Nisma “Drejtësi për Almirin – Правда за Алмир“ ka paralajmëruar protestë sot në ora 13, para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Protestat e radhës vijnë pas rikualifikimit të lendës nga vrasje, në veprim penal me rrezikim të trafikut, në rastin “Almir”. Në vijim janë rekomandimet dhe thirrjet e organizatorëve të protestës:
“Kjo është protesta e katërt të cilën e organizon iniciativa “Drejtësi për Almirin” dhe presim që do të jetë më masovikja sepse vjen pas vendimit për rikualifikim të lëndës dhe lirimit nga paraburgimi të kryersit të veprës: vrasje, Boban Iliq.
Të vetdijshëm për rritjen e mllefit te qytetarët nga ky vendim i joprofesional, tendencioz dhe i padrejtë i organeve të drejtësisë, apelojmë që në mënyrë të qetë dhe dinjitoze të tubohemi para Qeverisë dhe të përcjellim kërkesat tona për drejtësi.
Slloganët, pankartat dhe ikonografia që do të përcjell protestën përmban ekskluzivisht thirrje për korigjim të padrejtësisë ndaj Almirit dhe kërkesa për funksionim të së drejtës. Nga qytetarët që do të na bashkangjiten në protestë kërkojmë të mos marrin me vete asgjë pos një kukull apo çfarëdo lodre të fëmijëve të tyre si simbol i lojës fëmijërore që iu ndërpre herët Almirit nga dora e vrasësit fillimisht dhe së dyti nga dora e sistemit të drejtësisë në këtë vend.
Duke marrë shembull nga familja e Almirit dhe qetësia e tyre, të cilët përkundër dhembjes që po jetojnë me humbjen e më të dashurit dhe rivrasjen e tij në çdo seancë, përfshi dhe atë të kobshmen- të rikualifikimit, ne do të protestojmë të qetë.
Almirin e rivrau sistemi gjyqësor i kapur nga politika dhe struktura të tjera. Ashtu si që kemi protestuar si në mort deri tani, ashtu do të protestojmë të mërkurën. Heshtja mortore është më e fuqishme se mijëra brohoritje.
Më 21 mars, në ora 13, para Qeverisë do të protestohet qetë kundër drejtësisë së kalbur të Maqedonisë. Do të protestojmë për t’ju dhënë fund pranverave pa drejtësi.”
D.T.