Shkruan: Sasho Ordanoski
Me një interpretim të lirë të teorisë, mund të thuhet se në histori mund të identifikohen dy lloje diktatorësh: ata që kanë dalë budallenj dhe ata që janë treguar si të mençur. Këta mes vete dallojnë kryesisht në kompetencën e njohjes dhe parandalimit të pikës kritike në kohë të duhur, pas të cilës mobilizimi shoqëror merr anë kundër tyre dhe e nis spiralen e rënies së tyre nga pushteti.
Gruevski, në fund, nuk u tregua si diktator tepër i mençur. Ai bëri vlerësimin e asaj që në kabinetin e tij e solli Zaevi në nëntor të vitit 2014, si përzgjedhje nga përmbledhja e dëshmive për mënyrën me të cilën sundon: nuk bëhet fjalë vetëm për nënçmimin e tërësishëm të “kokëboshit nga Murtina” si kundërshtar politik, por edhe për dimensionet e skandalit që në opinion do të shkaktojë tronditje nga përgjimi masovik. Në fakt, Familja nuk kuptoi se shumica e cila në Maqedoni u bezdis nga Gruevski, dhe se në pjesën më të madhe të shoqërisë vetëm pritej ndonjë rast më solid për mobilizim të madh kundër pushtetit. Familja i humbi instinktet, e “përgjumur” në ndjenjën se me përzierje të përpunuar të propagandës, kërcënime dhe klientelizëm, mund ta “shtrydhin” deri në fund, dhe ta kontrollojnë shoqërinë deri në pafundësi!
Në retrospektivë, jam i sigurte se Gruevskit sot i vjen shumë keq që pas takimit të parë me Zaevin, në vend se të bën marrëveshje për demision të menaxhuar personal, u nis në rrugë pa kthim politik, të filluar me vendimin që Zaevi të burgoset me skenarët e trilluara në panik, për puç dhe furgona të verdhë…Nëse atëherë tregonte vetëkontroll më të madh dhe më pak arrogancë, sot, Familja – në dëmin tonë, ndoshta do të rrezitej në ndonjë plazh të Karaibeve dhe do të brengosej vetëm për drejtimin e lëvizjeve të uraganeve verore.
Në atë kuptim, vlen të përkujtohemi në kaptinën e 17 të këshillave të Machiavellit deri te princat shpresëdhënës, ku ai, në esencë, thotë se mes dashurisë për dhe frikës nga sunduesit, duhet të rekomandohet përzierje e balancuar e atyre dy ndjenjave, mirëpo, pasi kjo është tepër rëndë të arrihet, ai këshillon se “është shumë më mirë ta kenë frikën sesa të të duan, nëse veç më nuk mundet të dyjat”. Machiavelli thotë se, në parim, njerëzit (subjektet) janë “ mosmirënjohës, dyfytyrësh, gënjeshtarë dhe mashtrues”, kështu që, kur kërcënimi është i mjegulluar, ata janë besnikë ndaj sunduesit, mirëpo kur afrohet rreziku, ikin kush ku mundet! Sipas kësaj, thotë Machiavelli, ai që sundon duke shkaktuar falënderim ndaj vetvetes, e gërmon varrin e vet; ndërsa ai që sundon duke shkaktuar frikë te të nënshtruarit – si Hanibali i pamëshirshëm, për shembull – përfiton nga besnikëria, por edhe nga bashkimi dhe disiplina që del nga efektiviteti i dënimit me të cilin kërcënohet. Ose, e interpretuar në mënyrë makiaveliste, frika te njerëzit kontrollohet më me sukses sesa nga dashuria e tyre.
Mirëpo, aty qëndron i tërë mashtrimi diktatorial! – Machiavelli jep edhe një udhëzim të rëndësishëm, e kjo është se njerëzit duhet t’ua kenë frikën, por jo edhe t’u urrejnë! Si të arrihet kjo? Machiavelli rekomandon që kërcënimet e sunduesit çdo herë të jenë të besueshme, por të mos pretendojnë pronën ose gratë (sic!) e atyre që u kërcënohesh. Nëse sunduesi këtë nuk e respekton, hakmarrja e popullit do të arrijë shpejtë. Sipas Machiavellit.
Me të gjitha këto ju rrotulloj vërdallë, sepse mendoj që është me rëndësi të mos heqim dorë shpejtë nga analizimi i rënies së diktaturës tonë dhe të veprimeve të diktatorit tonë të vogël i cili tani qëndron i frikësuar në ndërtesën e madhe të bardhë. Shumë njerëzve u preki edhe në pronë edhe në “gratë”, dhe në fund, e la shumicën vetëm t’i frikësohet. E pastaj, shumica e arriti pikën kritike në të cilën mbaroi me frikë, ndërsa diktatori nuk ishte i mençur mjaftueshëm që ta ndjejë kthesën. Tani, spiralja e rënies së tij nuk do të mbarojë as me zgjedhjet lokale. Ato do ti vijnë si një parashutë e vogël para se më në fund, të përplaset në tokë gjatë largimit nga politika e Maqedonisë.
Desha të them, nëse veç më jeni kapur për Machiavellin si autoritetin më të lartë për ti mësuar shkathtësitë e sundimit, mos u mundoni fare që këshillat e tij ti zbatoni në shtëpi dhe në shoqëri të fillestarëve.