Ndërmjetësuesi Methju Nimic u ka dërguar letër shefave të diplomacive të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias, në të cilën e përshkruan situatën aktuale në bisedimet për emrin, gjegjësisht pikat për të cilat ka pajtim dhe pikat për të cilat ka dallime, ashtu si i ka formuluar në kohën e bisedimeve në Vjenë. Letra ministrave u është dërguar në vigjilje të takimit të tyre të ri në Ohër, sonte dhe nesër.
Informacionin për letrën e publikuan gazeta “Katimerini”, radio “Athina 984” dhe portali informativ “Njuz 247”, duke iu referuar burimeve të tyre.
MPJ-ja greke, as nuk e konfirmuan, por as nuk e mohuan lajmin në mediat greke se Nimici ka dërguar letër deri te Dimitrovi dhe Koxiasi, lajmëron korrespodenti i MIA-s nga Athina.
“Sipas burimeve të caktuara, letra e fundit e Nimicit i shfaq qëndrimet e kristalizuara të diplomatit amerikan për çështjen, siç ishin formuluar në takimin e tij të fundit disaorësh me ministrat e Punëve të Jashtme të Greqisë dhe IJRM-së në Vjenë (30-31 mars). Të njëjtat burime përmendin se Nimici ka arritur deri te pikat të cilat duhet të jenë parametra të zgjidhjes”, shkruan “Katimerini”.
Radio “Athina984”, megjithatë, publikoi se bëhet fjalë për procedurë të caktuar dhe parashikuar paraprakisht të ndërmjetësuesit.
“Dy ministrat pritet të përgjigjen në pyetësorin, i cili ishte dorëzuar nga ndërmjetësuesi special dhe ta kenë plotësuar deri në takimin e tyre të ardhshëm të përbashkët”, bëri të ditur radioja athinase.
Portali “Njuz247”, duke iu referuar burimeve të veta, shkruan se ky është teksti i tretë i ndërmjetësuesit dërguar dy ministrave dhe paraqet “intervenim dhe kontribut para takimit të rëndësishëm në Ohër”.
“Sipas informacioneve të njëjta, kabineti diplomatik i Koxiasit kontaktoi me Nimicin dhe e shprehu pakënaqësinë e Athinës për disa pjesë të letrës, sepse ministri i Punëve të Jashtme dëshiron të arrihet sa më shumë që është e mundur në bisedimet në Ohër”, shkruan portali.
Burimi: MIA