Pas fjalëve përfunduese sot në gjykimin e “Lagjes së Trimave”, avokati Naser Raufi për CIVIL Media flet për dëshmitë, lëshimet dhe pengesat në rastin.
“Duket qartë se bëhet fjalë për skenar të shërbimeve sekrete, të ish drejtorit, udhëheqësisë, strukturave të sigurisë, DSK, BSP, ministres për Punë të brendshme…Ky rast është praktikisht i realizuar nga këto struktura sigurimi, me qëllim të defokusimit të opinionit”, tha Raufi.
Dukë bërë retrospektivë të atmosferës politike të asaj periudhe, Raufi thotë se, edhe pse qëllimi i regjimit të kaluar ka qenë defokusimi i opinionit, megjithatë, shërbimet e sigurisë është dashur të veprojnë në mënyrë parandaluese.
“Mendoj se kishte mundësi, dhe shërbimet e sigurisë duhej të parandalojnë. Ato momente ne i dëshmuam. Madje edhe strukturat rajonale të sigurisë i kanë informuar strukturat e sigurisë të Maqedonisë se grupi depërton në territorin e Republikës së Maqedonisë, mirëpo, nuk është ndërmarrë asgjë parandaluese”, theksoi Raufi.
“Praktikisht, e tërë lëvizja që nga fillimi është regjistruar me dron, fotografitë e tyre janë përcjellë te njësitë speciale, që do të thotë se që nga fillimi është ditur se ku do të jenë dhe çfarë armësh kanë në dispozicion. Ne kemi dëshmi se të gjithë kanë qenë të njoftuar, por nuk është ndërmarrë asgjë deri në momentin kur duhej të defokusohet opinioni. Kjo ngjarje është praktikisht e kurdisur për qëllimet e regjimit të kaluar… Edhe në fjalët përfundimtare ne thirremi në dëshmitë që i posedojmë, madje thirremi edhe në dëshmitë e vetë Prokurorisë Publike, nga të cilat del se vetë veprimi është jashtë rregullave policore dhe përcaktimeve pozitive, jashtë Ligjit për Polici.
Ky është një aksion i fuqishëm, për të cilin do të duhet të marrin përgjegjësi strukturat udhëheqëse, sepse janë dërguar njerëz të rinj, të cilët, për fat të keq, u vranë pa ditur se ku dhe pse shkojnë. Janë dërguar me një brifing të shkurtë prej 2-3 minutash, që nuk është sipas rregullave. Një aksion i tillë duhet të përgatitet, dhe kjo nuk është bërë, për këtë arsye edhe i kemi këto pasoja..Unë nuk pretendoj se ato pasoja janë të dëshiruara nga strukturat tona të sigurisë, mirëpo për shkak të shpejtësisë dhe veprimit amator, i kemi këto pasoja të hatashme”, thotë Raufi për CIVIL Media.
Pas fjalëve përfundimtare në gjykimin e sotëm, Raufi e akuzoi Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, për seleksionimin e bisedave të përgjuara dhe fshehje të një pjese të dëshmive të cilat janë me rëndësi kyçe për rastin.
Gjithashtu, ai tregoi se në këtë proces gjyqësor mungojnë dëshmi kyçe, si biseda me struktura të larta politike dhe të policisë, për të cilat vet të akuzuarit kanë pranuar se ekzistojnë.
Raufi kërkoi ti sigurohet biseda telefonike mes tani të vrarit Mirsad Ndrecaj dhe liderit të BDI-së, Ali Ahmetit.
Edhe kjo seancë gjyqësore për Lagjen e Trimave kaloi me bojkotim nga disa nga të akuzuarit. Ata treguan se do të qëndrojnë në sallën e gjyqit vetëm atëherë kur përballë atyre, do të qëndron prokuror nga Prokuroria Speciale Publike, dhe do të vepron për këtë rast.
Në seancat e kaluara, Prokuroria, duke i arsyetuar dëshmitë, kërkoi nga gjyqi që të akuzuarit të shpallen fajtorë, sepse, siç tha Prokurori Publik Naum Panoski, ekzistojnë dëshmi të forta se është bërë vepër penale – terrorizëm, ndërsa për lartësinë e dënimit, Prokuroria ka lënë që gjyqi të merr vendim.
Gjykimi vazhdon të hënën, me fjalën përfunduese të akuzuarve tjerë dhe të mbrojtësve të tyre.
Në procesin gjyqësor për rastin “Lagjja e Trimave”, 37 persona gjykohen për terrorizëm dhe organizatë terroriste. Në sulmet më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, u vranë tetë përkatës të MPB, ndërsa rreth dyzet ishin të lënduar.
Naser Raufi është edhe pjesë e ekipit të ekspertëve të Komitetit për mbrojtjen e të drejtave, i cili të shtunën do të organizojë konferencë në temën “Kthimi i drejtësisë së konfiskuar”, qëllimi i së cilës janë reformat e gjyqësorit me të cilat do të eliminohet mundësia e tentimit të dikujt për shkeljen e të drejtave të njeriut.
Komiteti angazhohet për revizionin e të gjitha rasteve për të cilat ekziston dyshimi se janë raste të montuara politike, siç është rasti Lagjja e Trimave, si dhe për të drejtat e viktimave të përndjekjes politike.
Maja Ivanovska
Kamera: Dehran Muratov