Shkruan: Sasho Ordanoski
[dropcap font=”arial” fontsize=”45″]K[/dropcap]ur i detyroni tjerët publikisht ta përsërisin gënjeshtrën tuaj, atëherë edha ata bëhen bashkëpunëtorë në atë gënjeshtër, ndërsa disa nga ata vazhdojnë ta mbrojnë edhe kur ju hiqni dorë nga ajo. Kjo quhet konspiracion i përsosur. Dhe kur këtë, duke i falënderuar makinerisë agresive propagandiste, do ta përhapni si gënjeshtër të përmasave të mëdha, atëherë bëhet fjalë për konspiracion me dimensione shoqërore.
Kjo është gënjeshtra shoqërore e përhapur për investimet e mëdha në Maqedoni, e treguar me arrogancë të paparë të cilën me vite na e “përtypte” tandemi i gjenialëve ekonomistë Gruevski dhe Stavrevski si dhe dhjetëra ministra tjerë, drejtorë, promotorë dhe propagandistë të vendosur disa nëpër institucione dhe kabinete, e më tepër nëpër biznes launzhe dhe hotele luksoze në katër anët e botës. Tani, kur në sipërfaqe dalin informatat se sa neve , si taksapagues, na kanë kushtuar këto investime të huaja – në formë të subvencioneve të drejtpërdrejta, lehtësime tatimore, kontribute të papaguara, doganime të pallogaritura, reklama fushate, shpenzime rruge etj. – bëhet e qartë se edhe kjo është një nga fshatrat e Potemkinit të pushtetit të kaluar, me qëllim të punësimit të makinerisë votuese për rroga minimale dhe për marrje të provizioneve për pasurim personal.
Mirë, nuk them se në fillim qëllimet i kanë pasur të këqija, mirëpo, “rrugës” është dashur të kuptojnë se kanë qenë të gabuara. Për arsye se nuk ka matematikë e cila nuk do të tregojë se, nëse do të investoheshin ato, më tepër ose më pak, gjysmë miliardë euro në ekonominë e brendshme të Maqedonisë, efektet me siguri se do të ishin më të mira. Ndërsa biznesi lokal, me mbështetje adekuate nga shteti, do të tërhiqte edhe më tepër investitorë të huaj.
Për më tej, Gruevski dhe Stavrevski asnjëherë nuk kanë bërë asgjë në fushat të cilat i udhëhiqnin, nuk kanë investuar (ose së paku unë nuk e di) para të tyre personale në ndonjë biznes lokal, nuk janë vonuar me kthimin e këstit bankar për ndonjë kamatë fajdexhinjsh me pronë të dhënë nën hipotekë dhe prindërve për ndonjë ide pune, nuk e kanë ndjerë stresin nga afrimi i “të parit” të muajit, e të mos kesh mundësinë të arrish së paku një rrogë minimale për të punësuarit në kompaninë e tyre, nuk kanë shkuar në asnjë sportel ku merren laje, licenca, vërtetime ose dokumentacione tenderi, nuk dinë se çfarë do të thotë të të paraqiten inspektorë nga DAP ose nga inspekcioni i tregut, të paparalajmëruar në derë…E dini si thonë: Nëse nuk e dini vleftën e parasë, shkoni dhe mundohuni vetë të huazoni nga banka. Sepse, është lehtë të shpenzohen paratë e huaja për të cilat askush nuk të llogarit kamatë.
Dhe, për këtë arsye më pëlqen kjo qasje e Qeverisë së re, të paraqesin plane jo të përsosura për rikonstruimin e ekonomisë së shkatërruar, ti arsyetojnë publikisht para biznes-opinionit publik profesionist të vendit dhe të huaj, dhe të qëndrojnë para kritikave të ashpra dhe pyetjeve dyshuase nga palët e interesuara. Plus, në krahasim me Grujon dhe Stavren, dyshi i ri i ekonomisë së Zaevit dhe Angjushevit më duken si enciklopedi mobile të ekonomisë së Maqedonisë, në pjesën e biznes-tregimeve të suksesshme. Unë, i qetë do t’u kisha dhënë kohë të tregojnë se çfarë dinë. Nëse asgjë tjetër, këta dy nuk flasin përmendsh.