Ende nuk ka përfunduar cikli i zgjedhjeve lokale në Republikën e Maqedonisë, ndërsa politikanët tanë prej tani kanë filluar të diskutojnë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Në debatin televiziv në TV21-M, mbrëmë ishin mysafir Muhamed Zeqiri nga LSDM, Artan Grubi nga BDI, Remzi Mehmedi nga Aleanca për Shqiptarët dhe Skender Rexhepi nga BESA.
Gjatë debatit vërehej qartë luajtja e rolit të avokatit, ku mbronin haptazi partitë koalicionuese, gjegjësisht LSDM dhe BDI kundër Aleancës për Shqiptarët dhe partisë BESA. Pothuajse deri para një viti, po këta të njëjtit akuzoheshin mes vete për veprime kriminale, keqpërdorime pozitash, lidhje të fshehta me shërbime të ndryshme etj.
Remzi Mehmedi, nga Aleanca për Shqiptarët parashtroi pyetje mbi kohëzgjatjen e koalicionit LSDM – BDI, dhe nëse i njëjti do të ekzistojë edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por me lista të përbashkëta?
“A vlen që koalicioni LSDM-BDI tani i bërë, do të jetë edhe koalicion në zgjedhjet e ardhshme parlamentare me lista të përbashkëta?”, pyeti Mehmedi.
Në këtë pyetje, Muhamed Zeqiri nga LSDM, u përgjigj duke shtuar se ndoshta edhe ata do të jenë të ftuar të marrin pjesë në atë koalicion të gjerë dhe se ai koalicion do të jetë transparent dhe i hapur për të gjithë partitë politike të cilët kanë për synim ta çojnë vendin përpara.
“Ne jemi transparent dhe të hapur për të gjitha subjektet që do ta gjejnë veten brenda një koalicioni të tillë dhe pse jo të gjithëve të na bashkojnë gjërat e përbashkëta në zgjedhjet pas katër viteve. Ne, ofertën do ta kemi për të gjithë subjektet politike që janë me synime që ta çojnë vendin përpara”, tha Zeqiri.
Nga e gjithë kjo katrahurë që po ndodhë në skenën politike në vend, vetëm po e vërtetojmë frazën se në politikë është gjithçka e mundshme.
Fari Hiseni