Xhenis Sulimani, gazetarë në median LajmPress, në intervistë për CIVIL Media, deklaroi që është e nevojshme që sa më tepër qytetarë të jenë kritik dhe të angazhohen në aktivitete qytetare, që përgjegjësia institucionale ndaj qytetarëve të jetë më e lartë.
Civil: Cilat janë pikëpamjet e juaja për lirinë e shprehjes, lirinë e mediave dhe aktivizmin?
Sulimani: Fillimisht ju përshëndes dhe ju përgëzoj për këtë seri intervistash në dobi të lirisë së shprehjes, lirisë së mediave dhe aktivizmit. Është kënaqësi të jem këtu në Civil – Qendrën për Liri. Unë si një politolog, që momentalisht po e ushtroj profesionin e gazetarisë, mendoj se misioni i shenjtë i çdo qytetari të lirë është propagandimi i lirisë së shprehjes, në këtë fushë duhet të veprojë secili prej nesh, pavarësisht, studentë, profesionist në ndonjë lëmi, profesor universitarë, gazetarë, pra duhet që të tentojnë që sa më tepër të propagandojnë lirinë e shprehjes. Unë si gazetar mundohem që përmes shkrimeve dhe insistimit tim, të ndikojë në përgjegjësinë e institucioneve ndaj qytetarëve, të iniciojë dhe të motivoj që edhe të tjerët në mënyrë sa më aktive të kërkojnë përgjegjësi nga institucionet. Kur rritet numri i atyre që kërkojnë përgjegjësi prej institucioneve shtetërore, me automatizëm ndikon që edhe liria e shprehjes të merr përmasa më të mëdha.
Shohim njerëz që janë aktiv në rrjetet sociale dhe në lëmi tjera të aktivizmit qytetar dhe kjo ndikon që liria e shprehjes të fitojë më tepër peshë në shoqërinë e Maqedonisë, pavarësisht ngjyrave etnike dhe religjioze.
Civil: Në çfarë forme ju kontribuoni në avancimin e lirisë shprehjes, lirisë së mediave dhe aktivizmit?
Sulimani: Në përgjigjen në pyetjen e parë, thashë se ky si mision i shenjtë më obligon mua që edhe në profesionin e gazetarisë ta shtrij dhe ta propagandoj këtë ide. Zakonisht me shokët dhe kolegët me të cilët jam i rrethuar, tentoj që këtë temë ta trajtojmë më tepër. Për shembull, nëpërmjet anketave të ndryshme ta ngremë vetëdijen qytetare, ne si media mundohemi që 2 ose 3 anketa t’i kemi në javë për çështje shumë të rëndësishme për opinionin publik, por shohim në media të ndryshme se opinionin publik tentojnë ta krijojnë njerëz të cilët janë të dirigjuar nga qendra të fuqive, ndërsa shumë pak e dëgjojmë zërin e popullit. Vox populi është shumë i zbehur, andaj tentojmë që të nxisim kalimtar të rastit të flasin për tema shumë të rëndësishme që të dëgjohet edhe zëri i tyre. Duke parë se shumë njerëz e kanë guximin për të folur atë që është në interes të përgjithshëm, në këtë mënyrë mobilizohen dhe elektrizohen edhe qytetarë tjerë, nëse në vazhdueshmëri shkon kështu, atëherë, zëri i popullit do të fiton më tepër peshë dhe do të kemi më tepër njerëz që do të kërkojnë përgjegjësi prej institucioneve por edhe të gatshëm që të jenë pjesë e aktivizmit qytetar.
CIVIL: A keni presion prej fuqive politike dhe ndërmarrjeve të ndryshme? Nëse po, në çfarë forme ballafaqoheni me këtë presion?
Sulimani: Zinxhirët e pushtetit gjithmonë mundohen ta ulin zërin e atyre që kritikojnë. Nuk ka ndonjë recetë speciale të cilën do ta kisha rekomanduar se si duhet t’ia dalim kur kemi raste të presionit për shkrimet tona, apo për ngritje të zërit për fenomenet devijuese. Mirëpo, insistoj çdoherë që secili kur e ngrenë një kritikë, kritika e tij të jetë e bazuar në fakte dhe së paku në dy burime, që në këtë mënyrë t’ia pamundësojë fuqive të jenë ndikues ndaj neve edhe në qoftë se ata mundohen që në mënyrë jonjerëzore të reagojnë ndaj neve, ne të kemi bazë në kritikën tonë të mirëfilltë e të bazuar në fakte, që nesër në mënyrë institucionale të mund t’u kundërvihemi fuqive të “errëta” që tentojnë ta ulin zërin kritik në shoqëri. Zëri kritik është lokomotiva e një shoqërie dhe është mënyra e vetme për ta ballafaquar aktivitetin e errët të pushtetit.
Civil: Çfarë do të rekomandoni ju për avancimin dhe mbrojtjen e lirisë së shprehurit, lirisë së mediave dhe të drejtave të njeriut?
Sulimani: Sugjeroj që te rinia të rritet një vetëdije më e madhe për kritikë dhe aktivizëm qytetar, që rinia të ketë një qasje më serioze ndaj arsimit, të kërkon më tepër nga politikat arsimore, pasi që vetëm me një arsim të mirëfilltë ne do të mund të kemi një vetëdije më të lartë politike, një kulturë më të pasur dhe neve të cilët jemi të kalitur në këto fusha, të mundemi që zërin tonë kritikë të kemi më të shëndosh, rezistues dhe me shembuj individual dhe grupor të nxisim që edhe të tjerët të pasojnë rrugën e të qenit kritik. Insistoj në këtë, pasi që, përgjegjësinë më të madhe për çdo devijim institucional, duhet ta bartin institucionet shtetërore, që përgjegjësia të jetë më e madhe duhet që zëri kritik të jetë më i zëshëm, mirëpo për këtë kërkohet një ushtri e tërë që liria e shprehjes të fitoj më tepër. Nëse bëjmë një retrospektivë, çdo sistem ka insistuar që ta ulë zërin kritik apo lirinë e shprehjes, qoftë edhe aj pushtet të kishte pasur sufiksin apo prefiksin demokratik. Nuk është vetëm emri dëshmi për pushtetin se a është demokratik apo jo, shteti fiton demokraci vetëm kur liria e shprehurit është më e madhe, për të qenë liria e shprehurit më e madhe nevojitet një ushtri më e madhe dhe zë kritik më i lartë.
Fari Hiseni
Kamera: Dehran Muratov
Montimi: Ermin Klimenta