Shumë ushqim i hedhur në plehra, ndërsa shumë të uritur në Maqedoni. Si të bëhet sistem me të cilin ai në vend se në mbeturina të përfundojë te ata të cilëve më së shumti u nevojitet. Kuzhinat popullore nuk janë funksionale, shërbejnë numër të vogël të njerëzve, ndërsa kanë çmim të lartë të mirëmbajtjes, potencojnë organizatat civile, të cilat viteve të fundit punojnë për ballafaqim me këtë problem. Qëndrim me të cilin pajtohen edhe nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. Zgjidhjen edhe të parët edhe të dytët e shohin në vendosjen e sistemit të qëndrueshëm, me të cilin do të mundësohet që ushqimi tepricë nga prodhuesit, distributorët, tregtarët, objektet hotelierike dhe amvisëritë në mënyrë efikase të shpërndahet dhe dërgohet deri në vende të caktuara, ku qytetarët e rrezikuar socialë do të kenë qasje.
Për këtë qëllim edhe Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale shpalli thirrje publike “ObrokZaSite”, ku mund të paraqiten të gjitha kompanite e interesuara mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe organizata civile, përmes të cilave me mjete financiare do të ndihmohet të realizohen zgjidhjet më inovative për sigurimin e ushqimit për qytetarët e varfër, të ofruara në thirrje.
“‘ObrokZaSite’ synon gjetjen e zgjidhjes inovative, sistematike dhe të qëndrueshme për sigurimin e ushqimit për personat dhe familjet me nevojë reale për përkrahje të bashkësisë. Me zgjidhjen do të mundësohet që ushqimi tepricë nga prodhuesit e ushqimit, distributorët, tregtarët, objektet hotelierike dhe amvisëritë që do të donin të bëhen pjesë e kësaj platforme, në mënyrë efikase të shpërndahet dhe dërgohet deri në vende të caktuara, ku qytetarët e rrezikuar socialë kanë qasje”, tha Jovan Despotovski, drejtor i Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik.
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Milla Carovska vlerëson se kjo thirrje duhet të mundësojë të gjendet zgjidhje inovative që të sigurohet ushqim për të gjithë të cilëve u nevojitet.
“Të mendojmë sistem që nënkupton grumbullimin e ushqimit të tepërt që mbetet dhe për momentin përfundon në mbeturina dhe të orientohet drejt qytetarëve për të cilët ky ushqim do të thotë shumë sepse jetojnë në varfëri”, thotë Carovska.
Shumë organizata joqeveritare dhe civile punojnë në ballafaqim të këtij problemi. Por, të gjitha aksionet edhe pse janë të mirëseardhura janë individuale, në kohë të kufizuar në varësi të mjeteve për realizimin e projekteve, dhe gjithashtu me to përfshihen një numër i vogël i qytetarëve. Për këtë shkak forcat duhet të bashkohen, të vendoset bashkëpunim midis institucioneve shtetërore, pushtetit vendor organizatave civile me qëllim që ushqimi që hidhet të arrijë tek një numër i madh i qytetarëve të varfër.
Dushko Hristov nga Banka për ushqim, organizata që shumë vite merret me këtë problematikë, thotë se është e mundur të vendoset sistem i mirë dhe se duhet të shfrytëzohen përvojat e këtyre vendeve në të cilat sisteme të ngjashme funksionojnë. Për këtë, thotë, nevojitet bashkëpunim i institucioneve shtetërore, pushtetit vendor dhe shoqatave civile, fushëveprimi i punës të së cilëve është pikërisht kjo fushë. Varfëria potencon, është në nivel lokal dhe në atë rural dhe kështu duhet të veprohet, sepse shumë nga këta të cilëve u nevojitet ushqim nuk munden apo nuk dinë si të vijnë deri te vendi ku ky do të ofrohet. Për këtë shkak duhet të bëhen përpjekje që ushqimi të sillet deri te to.
“Për momentin autoritetet pak i kanë hapur dyert që të mundemi t’u sugjerojmë si do të zgjidhej kjo. Në Maqedoni hidhet shumë ushqim. ne kemi bërë hulumtime sa janë sasitë e ushqimit që hidhen, sa pjesë nga ushqimi është i përditshëm, sepse jo i gjithë ushqimi që përfundon në hedhurina mund të shfrytëzohet për familjet e rrezikuara sociale dhe qytetarët. Ata kanë treguar se në Maqedoni hidhet ushqim që mund të vendoset në sistem, vetëm ushqim që përfundon në Drislla, e cila është e vetme që mund të japë dokument për ushqim të anuluar apo të shkatërruar, mund të shërbejë 15 deri 16 mijë familje dhe si merret parasysh se një familje ka mesatarisht të paktën tre anëtarë kjo do të thoshte se me ushqimin mund t’u ndihmohet rreth 45 deri në 40 mijë njerëzve, të cilët në mënyrë të këtillë të donojnë të paktën një racion në ditë gjatë tërë vitit, thotë Hristov.
