelena t’u blej fëmijëve, nipërve”. Ajo thotë se jetojnë dhe ushqehen me mbledhjen e hekurit dhe shisheve të plastikës. Veshje për fëmijët gjejnë nëpër kontejnerë ose te Kryqi i Kuq. Bashkëshorti i saj i cili është i lindur dhe jeton në Tetovë nuk ka letërnjoftim, sepse nuk ka shtetësi.
A do t’i vizitojë dikush nga institucionet përkatëse dhe t’u ndihmojë banorëve të kësaj lagje? A do të angazhohen me të vërtetë përfaqësuesit Romë politikanë për jetë më të mirë të Romëve? Ka shumë pyetje, por çështja më kryesore është se a do të jenë edhe më tej Romët vetëm makinë votuese e cila edhe më tej do të jetojë në skajet e shoqërisë…
Gazetare: D. Tahiri
Përpunimi i tekstit dhe kamera: Dehran Muratov
Montazhi: Ermin Klimenta