Komisioni Evropian sot pret që të rekomandojë fillim të pakushtëzuar të negociatave për Maqedoninë. Kjo thuhet në projekt-raportin për Maqedoninë, deri tek i cili erdhi MIA. Megjithatë, burime në Bruksel paralajmërojnë se formulimi, mund të ndryshojë në moment të fundit.
“Në dritë të progresit të arritur, KE-ja rekomandon që negociatat për anëtarësim të fillojnë me Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Vendimtar do të jetë ruajtja dhe thellimi i hapit të tanishëm reformues për prioritetet urgjente reformuese. Me qëllim që ta mbështesë këtë, KE-ja do ta aplikonte qasjen e përforcuar për kapitujt negociues në sferën e gjyqësisë, të drejtave fundamentale dhe në drejtësi, sferën e lirisë dhe sigurisë në vend”, qëndron në pjesën e raportit të KE-së sa i përket vendit tonë.
Siç njofton korrespondentja e MIA-s nga Brukseli, KE shkruan se Maqedonia në pjesë të madhe e kaloi krizën e thellë politike. Reformat e nevojshme strukturore janë proces i ngadalshëm për çka do të nevojiten vite dhe dëmi i bërë viteve të fundit nuk do të korrigjohet brenda natës.
KE e përshëndet punën e vendit për ballafaqim me prioritetet urgjente reformuese përmes “dëshirës së sinqertë për reforma dhe vlerësim objektiv të gjendjeve, e përcjellë me përgatitje për strategjitë dhe legjislacionin në të cilat prej shumë kohësh pritet dhe konsultime me të gjithë aktorët duke e përfshirë edhe opozitën në mënyrë inkluzive dhe transparente”.
“Edhe krahas vështirësive për shkak të mungesës së partisë kryesore opozitare nga dhjetori deri në fund të janarit, strategjitë dhe ligjet kryesore janë miratuar në fund të dhjetorit/shkurtit dhe shumë të tjera janë në përgatitje.
KE në raport shton se edhe më e rëndësishme është që vullneti politik për zhvillim është sërish i pranishëm.
“Ndryshim pozitiv në mentalitetin politik vërehet në gjithë shoqërinë, mungesa e të cilës ishte pengesë më e madhe në vitet e fundit”, shkruan KE për Maqedoninë.
Burime në KE për MIA-n paralajmërojnë se eurokomisarët duhet edhe njëherë të takohen para se të finalizohet raporti, sot rreth orës një në Strasburg, dhe se deri atëherë ende janë të mundshme disa ndryshime në formulime.
Kryeministri Zoran Zaev në vigjilje të publikimit të raportit të Komisionit Evropian dhe ardhjes në Shkup të përfaqësueses të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini dhe eurokomisarit Johanes Han, dje deklaroi se është fakt se kemi punuar dhe se Maqedonia meriton rekomandim të pastër të kristaltë nga Brukseli.
“Për mua janë të rëndësishme fjalët në atë rekomandim, sepse kjo për ne është ose inkurajim ose dekurajim. Kjo është e rëndësishme edhe për qytetarët dhe për të gjithë të përfshirët në proceset reformuese. Pas këtij rekomandimi Maqedonia vazhdon me reformat. Dhe me të vërtetë nëse konfirmohet ajo që është punuar, presim të marrin rekomandim të pastër si kristal. Besoj se me meritë do ta fitojmë dhe ky do të jetë motivim shtesë që të vazhdojmë tutje me reformat”, deklaroi Zaev pas përfundimit të seancës së djeshme gjyqësore për lëndën “Ryshfet”.
Në vigjilje të publikimit të Raportit të KE-së në deklaratë për MIA-n Marko Troshanovski nga Instituti për demokraci Sociateas Civilis – Shkup (IDSCSH) dhe Andreja Stojkovski kryetar i Eurothink-Qendra për strategji evropiane gjithashtu deklaruan se presin që Maqedonia të marrë rekomandim të pakushtëzuar për fillim të negociatave.
“Konsideroj që vendi fuqimisht të inkurajohet dhe të mbështetet për angazhimet dinamike reformuese, me lavdërim për kthim të dialogut politik në Kuvend dhe marrëdhënies proaktive në përmirësim të marrëdhënieve fqinje. Megjithatë në pjesën e planit të brendshëm reformues do të notohet progres i caktuar në reformat e gjyqësisë, administratës publike dhe sektorin e sigurisë, kritika do të jetë e orientuar drejt zbatimit jo të kompletuar të këtyre reformave posaçërisht në dy sferat e para, integriteti i gjyqësisë, profesionalizimi i administratës publike gjegjësisht në përgjithësi fokusi do të jetë tek qeverisja e të drejtës”, tha Troshanovski.
Stojkovski, gjithashtu, vlerëson se për momentin nuk ka kurrfarë pengese serioze politike që të ketë kusht të rekomandimit ose të mos ketë rekomandim. Për të, kjo është evidente sipas asaj se si komentojnë nga KE-ja dhe shtetet-anëtare se ekziston progres në shtet nga 1 qershori e këndej, në mënyrë praktike nga zgjedhja e Qeverisë së re, ndërsa për shkak se Raporti përfshin periudhë nga nëntori i vitit 2016 deri në prill të vitit 2018, pret që dokumenti do të bëjë distinkcion midis periudhës së bashku me 31 majin e vitit të kaluar dhe zgjedhjes së Qeverisë së re dhe nga 1 qershori i vitit të kaluar e deri më sot, gjegjësisht funksionimit të Qeverisë së re.
KE sot pasdite pritet t’i prezantojë raportet për progresin e vendeve aspirante për anëtarësim në BE. Zakonisht, pas prezantimit shefi i Delegacionit të BE-së në Shkup, ambasadori Samuel Zhbogar duhet të mbajë konferencë shtypi.
Burimi: MIA