Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së tij në Bruksel, mbajti takim me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri dhe nënkryetaren e Komisionit Evropian, Federika Mogerini.
Në takim, siç theksohet në kumtesë, Osmani prezantoi progresin e implementimit të Planit 3-6-9, si dhe progresin e realizimit të pengesave të tjera politike në rrugën euro –integruese të Republikës së Maqedonisë.
“Vij me lajme të mira nga Republika e Maqedonisë. Ashtu siç edhe premtuam para nëntë muajve, i bëmë brenda afatit reformat për Raportin e Komisionit Evropian që pozitivisht të vlerësohet progresi ynë” theksoi Osmani në takim, duke iu drejtuar realizimit përkatës të Plani 3-6-9, implementimi i së cilës përfundon me publikimin e Raportit të Komisionit Evropian me 17 prill.
“Pjesën tre të Planit 3-6-9 e kurorëzuam me mbajtjen e zgjedhjeve të drejta, të lira, dhe të besueshme që në nëntor të vitit të kaluar, e cila u konfirmua edhe në Raportin e OSBE/ODIHR, konkluzionet e së cilës u konfirmuan edhe nga ana e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoni” theksoi Osmani.
Ai shtoi se gjatë periudhës së kaluar Qeveria përgatiti një varg strategjish dhe ligje të rëndësishme reformatore, që në një procedurë transparente dhe gjithëpërfshirëse, me përfilljen e mendimeve të opozitës, sektorit civil dhe publikut, që në masë të madhe janë miratuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë.
“Edhe në këtë moment, në këto ditë të fundit, deri sa mbajmë këtë takim, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, po miratohen edhe ligjet e fundit reformuese për të cilat është e nevojshme përkrahja e dy te tretave të deputetëve dhe për çka në momentin e fundit, me opozitën, u sigurua konsensusi i nevojshëm”, theksoi Osmani.
Në pjesën e shmangies së pengesave politike, Osmani theksoi miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve si segment fundamental e pjesës legjislative të marrëveshjes Kornizë, duke shprehur shpresë se implementimi i ligjit do të demonstroj forcën e saj unifikuese në drejtim të ndërtimit të shoqërisë së fortë, të qëndrueshme, prosperuese dhe multi-kulturore të Republikës së Maqedonisë.
“Realizuam progres historik edhe në marrëdhënie me fqinjët. Nënshkruam, dhe pas saj e ratifikuam edhe në Kuvend, Marrëveshjen historike për fqinjësi të mirë me Bulgarinë, si dhe realizuam progres të rëndësishëm në komunikim me Greqinë”, theksoi Osmani, duke shtuar se në periudhën e ardhshme, pret vendim edhe për kontestin shumëvjeçar me Greqinë, me të cilën do të shmangen gjitha pengesat ne rrugën euro- integruese të Republikës së Maqedonisë.
Takimi Osmani- Mogerini realizohet në prag të publikimit të Raportit të Komisionit Evropian për gjendjen dhe progresin e Republikës së Maqedonisë, i cili do të del për më pak se një javë, me 17 prill.
Në kuadër të vizitës, Osmani do të realizojë takime edhe me përfaqësues të tjerë të lartë të organeve të Bashkimit Evropian, mes të cilëve edhe me Genoveva Ruiz Kalavera, drejtoreshë e Departamentit për Ballkanin Perëndimor pranë Drejtorisë për zgjerim – DGNEAR, si dhe me euro-parlamentarin Holandez Hans Van Baalen i cili kryeson grupin – “Miqtë e Maqedonisë” në Parlamentin Evropian, si dhe me Pjotr Sefarin, shef i Kabinetit të kryetarit të Këshillit të Evropës, Donald Tusk.
Burimi: MIA