Vajza është pika e dobët e një babai. Ajo është bota, fillimi dhe mbarimi i çdo gjëje. Nga ana tjetër, heroi i përkryer i çdo vajze është i ati i saj, babai. Përjetimi i dashurisë së parë ndaj një mashkulli, për vajzën, përjetohet tek babai.
Ndër komentet e shumta për gjykimin e Ratko Mlladiçit, lajmi që më bëri përshtypje dhe më bëri të mendoj rreth dashurisë, vdekjes dhe tradhtisë është lajmi i vajzës së tij, Ana Mlladiç e cila kishte bërë vetëvrasje në vitin 1994.
Ratko Mlladiçi dhe vajza e tij, në bazë të asaj që shkruhet, kultivonin një dashuri të shenjtë për njëri tjetrit. Mirëpo, e bija e tij, Ana, gjatë një seminari në Moskë pas një takimi me një boshnjak kishte mësuar për herë të parë, më bindshëm, se kush në të vërtetë ishte babai i saj. Dhe një ditë nga ditët, në formë të një ceremoniali po thuaj të përkryer me pistoletën e babait të cilën kishte marrë dhuratë me rastin e kryerjes së akademisë ushtarake, Ana i jep fund jetës së saj. I ati kurrë nuk i besoi kësaj vetëvrasjeje, por akti i kryerjes dhe simbolika që e bija i dërgon të atit, është dramatik me një zhargon tragjedie që jo çdo e bijë e bën për të vërtetën e dashurisë.
Të kapërdihet një baba i tillë, çfarë ishte Ratko Mlladiçi, është e vështirë, madje e paimagjinueshme. Ratko, për të bijën ishte një Hyj, që tashmë e kishte tradhtuar keq robin e tij. Kurse për Ratkon, Ana ishte një hyjneshë një Zot. Në shenjë proteste për të bërat, krimet dhe paturpësitë që kishte bërë robi, Hyjnesha vendos të vetëvritet dhe ta dënoj robin, me mos ekzistencën e Vet. Çfarë dashurie!? Një vajzë vetëvritet për krimet që i ka bërë i ati. Një zot që turpërohet nga krimet e robit, vetëvritet për t’i treguar çmimin e dashurisë.
Lemeritëse! E frikshme, ngaqë mëkatet e prindit nuk i trashëgon i biri ose e bija. Presioni shoqëror? Jo, ishte kohë heronjsh të rremë, lehtë mund ta kapërdinte madje edhe të përfitonte. Por jo! Ndoshta një protestë ndaj tradhtisë dhe iluzioneve shoqërore që mbretëronin. Vetëvrasja e saj, të ngjet në një përpjekje për të ruajt shenjtërinë e dashurisë. Të masakrosh, nëna, fëmijë, pleq dhe të shtiresh se kultivon dashuri? Vetëvrasja e Anës është moment madhështor, shprehje e besnikërisë ndaj pastërtisë së dashurisë si çiltërsi, e dëlirë dhe thellësisht hyjnore por që ishte e një anshme. Këtë kult të dashurisë mund ta shpëtonte vetëm flijimi. Dashurinë për një baba, lakuriq nga të metat njerëzore. Por skizofrenia e Mlladiçit shkoi edhe më larg, në vend se të pendohej, “kryeveprën” e tij e bëri një vit më vonë, në Serbrenicë, ku vrau shumë ëndrra, rënkime dhe dashuri njerëzore.
Komentet më interesante janë komentet raciste dhe më bëjnë të konkludoj se nuk po arrijmë të kuptojmë universalitetin e frymës njerëzore si unike dhe të barasvlershme. Mëkati i zullumqarëve nuk trashëgohet dhe nuk mund të fajësohen popujt, kompleksi i trashëgimit të mëkatit të Adamit si frymë dhe mendësi shoqërore është mirë të mënjanohet dhe të individualizohen problemet edhe pse mendësitë e tyre janë produkte sistemesh, të cilat në periudha të caktuara historike krijojnë mendësi krizash dhe nxjerrin njerëzoren nga subjektet e që shpesh na ngjajnë dhe shpërfaqen si në “çmenduri kolektive”. Nga ky prizëm as shqiptarët nuk do të ishim më të mirë se Serbët. Mjafton të përkujtojmë masakrat e ushtarëve shqiptarë të ISIS-it, që të thyejmë mitin e “pastërtisë” shqiptare dhe aftësisë së saj për të qenë objekt i vrasjes masive. Jemi si e gjithë qenia njerëzore, dashurojmë, vritemi e vrasim!
Jetojmë në tehun shpatës. Nevoja për t’u ngushëlluar sot, nuk ka qenë më e nevojshme se kurrë. Por mjafton të merret mësimi se tradhtia jonë ndaj njerëzores, shtirja në dashuri dhe hipokrizia mund të përfundoj në vdekjen e të dashurve tanë përmes së cilës përpiqen të gjejnë prehjen dhe ngushëllimin, dhe neve nga heronj mund të na shndërroj në tradhtarë, aq më tepër ndaj atyre të cilët e objektivizojnë dashurinë në prezencën fizike tonën. Ta kultivojmë dashurinë, përndryshe edhe Zoti do të turpërohet nga robi!