Mendon se edhe pse deri më tani organizata të ndryshme dalin me numër prej 450.000 qytetarëve të cilët kanë vetëm një racion në ditë, ai numër nuk është i saktë dhe se shfrytëzohet për të treguar se situata në Maqedoni është alarmuese.
“Situata është e keqe, por jo në përmasa kaq të mëdha. Në Maqedoni kemi varfëri dhe uri, kjo nuk është kontestuese si organizatë kemi qenë në shumë shtëpi. Në gjysmën prej mbi 30 mijë shtëpive të këtyre familjeve nuk do të duhej të jetonte as një qen bile, sepse kushtet janë të atilla që nuk kanë as energji elektrike, as ujë, as frigorifer, ashtu që edhe nëse marrin ushqim nuk kanë ku ta ruajnë”, thekson Hristov.
Sipas tij, kontestuese është ajo që ekzistojnë shumë organizata civile të cilat punojnë në mënyrë të segmentuar në këtë çështje. Me këtë fragmentim, thotë bashkësia e biznesit do të duhet të jetë donator kryesor i ushqimit, duke filluar nga prodhuesit, distributorët, shitësit, gjendet në pozitë të palakmueshme sepse nuk di me kë të bashkëpunojë.
“Nuk ofrohet koncept që është i qëndrueshëm, por është nga karakteri i përkohshëm dhe shërben një numër të vogël të qytetarëve. Kompanitë dëshirojnë të ndihmojnë edhe një pjesë të prodhimeve të tyre t’i vendosin në funksion të të varfërve dhe të uriturve, por, kërkohet formë dhe mënyrë. Ushqimi që është afër skadimit për përdorim përmes rrjetit të organizatave në vend që të përfundojë në Drisla ose në deponi të tjera, duhet të distribuohet në nivel lokal tek ata që u është i nevojshëm. Në bazë të donacioneve dhe sponsorizimeve të tilla, kompanitë do të kenë përfitime sepse mund të bëjnë kthim prej pesë për qind të TVSH-së në pjesën e ushqimit të donuar”, thekson ai.
Potencoi se do të ishte mirë në të ardhmen të mendohet që kompanitë donatore të kenë edhe një lloj tjetër të beneficionit, sepse ai për momentin është i limituar. Ne, thotë, do të tentojmë të ofrojmë edhe drejtime për krijimin e një sistemi të tillë, por deri në vendosjen e tij ushqimi do të duhet të distribuohet përmes të ashtuquajturave banka për ushqim.
Thotë se kuzhinat popullore janë joadekuate sepse mbulojnë vetëm një përqindje të vogël të të varfërve, përkatësisht rreth katër mijë njerëz. Problem shtesë, shton është ajo që ushqimi që ndahet nuk është cilësor.
“Nuk do të thotë se nëse dikush është i uritur duhet të hajë ushqim të tillë të keq dhe me çdo çmim të arsyetohemi se i kemi dhënë ndonjë ndihmë”, thekson ai.
Si një nga shembujt që mund të funksionojë, është në komunën e Qendrës. Kryetari i komunës Sasha Bogdanoviq e potencoi sistemin e bankave për ushqim, diçka që të cilën veçmë punohet në komunë.
“Shpresoj se në periudhën më të shkurtë në bashkëpunim me të gjithë faktorët Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, sektori i biznesit, njerëzit të cilët prodhojnë dhe distribuojnë ushqim, por edhe të gjithë që duan të dhurojnë, do të mund të bëjmë sistem në të cilin në vend se të hidhet të sillet deri te ato të cilëve më së shumti u nevojitet”, tha Bogdanoviq.
Sqaroi se në komunën e Qendrës veçmë është siguruar vend në hapësirat e Kuzhinës popullore, prej ku do të dorëzohet deri te shfrytëzuesit e ndihmës sociale por edhe deri te të gjithë të cilëve u nevojitet.
Sllavica Stefanovska
Burimi: MIA